“Mandela është, me Martin Luther King dhe Gandhin,
një nga të paktët udhëheqës që kanë arritur të rrëzojnë çdo pengesë race, ngjyre e besimi,
duke na bërë që të dukemi të gjithë njësoj përballë vuajtjes dhe ngadhnjimeve të jetës”
Toni Morrison (shkrimtare amerikane, Nobel 1993)
Mbas muajsh të gjatë dergjeje në shtrat, për shkak të një sëmundjeje mushkërish, në shtëpinë e tij pranë Johanesburgut, në mbrëmjen e 5 dhjetorit 2013, në moshën 95-vjeçare, ndërroi jetë njeriu simbol i Afrikës së Jugut, ish Kryetari Nelson Mandela.
Keqardhja e politikës dhe opinionit publik botëror u shfaq menjëherë mbasi Kryetari aktual Jakob Zuma, lajmëroi Vendin e tij dhe botën mbarë me këto fjalë: “Kemi humbur birin tonë të madh. Shpirti i Tij pushoftë në paqe. Zoti bekoftë Afrikën.” Shprehjet e asaj keqardhjeje dolën nga gojët e shumë përfaqësuesve të kombeve të ndryshme si Obama, Merkel, Cameron, Hollande, Napolitano, George Bush, Mihail Gorbaçov, Jimmy Carter, Xi Jingping, Dilma Rousseff, për të pëmendur vetëm disa prej tyre, por edhe nga drejtuesit e organizmave më të rëndësishme ndërkombëtare si Ban Ki-moon (OKB), Herman Van Rompuy dhe Manuel Barroso (BE), Christine Lagard (FMN) etj. U mbajt një minutë heshtje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe në Konferencën për Paqen e Sigurinë e Afrikës, të hapur në Pallatin Elisé, në presidencën franceze, në prani të 53 kryetarësh shtetesh e qeverish. Kanë shprehur hidhërimin e tyre të thellë e vlerësimet e tyre të çmuara udhëheqësit shpirtërorë të Krishterimit e të Budizmit, Papa Françesku dhe Dalai Lama. U shpall zi kombëtare 12-ditëshe në atdheun e të ndjerit e pesëditëshe në Indi, për të nderuar vdekjen e një “gandiani të vërtetë”. Kanë shpallur zi kombëtare treditëshe Nigeria, Kuba, Portugalia dhe Brazili. Flamuri në gjysëm shtizë u hepua në shumë kryeqytete të botës, duke filluar nga Washingtoni, por edhe në ndërtesat e OKB-së dhe BE-së. Në ceremoninë e varrimit, në Vendin e tij të lindjes, që do të zhvillohet më 15 dhjetor, janë të ftuar rreth dy mijë personalitete politike dhe të fushave të tjera, nga e gjithë bota.
Nderimi për Nelson Mandelën merr përmasa të jashtzakonëshme, ndoshta të papara deri më sot, të tilla që detyrojnë këdo të bëjë një përsiatje të thellë mbi dukurinë dhe subjektin e saj, mbi personalitetin e këtij shtetari që ka patur një jetë shumë të trazuar në Vendin e tij.
Kishte lindur më 1918, në një kasolle në Mvezo (sot Eastern Cape), me një emër të vështirë, Rohihlahla. Mësuesja e tij e parë e pagëzoi me emrin Nelson. U rrit jetim, mbasi babai vdiq kur ai ishte nëntë vjeç. Nëna e çoi në një fshat të afërt, në Kunu, një vend që mbetet i dashur në kujtime fëminore të djaloshit, aq sa t’a zgjedhë si vendin ku do të prehet në përjetësinë tokësore, pranë dy djemve, të larguar para kohe, vite më parë. Nëna e nxiti të vazhdojë studimet për antropologji e për drejtësi. U diplomua më 1943. Mbas një viti u martua me gruan e parë, Evelynën, nga e cila do të kishte dy djem dhe një vajzë. Filloi veprimtarinë e tij, si avokat në një studjo me mikun e tij, Oliver Tambo, por edhe në lëvizjen kundër aparteidit, dallimit racial që, në Bashkimin Jugafrikan, kishte marrë përmasa proverbiale. Jetoi në Soveto, në geton e Johanesburgut, ku ndihej më shumë dallimi i racës, i ushtruar sistematikisht nga pasardhësit e boerëve krenarë që qeverisnin Vendin. Arrestohet për herë të parë më 1956, por del shpejt, mbas 15 ditësh. Kur kthehet në shtëpi nuk gjen të shoqen, që është larguar me fëmijët, e mërzitur nga flertet e të shoqit me gra të tjera. Atëherë njeh infermieren Winnie Madikizela, me të cilën qëndron i martuar për 38 vjet (1958 – 1996). Më 1960 arrestohet dhe qëndron vetëm pesë muaj në burg. Kur lirohet del në klandestinitet, duke themeluar “Heshtën e Kombit”, krahun e armatosur të Anc, lëvizjes kundër dallimit racial në Afrikën e Jugut. Mandela filloi veprimtarinë e tij kundër strukturave ushtarake të regjimit, një veprimtari që binte ndesh me ligjet në fuqi e quhej subversive. U arrestua përsëri më 5 gusht 1962, u dënua me burgim të përjetshëm, 17 vjet prej të cilit i kaloi në burgun e ishullit Robben Island. U lirua nga burgu më 1990, me një vendim të posaçëm të Kryetarit të Shtetit Frederik de Klerk.
Njëzet e tetë vite burg kishin ndryshuar botëkuptimin e Mandelës, që nuk ishte më revolucionari i aksioneve guerile, që kërkonte të shembte sistemin. Kishte kuptuar se të bardhët e të zinjtë duhej të bashkëjetonin në atdheun e përbashkët, se duhej gjetur rruga e marrëveshjeve, e paqes, për të ndërtuar demokracinë, në një Vend me shumë probleme, ku kundërshtia racore ishte shumë e theksuar.“Të bardhët janë bashkëqytetarët tanë, kush heq dorë nga dallimi racial do të mirëpritet në luftën e përbashkët për demokracinë”. Kështu u shpreh sapo doli nga burgu. U hap kështu një epokë e re në historinë e Afrikës së Jugut me moton: “Asnjë hakmarrje, jemi një fuqi e disiplinuar për paqen.” Ishte fillimi i ringjalljes së kombit që vinte mbas dhjetëvjeçarësh lufte, urrejtjesh, dhunimesh të të drejtave, të pësuar nga popullsia me ngjyrë e atij Vendi. Komisioni i Nobelit i dha atij, së bashku me Kryetarin e bardhë De Klerk, çmimin për mbrojtjen e paqes, ndoshta një ndër më të merituarit në historinë njëshekullore t’atij vlerësimi.
Më 1994, në 23 milionë votues, Mandela u zgjodh Kryetar Shteti, i pari i llojit me ngjyrë, por vazhdoi të bashkëpunojë me Kryetarin e mëparshëm, që u bë zëvendës i tij. Kreu mandatin më 1999 dhe nuk kërkoi një të dytë. Gjatë kësaj kohe ndahet nga gruaja e dytë dhe bashkohet me të venë e Presidentit të Mozambikut, Samora Mashel, Graçën, e vetmja grua në histori, e martuar me dy Kryetarë shtetesh. Më 2004, në moshën 86 vjeçare, tërhiqet në jetën vetiake e familjare. Me pak fjalë kjo ishte jeta e Nelson Mandelës, një burri shteti që sot kujtohet me respekt në gjithë botën. Arsyeja është se, me gjithë botkuptimin e tij të majtë, madje revolucionar në rininë e tij, u bë emblemë e paqtimit kombëtar, luftëtar i vendosur kundër dhunës, në çdo formë të saj, flamurtar i demokracisë, i tolerancës, i faljes, në një Vend që kishte njohur faqet më të errëta të kundërvënies racore, duke u bërë personaliteti më i spikatur në historinë e popullit të tij dhe shëmbull i shkëlqyer i shtetarit largpamës e të vetëdijshëm për ndërtimin e një shoqërie të drejtë e njerëzore në parimet bazë të saj.
Vepra e tij u vlerësua në Perëndim e në Lindje, në Veri e në Jugë, nga miqtë e nga kundërshtarët, që nga ish Presidenti De Klerk tek Presidenti Clinton, nga Fidel Kastro tek Muamar Gedafi, nga Mbretëresha e Anglisë, së cilës i drejtohej me emër, tek presidenti Bush, tek Kancelarja Merkel, tek Presidenti Ciampi e shumë të tjerë. Në një botë që, mbas rënies së Murit të Berlinit, u duk se do të shkonte drejt një paqtimi të përgjithshëm, ku vlerat e lirisë e të demokracisë së popujve duhet të ishin parësore, mendimi politik dhe veprimtaria shtetërore e Mandelës u ngritën në një simbol të një politike të re, që nuk shihte në përdorimin e dhunës kyçin e zgjidhjes së problemeve të një shoqërie që, deri atëherë, ishte njëjtësuar me atë dukuri, duke shkaktuar qindra e mijra tragjedi njerëzore. Këtu qëndron madhështia e atij biri të thjeshtë t’atij populli, që u ngrit mbi të gjithë bashkëkohësit e tij, duke arritur maja që mund të krahasohen me ato të rrallat, profetiket a atyre që kanë ndriçuar rrugën e njerëzimit. Mandela nuk u mjaftua me shpalosjen e bindjeve të tij, por në sajë të autoritetit që i jepte martirizimi i tij i gjatë, arriti t’i verë në jetë së bashku me De Klerkun, duke shmangur kundërshtitë e gjata mes banorëve të bardhë e të zinj të atdheut të tyre. Këtë nuk e bëri për të marrë e mbajtur sa më gjatë pushtetin, siç kanë bërë shumica dërmuese e drejtuesve të lëvizjeve antikoloniale, apo të revolucioneve e grushteve të shtetit të Vendeve të Botës së Tretë. Pushteti për të nuk ishte mjeti për t’u hakmarrë ndaj gjithshkaje të zezë kishte pësuar ai dhe populli i tij, por instrumenti për të vënë në jetë idealet e tij të lirisë, të barazisë e të demokracisë, që do të kishin fushë zbatimi në një Vend që do t’a mbyllte të kaluarën e tij me një shpirt të fuqishëm tolerance, faljeje të ndërsjelltë e një përftyrese të një shoqërie, ku nuk duhej të shfaqeshin më dhuna dhe shkelja e të drejave dhe lirive për asnjërin nga antarët e saj.
Ja sepse Bota e sotme, në një zë, merr pjesë në hidhërimin e Afrikës së Jugut, që kthehet n’atë të gjithë njerëzimit, sepse mesazhi i tij mbetet si një yll që ndriçon këtë të fundit, edhe sot nevojtar për fuqinë dhe largpamjen e tij. Ndoshta , më shumë se të tjerët, kemi nevojë ne, shqiptarët, për atë porosi, ne që natyra nuk na dhuroi në 70 vitet e fundit një personalitet largpamës e bujar si Mandela në jetën tonë shoqërore e politike. Ne dallimin rracial nuk e kishim njohur, sepse ishim të gjithë bij të një rrace të lashtë, por huajtëm nga arsenali më kriminal i ideologjisë komuniste dallimin klasor, e përvehtësuam duke bërë një hop cilësor e duke e quajtur “luftë e klasave”, e zbatuam me rreptësi doktrinare e shpirtngushtësi proverbiale, e shtrimë në kohë duke synuar t’a bëjmë të përjetëshme, duke paragjykuar jetën e tre brezave e martirizimin e pjesës më të mirë të shoqërisë. Qemë të fundit në Evropën e sotme që pranuam ndryshimin e kohëve dhe dështimin e sistemit të dhunës, por nuk patëm as aftësinë, as guximin dhe as ndershmërinë të kryejmë sinqerisht shndërrimin e shoqërisë.
Hendeku ndërmjet të shtypurve e shtypësve të djeshëm u thellua, sepse të parët mbetën të varfër siç ishin, ndërsa të dytët u pasuruan në mënyrë marramendëse. Të dytët u rinuan në paraqitje, duke kaluar në një “pleqëri t’artë” shtabin e diktaturës gjysëm shekullore, me në krye hienën Alia, përsosën metodat e demagogjinë për t’u bërë të pranueshëm nga Arvizu apo Sequi i rradhës, por, në thelb, ruajtën “urrejtjen klasore”, së bashku me përçmimin dhe kënaqësinë që “Enveri i kishte lënë pa shkollë kundërshtarët”. Përfundimi qe se proçesi i markës mandeliano – deklerkiane në Shqipëri nuk filloi kurrë, as në rradhët e partisë që merrte votat e ish të shtypurve, as në rradhët e “kundërshtarëve” të saj që, me arrogancën kriminale të trashëguar, hodhën poshtë çdo kërkesë të ligjëshme të tyre, n’emër të parimit të shpallur nga Ramizi se “Shqipëria u takon atyre dhe bijve të tyre”.
Sa larg nga heroi i Afrikës së Jugut, që mbeti simbol i prirjes për të ndërtuar një shoqëri pa dhunë, pa urrejtje, pa shtypje, pa mungesë lirie e oportuniteti për të gjithë qytetarët e saj, prirje për të cilën ai vihet sot në piedistalin më të lartë të kujtesës historike të njerëzimit, edhe se varroset në një lëndinë të thjeshtë të një fshati të vogël të Afrikës së Jugut.
“Kam luftuar mbizotërimin e të bardhëve e mbizotërimin e të zinjve. Kam përkëdhelur idealin e një shoqërie të lirë e demokratike, në të cilën mund të jetojnë të gjithë në harmoni e me të njëjtët oportunitete. Është një ideal që shpresoj t’a shoh të sendërtuar, nëse do të jetoj gjatë. Por nëse do të jetë e nevojshme, është një ideal për të cilin jam gati edhe të vdes.”
Kjo ishte besojma e Mandelës, që sot gjëndet në të gjitha gazetat e botës, si mesazhi madhor i tij në dobi, jo vetëm të popullit të tij, por të gjithë njerëzimit. Uroj që të përvehtësojë një pjesë të vogël të këtij mesazhi dhe klasa politike shqiptare, aq e mangët në ide dhe synime të larta e ideale, të rrezatojë diçka nga “drita e madhe që u shua në botë”, simbas britanikut Cameron.
Eugjen Merlika