Në rubrikën e re Diaspora të faqeve internet të Presidentit të Shqipërisë mund të bashkohesh me rrjetin “Miqtë e Shqipërisë” për të dhënë emrin e një personi të shquar ose emrin e një shoqate të spikatur. Por rubrika duhet të ndihmojë edhe “në evidentimin e preokupimeve dhe problemeve kryesore që kërkojnë një angazhim konkret të institucioneve të shtetit shqiptar për zgjidhjen e tyre”, siç premton presidenti Nishani
Romë, 12 prill 2013 – Në këtë prag zgjedhjesh, klasa politike shqiptare duket se është kujtuar për rëndësinë e emigracionit e të diasporës. Së fundi edhe presidenti Nishani, që më 11 prill ka lajmëruar në faqen internet zyrtare të Presidencës së Shqipërisë ndërmarrjen e një nisme për krijimin e një platforme komunikimi e bashkëpunimi mes institucionit të drejtuar prej tij të gjithë bashkëkombësve si dhe organizatave të diasporës shqiptare kudo që ndodhen.
Nga 11 prilli në faqen internet të presidentit është shtuar rubrika e re me emrin Diaspora që fton lexuesit të bashkohen me rrjetin “Miqtë e Shqipërisë”. Siç shpjegon vetë presidenti me një deklaratë “rubrika do të ketë për qëllim të evidentojë figurat dhe organizatat më të spikatura të shqiptarëve në diasporë si dhe të gjithë miqtë e Shqipërisë në botë për t’i vlerësuar me tituj dhe dekorata të ndryshme si një shembull dhe imazh shumë pozitiv për vendin tonë”.
Në fakt, po të hysh në rubrikën e Diasporës të jepen dy opsione: mund të bashkohesh me rrjetin Miqtë e Shqipërisë për të dhënë emrin e një personi të shquar ose për të dhënë emrin e një shoqate të spikatur me përmbushjen e një formulari të paraprirë nga lutja: “na sugjeroni se cilët janë bashkatdhetarët dhe shoqatat e Shqiptarëve më të spikatura jashtë vendit që do të vlerësohen dhe mund të dekorohen nga Presidenti i Republikës për veprimtarinë e tyre të shquar”.
Duket se Institucioni i Presidentit të Shqipërisë po ngre një regjistër emrash të njohur të diasporës sepse, siç shprehet Nishani, “është detyrë shumë e rëndësishme për shtetin Shqiptar që të harmonizojë dhe të koordinojë potencialin e gjithanshëm që zotërojnë shqiptarët e diasporës dhe miqtë e vendit tonë duke frymëzuar dhe mundësuar krijimin e “Rrjetit të Miqve të Shqipërisë” në botë si një mbështetje mjaft e çmuar në interes të përparimit te vendit dhe të kombit tonë”.
Por nga ana tjetër, veç evidencimit të integrimit e të arritjeve të diasporës shqiptare në vendet pritëse, gjithnjë sipas deklaratës së Presidentit, “kjo rubrikë do të ndihmojë edhe në evidentimin e preokupimeve dhe problemeve kryesore që kërkojnë një angazhim konkret të institucioneve të shtetit shqiptar për zgjidhjen e tyre”, gjë që nuk është e qartë se si do të arrihet, pasi të vetmet gjëra që mund të bësh duke iu bashkuar “Rrjetit të Miqve të Shqipërisë” janë të lartpërmendurat, dhënia e emrit të shoqatës dhe të personit të spikatur. Ndoshta duke u telefonuar apo duke u shkruar mail dy ndihmësve të presidentit, Çlirim Çepani dhe Ilir Marleka, kontaktet e të cilëve jepen në rubrikë. Dhe problemet e emigrantëve shqiptarë nuk janë të pakta: nga pensionet te mësimi i gjuhës shqipe fëmijëve, nga marrëdhëniet me përfaqësitë konsullore e drejta e votës. Dhe nëse presidenti thotë se është “plotësisht i angazhuar që në të gjitha takimet zyrtare jashtë vendit si dhe në vizitat e tjera të pjesëmarrjes në veprimtaritë e ndryshme të kontaktojë rregullisht dhe të shkëmbejë mendime sa më frytdhënëse për arritjen e objektivave të kësaj nisme”, kujtojmë që Kushtetuta shkon më tej e parashikon që “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet”.
Shqiptari i Italisë
Deklarata e plotë e presidentit Nishani e botuar në faqen zyrtare:
Të nderuar bashkatdhetarë,
Të nderuar miq të Shqipërisë,
Nisur nga rëndësia e veçantë që ka potenciali i madh njerëzor, kulturor, shkencor dhe financiar i gjithë shqiptarëve në diasporë që përbën një mbështetje të fuqishme për të gjitha proceset e zhvillimit demokratik, ekonomik dhe social të Shqipërisë jam shumë i nderuar të ndërmarr nismën e ngritjes së platformës së komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucionit që unë drejtoj dhe të gjithë bashkëkombësve të mi si dhe organizatave të diasporës shqiptare kudo që ndodhen.
Në këtë kuadër, kam nderin dhe kënaqësinë t’ju njoftoj për fillimin e kësaj nisme me hapjen e rubrikës së dedikuar në mënyrë të veçantë për Diasporën Shqiptare në faqen zyrtare të internetit të Institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Kjo rubrikë do të ketë për qëllim të evidentojë figurat dhe organizatat më të spikatura të shqiptarëve në diasporë si dhe të gjithë miqtë e Shqipërisë në botë për t’i vlerësuar me tituj dhe dekorata të ndryshme si një shembull dhe imazh shumë pozitiv për vendin tonë.
Përveç evidentimit të arritjeve që kanë shqiptarët e diasporës sonë në fushën e integrimit në vendet ku ata punojnë dhe jetojnë, kjo rubrikë do të ndihmojë edhe në evidentimin e preokupimeve dhe problemeve kryesore që kërkojnë një angazhim konkret të institucioneve të shtetit shqiptar për zgjidhjen e tyre.
Është detyrë shumë e rëndësishme për shtetin Shqiptar që të harmonizojë dhe të koordinojë potencialin e gjithanshëm që zotërojnë shqiptaret e diasporës dhe miqtë e vendit tonë duke frymëzuar dhe mundësuar krijimin e “Rrjetit të Miqve të Shqipërisë” në botë si një mbështetje mjaft e çmuar në interes të përparimit te vendit dhe të kombit tonë.
Janë plotësisht të mirëpritur të gjithë bashkëqytetarët dhe bashkëkombësit tanë që të evidentojnë dhe të përcjellin pranë kësaj rubrike të gjithë personat dhe shoqatat më të suksesshme në të gjitha fushat. Rubrika është e hapur për të gjitha llojet e kontributeve që janë të gatshëm të japin të gjithë përfaqësuesit e diasporës shqiptare pa dallim.
Në cilësinë e Presidentit të Republikës unë jam plotësisht i angazhuar që në të gjitha takimet zyrtare jashtë vendit si dhe në vizitat e tjera të pjesëmarrjes në veprimtaritë e ndryshme të kontaktoj rregullisht dhe të shkëmbej mendime sa më frytdhënëse për arritjen e objektivave të kësaj nisme.
Me shumë konsideratë dhe respekt,
Bujar NISHANI
President i Republikës së Shqipërisë