in

Meta i pafajshëm. Dritë-hijet e një procesi të pazakontë

Të hënën u dha vendimi në njërin nga proceset gjyqësore më të ndjekura vitin e kaluar në Shqipëri. Politikani Ilir Meta u shpall i pafajshëm. Por çfarë nënkupton i gjithë procesi për shoqërinë shqiptare?

Një analizë e Deutsche Welle-s, e shkruar nga Vilma Filaj-Ballvora, jep domethëniet e ndryshme të procesit ndaj Ilir Metës. Sipas DW, ky proces ishte i rëndësishëm jo vetëm për të mësuar fajësinë apo jo të Ilir Metës, por veçanërisht “për sfidën e korrupsionit, dhe mënyra se si përballet me të shoqëria në Shqipëri. Ndonëse vendimi u dha çështja mbetet e hapur dhe për opinionin shumë pikëpyetje nuk kanë marrë ende përgjigje. Çështja Meta ka lënë gjurmë në jetën politike e shoqërore të Shqipërisë, sepse ishte pikërisht ky rast prej nga mori shkas një nga protestat më famëkeqe në vend, ajo e 21 janarit 2011”.

DW kujton se i pandehuri, i shpallur i pafajshëm, Ilir Meta ka mbajtur postet më të rëndësishme në ekzekutivin shqiptar duke qenë madje edhe kryeministër, dy herë zëvendëskryeministër, ministër i Jashtëm dhe i Ekonomisë. Ai është më shumë i njohur në jetën politike shqiptare me qëndrimet e tij konfliktuale me Partinë Socialiste, që çuan si rrjedhojë në krijimin e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Pozicionimet mjaft elastike, por të diskutueshme të Metës bënë që ai të luajë rolin përcaktues në zgjedhjet e fundit parlamentare. Deri më sot nuk janë të qarta kompromiset politike dhe ideologjike që iu desh të bëjë LSI-së për të hyrë në një koalicion të pazakontë me një forcë të djathtë.

LSI-ja, që rëndom quhet partia e Metës, çka dëshmon për dominancën që ai ka në këtë grupim politik, arriti të marrë një përfaqësim shumë më të lartë në qeverisje, nga sa do t’i takonte aritmetikisht nisur nga numri i kufizuar i deputetëve që ka në parlament.

Ndaj, shpjegon DW, “një proces gjyqësor kundër një figure të tillë do të meritonte një vëmendje shumë më të madhe”.

“Një vit i gjatë hetimesh, përfshirë edhe ekspertë që analizuan për vërtetësinë e videos, u shoqërua me akuza të ndërsjellta jo vetëm mes protagonistëve, por më tej midis kampeve politike, deri edhe me institucionet e prokurorisë, gjykatës dhe ekzaminuesve teknikë. – vë në dukje DW – Një fakt ky që tregon se institucionet shqiptare janë akoma larg të qenit të pavarura në punën e tyre. Rrethana të tilla hedhin dritë-hije në profesionalizmin e trajtimit të çështjes.

Deutsche Welle, arrin në përfundimin se “Me shpalljen e Ilir Metës i pafajshëm, ai arriti de juro një fitore personale dhe po ashtu koalicioni qeverisës mund të vazhdojë ta mbajë pushtetin duke përfshirë edhe Metën në trupën e vet. Nga ana tjetër në shoqërinë dhe politikën shqiptare do të mbeten më shumë pyetje dhe dilema se deri më sot. Korrupsioni në dhjetë vitet e fundit është ulur këmbëkryq në shoqërinë shqiptare. Madje edhe vetë qeveritë e pranojnë atë si të mirëqenë duke e cilësuar luftën kundër tij si shumë të vështirë dhe deri më tani jo efikase. Vendimi i marrë të hënën është de facto një dënim kundër Dritan Priftit për akuzë të rreme, madje edhe më shumë se kjo, për mashtrim dhe manipulim. Megjithatë ky i fundit zor se do të pranojë të heshtë ndaj një verdikti të tillë, që edhe pse jo de juro, i jep atij një ngarkesë të rëndë sidomos në sytë e votuesit shqiptar”. 

Ndonjë aspekt pozitiv i kësaj çështjeje? “Procesi Meta pati një risi, faktin që për herë të parë prokuroria me pretencën e saj arriti t´i kërkojë gjykatës dënimin me burgim për kryetarin e një partie, që është aktualisht në koalicion qeverisës. Por më e rëndësishme është se si do ta perceptojë shoqëria shqiptare si çështjen Meta, ashtu edhe verdiktin e drejtësisë”.

Arrestohet një shqiptar për favorizim të trafikut të klandestinëve

Më pak radhë e më shumë vetëcertifikime. Edhe për imigrantët