in

Foggia. Shtyp 26-vjeçarin e nuk ndalet. Arrestohet pirati i rrugës

Viktima është shqiptari Redis Rosa. I arrestuari, rumuni Danut Marcel Neagoe dhe duhet të përgjigjet për vrasje nga pakujdesia dhe mosdhënie të ndihmës së shpejtë

Rruga ku ka ndodhur aksidenti
Romë, 18 gusht 2013 – E kanë shtypur me makinë dhe e kanë lënë aty, pa i dhënë as ndihmën e shpejtë. Kështu ka vdekur Redis Rosa (ose të paktën ky është emri që japin forcat e rendit) në orët e vona të 15 gushtit, në rrugën komunale 17 në lokalitetin Borgo Tavernola të Foggias. Ishte 26 vjeç dhe punonte në bujqësi.

Brenda 48 orëve është arrestuar pirati i rrugës: quhet Danut Marcel Neagoe, 32 vjeç, e duhet të përgjigjet për vrasje nga pakujdesia dhe mosdhënie të ndihmës së shpejtë.

Karabinierët kanë nisur punën për zbardhjen e ngjarjes mëngjesin e 16 gushtit kur një shtetas shqiptar i ka lajmëruar për gjetjen e kufomës së vëllait, Redis Rosa 26 vjeç, buzë rrugës komunale 17 në lokalitetin Borgo Tavernola të Foggias.

Sipas deklaratave të vëllait, pasditen dhe mbrëmjen e 15 gushtit ky kish pasur në shtëpi  Redisin deri nga ora 21.30. Më pas ishin përshëndetur e Redisi ish nisur për të shkuar në shtëpi të tij, disa qindra metra më tutje nga ajo e të vëllait. Në atë orë të mbrëmjes, zona është krejtësisht në errësirë e shoferi që e ka shtypur ta ketë parë shumë vonë Redisin. Fakti është që makina e ka përplasur fort djalin, dhe ka përfunduar në një vresht buzë rruge. Shoferi me një manovër ka sjellë makinën sërish në rrugë e ka vazhduar pa u ndalur për t’i dhënë ndihmë Redisit. Por në përplasjen e fortë ka humbur ca pjesë të makinës e targën, që kanë lehtësuar punën e karabinierëve për identifikimin e automjetit dhe të piratit të rrugës.

Makina, një Peugeot 106, u gjet e braktisur në rrugë afër Borgo Arpinovas. Rezultoi në emër të një ndërmarrjeje bujqësore që po falimenton dhe e pasiguruar nga viti 2006, dhe që veturën e kishte lënë të mbyllur në garazhin e një pronari ferme. Kur karabinierët paraqiten te ky i fundit, marrin në pyetje punonjësit e tij e mes tyre edhe Danut Marcel Neagoe, 32 vjeç. Ky ka pranuar se i ka dhënë makinës mbrëmjen e 15  gushtit. Ka thënë se nuk ka ndier se ka shtypur një person që përshkonte rrugën në këmbë, por se makinën e braktisi në rrugë sepse i ishte çarë një gomë.

Karabinierët e kanë arrestuar me akuzat e vrasjes nga pakujdesia dhe të mosdhënies së ndihmës së shpejtë.

Quhet Nikolin Kola, personi që u mbyt të premten në lumin Ticino

Gjysmë milioni shqiptarë jetojnë në Itali