in

Ministri Riccardi: “Leje qëndrimi për një vit, për imigrantët në kërkim të punës”

“Përndryshe, do të kthehen në klandestinë ose Italia do të humbasë punonjës tashmë të integruar. Lidhur me shtetësinë, do të mbështesim idetë që mund të hidhen në parlament. Duhet të mbizotërojë një lloj ius culturae”

Romë, 11 janar 2012 – Të zgjatet deri në një vit kohëzgjatja e lejes së qëndrimit për kërkim pune për të mos lejuar që gjithnjë e më shumë imigrantë të rregullt të kthehen në klandestinë. Është një nga objektivat e paralajmëruar sot nga ministri i Integrimit Andrea Riccardi gjatë një seance dëgjimi në Komisionin e Çështjeve Kushtetuese të Dhomës së Deputetëve.

“Punonjësit e huaj – është shprehur Riccardi – në rast se humbasin vendin e punës, mund të qëndrojnë në territorin italian për të gjetur punë të re për një periudhë që shkon deri në gjashtë muaj. Isha në provincën e Casertas dhe konstatova shtimin e imigrantëve që kanë lejen e qëndrimit në prag të skadencës”.

“Është e domosdoshme të mos lejohet që situata aktuale të rëndojë mbi integrimin: duhet të zgjatet periudha e qëndrimit për kërkim pune deri në të paktën një vit. Do të diskutoj këtë gjë me ministrin e Brendshëm”. Përndryshe, sipas ministrit, vendi rrezikon “të humbasë punonjës që janë tashmë të integruar”.

Riccardi ka folur edhe për reformën e shtetësisë, veçanërisht përsa u përket brezave të dytë, dhe e ka konsideruar “me vend rihapjen e kësaj teme, veçanërisht për të trajtuar aspektin e fundit”. “Qeveria do të mbështesë atë çka do të arrihet në Parlament” ka shtuar ministri duke paralajmëruar ngritjen e një Komisioni pranë ministrisë së tij që të studiojë projektet “e shumta dhe interesante” të paraqitur deri tani në Parlament.

“Duhet të mbizotërojë një lloj “ius culturae” – ka shtuar ministri – sepse këta të rinj janë rritur mes kulturës italiane; në bankat e shkollës ka shumë e shumë fëmijë të huaj që flasin jo vetëm italisht por edhe në dialekt”.

 

“Nevojiten krematoriumet”. Legisti Aicardi hetohet për racizëm

Come funziona l’autocertificazione?