Rama: “T’i presim me një festë madhështore”
Tiranë, 22 qershor 2016 – Kombetarja shqiptare ka humbur shancin të jetë një nga 4 të tretat grupeve më të mira e është eleminuar nga Kampionati Evropian “Francë 2016” pas barazimit 3-3 mes Portugalisë dhe Hungarisë.
Por ky kampionat do të mbetet i paharrueshëm për shqiptarët, pasi ishte i pari, ku u shënua goli i parë dhe u arrit fitorja e parë. E nuk është pak, në fazën e grupeve, po aq pikë sa kuqezinjtë bëri edhe Portugalia e Cristiano Ronaldos, për shembull.
Shqipëria debutoi në këtë evropian pa shumë pretendime, por me dëshirën për t’u paraqitur sa më mirë. Lojtarët, trajneri dhe drejtuesit kishin deklaruar shpesh se ë këtë eksperiencë të parë të këtij niveli, e rëndësishme ishte që kuqezinjtë të bënin një figurë të mirë. Nëse do të kishte dhe rezultate, aq më mirë. Padyshim ia arritën. Në fushë lojtarët e akoma më shumë në shkallët e stadiumeve e në qytetet e Francës mijëra e mijëra shqiptarët që nga e gjithë bota shkuan të brohorisnin lojtarët e tyre.
Ndeshja e parë ishte ajo me Zvicrën. Do të mbahet mend për përballjen mes dy vëllezërve Xhaka. Do të mbahet mend për golin e pësuar që në fillim të ndeshjes dhe për rastet e humbura në fillim nga Sadiku dhe në fund nga Gashi. Ajo do të kujtohet edhe për kartonin e kuq të Lorik Canës.
Më pas erdhi ndeshja me Francën. E mrekullueshme për 89 minuta. Por kuqezinjtë u ndëshkuan me dy gola në minutat e fundit të ndeshjes.
Një mbrëmje e paharrueshme do të mbetet ajo e 19 qershorit në Lion. Shqipëria fitoi me Rumaninë duke u futur në histori për fitoren e parë dhe golin e parë të shënuar nga Armando Sadiku.
Kjo ishte Shqipëria në Euro 2016. Kuqezinjtë kthehen me kokën lart.
I menjëhershëm reagimi i dëshpëruar i kryeministrit Rama, sot, kur pas tri ditë pritjeje rezultatesh “të mira” që mund të kualifikonin Shqipërinë, eliminimi u bë realitet. Rama ka ftuar të gjithë tifozët t’i dhurojnë kombëtares një festë të madhe për rikthimin në atdhe.
“Sapo u mbyll kapitulli më fantastik i futbollit shqiptar dhe pas një eliminimi për arsye të golaverazhit, misioni kuqezi në EURO2016 kthehet nesër në atdhe rreth orës 17.00. – shkruan kryeministri Rama në rrjetin social Facebook – Le t’u dhurojmë heronjve tanë një festë të paharrueshme mikpritjeje, në shenjë mirënjohje e respekti për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për fanellën dhe imazhin e Shqipërisë #ALB #KrenarëpërKombëtaren”.