in

Si u përjetua në Tiranë rënia e Murit të Berlinit

Nga Blendi FEVZIU

E enjte, 9 nëntor 1989

Filmi u ndërpre pa asnjë njoftim dhe në ekran u shfaq sigla e telegiornales e shoqëruar me diçiturën Straordinario. Një të tillë mbaja mend nga fëmijëria ime, thuajse 11 vjet më parë kur në Romë kish vdekur papa. Instiktivisht u ngrita në këmbë. Pata një parandjenjë që po merrte formë ndërsa spikeri, me një ton të nxituar, por edhe tejet entuziast po njoftonte se Portat që ndanin Berlinin Lindor nga ia Perëndimor qenë hapur papritur; se qytetarët lindorë kishin dalë në perëndim; se ata ishin me qindra mijëra dhe se e gjithë kjo kish marrë pamjet e një feste. U lidhën në çast me Berlinin.

Një gazetar qëndronte në taracën e një hoteli që me gjasë ishte ai që quhet Aldon Kempinski dhe e filloi raportimin me fjalën: ajo që e prisnin prej 28 vitesh ka ndodhur! Muri i Berlinit ra.

Im atë lëshoi një gjysmë klithmë dhe gjysmë psherëtimë, ndërsa daja dhe ime më u ngritën në këmbë instiktivisht si unë. Dhoma e vogël kërciti dhe në moment ne u kujtuam se poshtë nesh ishte një polic dhe entuziazmi ynë nuk duhej të kuptohej apo dallohej prej tij.

Ishim të gjithë në këmbë. Kish ndodhur! Pas Polonisë dhe Hungarisë, kish rënë edhe Gjermania Lindore dhe ky ishte konfirmimi se nuk kishte më kthim mbrapa. Gazetari italian po deklaronte pikërisht këtë. Muri i Berlinit ishte simbolik dhe shembja e tij, kish grisur perden e hekurt që ish vendosur në Europë që nga viti i largët, 1945.

Njëri pas tjetrit po shfaqeshin në ekran liderët europianë. Disa kishin dalë në konferenca shtypi në mbrëmje vonë, të hutuar, të befasuar dhe pse jo me një ndjenjë habie. Dukej se rrënimi i lindjes, rrënimi që ata e kishin besuar dhe pritur 44 vjet, i kish gjetur të papërgatitur pikërisht në momentin që kish ardhur. Tani përshpërsinin diçka të paqartë, ndërsa entuziazmi në këmbët e Murit nuk kishte asnjë mundësi të përshkruhej. Pritja e gjatë e kish bërë atë më të pabesueshme dhe tani që kish ndodhur, gjithkush donte të besonte se kjo nuk ndodhte vetëm për të. Ndodhte edhe për ata miliona njerëz që nuk jetonin më, prindër apo të afërm që e  kishin pritur këtë ditë.

Ngjarja po detajohej nga një lajm në tjetrin, por një gjë nuk kuptohej qartë. E gjitha kish nisur pas një deklarate të Zëdhënësit të Qeverisë Gjermano Lindore, anëtarit të Byrosë Politike, Gynter Shabovski. Në fund të një mbledhjeje të Byrosë, Shabovski kish dalë në konferencë shtypi dhe pyetjet së një gazetari për lëvizjen e lirë të gjermano lidorëve i qe përgjigjur. Ne sot, vendosëm që mos ta ndalojmë atë. çdo qytetar i yni mund të lëvizë pa leje speciale, thjeshtë duke paraqitur një dokument në kufi.

Kur hyn në fuqi, ky vendim?” e pyeti një gazetar italo-gjerman?

Në dijeninë timë që tani” u përgjigj Shabovski.

Ishte fraza që do të përmbyste Europën Lindore!

Deklarata e Shabovskit u dha direkt në disa televizione të Gjërmanisë Perëndimore, por në 20.00, afro një orë më vonë, u dha edhe në edicionin qëndror të lajmeve të televizionit shtetëror të RDGJ – së.

Të entuziazmuar dhe të sigurtë se ndryshimi kish ndodhur, mijëra e mijëra qytetarë, një turmë gjithnjë në rritje, qe mbledhur në portat kufitare të Murit, që e ndanin nga lindja. Përtej, me mijëra gjermano perëndimorë, qenë afruar po ashtu.

Rojet lindore, nuk kishin urdhër që ti lejonin të kalonin, por edhe ata kishin parë deklaratën në Tv. Kërkuan urdhër të dytë, por nuk ju erdhi. Në këtë moment ndodhi magjia. Një vajzë  e re, 22 vjeçare, u afrua tek roja i fundit, e puthi në faqe, largoi pengesën dhe vijoi për në perëndim. Mijëra vetë brohoritën dhe e ndoqën pas. 5 minuta më vonë, disa mijëra vetë kishin kaluar në anën tjetër dhe përqafoheshin me qytetarët gjermano perëndimorë që ju ofronin atyre pije perëndimore dhe monedha për të folur në telefonat publikë.

E gjitha kjo vinte në dhomën tonë të vogël e shumëfishuar nga entuziazmi ynë dhe besimi se tashmë Shqipëria ish në një rrugë pa kthim. Besimi që stërgjyshet e mia kishin ruajtur për vite e vite me rradhë dhe bindja e tyre se komunizmi ish diçka e keqe dhe si çdo e keqe do të ikte po triumfonte.

Nuk e di kur kam fjetur atë natë. Të nesërmen u ngrita herët në mëngjes dhe po tentoja të dëgjoja në radio diçka. Ajo që kish ndodhur ish befasuese dhe e pashpjegueshme. Gynter Shabovski nuk kish pasur autorizim për atë deklaratë dhe vendimi i Byrosë politike për lëvizjen e lirë, kish qenë vetëm një vendim që tentonte të qetësonte situatën e ndezur në Leipzig dhe t’i jepte shpresë qytetarëve.

Përse e bëri Gynter Shabovski atë deklaratë dhe cili ishte kuptimi i saj. Për 25 vjet me rradhë, edhe pse i dënuar me burg për genocid, edhe pse ka dhënë me qindra intervista ai asnjëherë nuk e ka sqaruar atë moment. Siç ndodh shpesh me momentet e mëdha që prodhohen nga rrethana të paqarta, as Shabovski nuk e ka menduar atë që do pasonte deklaratën e tij. Ka dashur të tregohet sa më i hapur dhe liberal, pa e kuptuar se po prodhonte jo një lajm, por një revolucion paqësor, që do të përmbyste botën e vizatuar, 44 vjet më parë në Jaltë.

E premte, 10 nëntor 1989

“Muri i Berlinit ra”. Kjo ishte fraza e vetme që i shkruajta mbi një fletë të vogël, nga ato që përdoreshin për kërkimin e librave në Bibliotekën e Akademisë së Shkencave, Ben Blushit, me të cilin nuk isha takuar që mbasditen e djeshme. Kish ardhur me vonesë në leksionin e Ekonomisë politike, që për ironitë fatit ishte ai i socializmit dhe qe ulur ne bankën e parë ndryshe nga ditët e tjera.

“Kur? Honeker tha se do të rrijë aty edhe 100 vjet?”. Përgjigja e tij dukej se kishte ngut dhe që nga ai moment, nuk qe asnjë sekondë i vëmendshëm në mësim.

“Iku, ra”! Ju përgjigja sërish në një shkëmbim që zgjati thuajse 20 minuta dhe të cilin e gjeta rastësisht 18 vjet më pas, në mes të disa shënimeve të fakultetit.

Ora e mësimit ishte e gjatë dhe e lodhshme dhe profesori, një ish politikan i ardhshëm, Leontiev Çuçi, ndihej i bezdisur nga mërmërimat e studentëve. Isha i sigurtë se edhe ai e dinte atë që kish ndodhur, megjithëse, ngjarjet qenë rrokullyer me një nxitim të papritur dhe në Shqipërinë e izoluar, ngjarjet jo gjithnjë vinin në kohë reale.

Atë mëngjes, duke hyrë në mësim, kisha diskutuar me Andi Bushatin mbi rënien e Murit dhe reagimet tek drejtuesit komunistë, por ai më kishte thënë se nuk kish dëgjuar ende asgjë.

Ora mbaroi dhe bashkë me Ben Blushin, Andi Bushatin, Arian Dherin dhe një student të Italishtes, Agim Doksanin, u ulëm në bordurën e jashtme në oborr. Ishte një diell i qetë dhe grupi u bë befas prej më shumë se 10 vetësh. Qemal Hidri, një personazh i çuditshëm që gjendej kudo, por nuk e dija se me se merrej, Armand Shkullaku, student i frëngjishtes dhe shok i Bushatit, një tjetër student frëngjishteje nga lezha, Pirro Thanasi e Naim Hysi nga letërsia dhe dy tre të tjerë.

Pirro Thanasi dukej i ekzaltuar dhe fliste papushim për pamjet tronditëse që kishte parë një natë më parë. Hapja e Murit dukej se e kishte tronditur Tiranën përfundimisht. Rënia e Hungarisë, hapja e Polonisë, ikja e turistëve gjermano – lindorë drejt perëndimit kishin qenë lajme disi të largëta, pa ndonjë ndikim të thellë. Ngjarjet e Leinzigut dhe tre ditët qqë paraprinë hapjen e Murit e kishin shënjuar qytetin fort. Prej 3 ditësh kishim jetuar me të dhe deklarata e Gorbaçovit se BS nuk do të ndërhynte në zhvillimet e brendshme gjermano lindore, kish ngjallur një klimë tjetër. Muri i Berlinit po diskutohej gjatë dhe deklarata e Egon Krenz që kishte zëvendësuar Honekerin se: muri do jetë aty edhe 100 vjet, dukej se i kish qetësuar gjakrat. Pak orë më vonë, Muri qëndronte sërish aty, por ai nuk ruante më funksionet e tij, ishte thjeshtë një stoli…

Ishte hera e parë që sporti nuk ekzistonte më. Tirana po jetonte me një ngjarje që e prekte thellë dhe unë nuk ngopesha së dëgjuari gjithçka që thuhej aty. Hamendje, hipoteza, parashikime, komente, konsiderata. Ishte një temë për të cilën duhej folur. Natyrisht, asnjë prej atyre 9-10 vetëve që ishin aty, nuk e dinte se padashur, ky ndryshim që kish ardhur në orën e vonë të një natë më parë, do transformonte apo do shënjonte thellë jetën e tyre bashkë. Ben Blushi, Andi Bushati, Armand Shkullaku, Skënder Minxhozi, Andi Bejtja apo të tjerë që vërtiteshin në atë oborr po hynin pa ditur në një jetë të re, në një kohë që do shënjonte thellë karrierën e tyre më pas.

Në mesditë, tek bordura përballë hotel Dajtit flitej vetëm për këtë gjë. Ishte vetëm kjo bisedë dhe e panjohura që ajo linte pas…

Shkrimi është botuar në Lapsi.al, i shoqëruar edhe një galeri të pasur fotografike (shtyp këtu për ta parë)

Ministri Ahmetaj ambasadorit italian: Hiqni taksën për transportuesit tanë

Federara zvicerane e futbollit ndalon festimet tepër “shqiptare” të Xhakës dhe Kasamit