in

Ministria e Brendshme: Sanatoria vetëm për klandestinët në Itali

Nuk mund të shpresojnë te kjo sanatore për të marrë lejeqëndrim për punë punonjësit e huaj që edhe pse janë të punësuar në mënyrë të parregullt, gjithsesi e kanë një leje qëndrimi si ajo për kura mjekësore, apo për studime, për punë stinore, për pritje azili politik që nuk u lejon të punojnë

Romë, 3 gusht 2012 – Ministria e Brendshme, me qarkoren nr. 6410 të 27 korrikut 2012, ka dhënë disa sqarime lidhur me dekretin legjislativ nr. 109 të 16 korrikut, që duke pranuar një direktive europiane mbi ashpërsimin e sanksioneve për ata që u japin punë të parregullt punonjësve jokomunitarë me qëndrim të parregullt ka parashikuar edhe një normë kalimtare për legalizimin e këtyre marrëdhënieve pune, e për rrjedhojë pajisjen me dokumente qëndrimi të të huajve.

Shumë nga sqarimet e ministrisë nuk janë tjetër veçse përsëritje e parimeve që përmban dekreti. Kështu për shembull, në qarkore thuhet:

– Kërkesa e legalizimit do të paraqitet nga 15 shtatori deri më 15 tetor 2012 sipas një prcedure që do të përmbahet në një dekret ndërministror që do të dalë së shpejti;

– Marrëdhënia e punës së parregullt duhet të ketë nisur të paktën tre muaj përpara ardhjes në fuqi të ligjit, pra më 9 maj 2012 por punonjësi për të cilin do të kërkohet legalizimi duhet të ketë qenë në Itali prej të paktën 31 dhjetorit 2011.

Por mes të gjitha sqarimeve një është veçanërisht i rëndësishëm: qarkorja e 27 korrikut specifikon se “deklarata e legalizimit të marrëdhënies së punës do të mund të bëhet vetëm për punonjësin e huaj me qëndrim të parregullt në Itali”, pra që është klandestin. Ndërsa dekreti legjislativ u referohej punonjësve të huaj të pranishëm në territor (pra edhe titullarëve të lejeve të veçanta të qëndrimit që nuk parashikojnë që titullari të punojë, ose të punojë vetëm pak orë në jave, apo edhe në pritje të përtëritjes).

Kjo do të thotë që do të mbeten jashtë kësaj sanatoreje (apo legalizim) të gjithë punonjësit e huaj që janë titullarë të një lejeqëndrimi që nuk u lejon të punojnë e që nuk mund të konvertohet lehtë në një leje për punë. Kjo do të thotë që, për shembull, kush punon në të zezë por ka një leje qëndrimi për punë stinore, për kura mjekësore, për studime, apo për pritje të njohjes së statusit të azilit politik nuk mund të përfitojë nga kjo sanatore e të fusë në xhep lejeqëndrimin për punë. Do të mbeten po ashtu jashtë lealizimit të gjithë ata që kanë në dorë kuponin që vërteton paraqitjen e kërkesës për lejeqëndrimin e parë apo për përtëritjen e tij.

Me pak fjalë, vetëm kush nuk e ka pasur asnjëherë lejen e qëndrimit apo nuk ka kërkuar përtëritjen brenda kohës së duhur, mund të përfitojë nga legalizimi e të marrë lejen e qëndrimit për punë (natyrisht nëse përmbush të gjitha kriteret e tjera).

Avv. Mascia Salvatore

Një i punësuar shqiptar në Itali fiton sa 4,7 shqiptarë në atdhe

Capo d’Otranto Sekuestrohen 122 kg marijuhanë, arrestohen dy skafistët