in

Ministri Ahmetaj ambasadorit italian: Hiqni taksën për transportuesit tanë

Ministri Arben Ahmetaj e quan “trajtim diskriminues të transportuesve shqiptarë” aplikimin edhe sot e kësaj dite të taksës që transportuesit shqiptarë paguajnë në rrugët e Italisë sipas një ligji italian të vitit 1956. Shoqata e transportuesve ANALTIR: “Kompanitë shqiptare të transportit paguajnë në vendin fqinj taksa të qarkullimit dhe peshës në tarifa 9 herë më të larta se kompanitë e vendeve të tjera”

Tiranë, 7 nëntor 2014 – Në kuadrin e paketës së masave në mbështetje të bizneseve fason që po përpilon qeveria shqiptare, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj u shkruan ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin, dhe ambasadorit të Italisë, Massimo Gaiani, duke kërkuar eliminimin e “taksës fikse” që transportuesit shqiptarë paguajnë në rrugët e Italisë, problem ky i ngritur nga vetë bizneset.

“Transportuesit rrugorë shqiptarë në territorin italian janë subjekt i pagesës së “taksës fikse” në përputhje me ligjin italian nr. 1146 datë 28/12/1956. I njëjti ligj gjithashtu parashikon që, në kushte të caktuara, (reciprociteti në trajtimin tatimor apo nevojave të trafikut), mund të bëhen përjashtime nga kjo taksë, me dekret të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave në marrëveshje me atë të Infrastrukturës dhe Transportit të Republikës Italiane”, – shkruan Ahmetaj në letrën që mban datën 24 tetor 2014.

Më tej ministri vë në dukje se “në takimet dypalëshe të niveleve të larta, çështja është parashtruar vazhdimisht për zgjidhje urgjente dhe përfundimtare, duke theksuar nevojën e shmangies së trajtimit diskriminues të transportuesve shqiptarë”.

Ministri Arben Ahmetaj e mbyll letrën e tij duke kërkuar mbështetjen e diplomatëve, për eliminimin nga autoritetet italiane të “pagesës së “taksës fikse” për transportuesit rrugor shqiptarë në territorin italian”.

Plot një vit më parë, problemi u ngrit edhe në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese të Kuvendit të Shqipërisë, në një seancë dëgjimore me Shoqatën Shqiptare të Transportit Ndërkombëtar Rrugor, (ANALTIR). Edhe asokohe, përfaqësuesit e ANALTIR vinin theksin në problemet që kompanitë shqiptare të transportit hasin kryesisht në Itali. Një ndër çështjet më të mprehta, që sipas tyre kërkon një adresim dhe zgjidhje të menjëhershme ka të bëjë me aplikimin nga autoritetet e vendit fqinj të taksave të larta për shoferët dhe kompanitë shqiptare të transportit. “Kompanitë shqiptare të transportit paguajnë në vendin fqinj taksa të qarkullimit dhe peshës në tarifa 9 herë më të larta se kompanitë e vendeve të tjera” u shprehën përfaqësuesit e ANALTIR përpara Komisionit parlamentar.

Letra e ministrit Ahmetaj drejtuar ambasadorëve të Italisë dhe BE-së:

Parahistoria e luftës dhe e “çlirimit”

Si u përjetua në Tiranë rënia e Murit të Berlinit