Me zgjedhjen e Nishanit president të vendit, kryeministri Berisha zgjedh jo vetëm një ministër të ri të Brendshëm por ndërron edhe titullarë të tre ministrive të tjera
Tiranë, 28 qershor 2012 – Kuvendi i Shqipërisë miratoi të enjten dekretet e emërimit të Presidentit të Republikës për disa ndryshime në kabinetin qeveritar, të propozuara nga kryeministri Sali Berisha.
Kuvendi miratoi dekretet e shkarkimit të Bujar Nishani nga posti i ministrit të Brendshëm, i cili u zgjodh në postin e Presidentit të Republikës; të z. Petrit Vasili nga detyra e ministrit të Shëndetësisë, të Nasip Naços nga posti i ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe të Edmond Haxhinasto, nga detyra e ministrit të Punëve të Jashtme.
Gjithashtu, me votat e deputetëve të maxhorancës Kuvendi miratoi emërimin e z. Flamur Noka në postin e ministrit të Brendshëm; të Vangjel Tavos, në postin e ministrit të Shëndetësisë, të Edmond Haxhinastos, zëvendëskryeministër, në postin e ministrit të Ekonomisë, të Tregtisë dhe të Energjetikës, si dhe të Edmond Panaritit, në postin e ministrit të Punëve të Jashtme.
Kuvendi rizgjodhi sot Nasip Naçon në postin e nënkryetarit të parlamentit, post të cilin e mbante para se të shkonte ministër i Ekonomisë.
Protestat e Aleancës KuqeZi
Para nisjes së seancës plenare, aktivistë të Aleancës deklaruan se emërimi i Vangjel Tavos në postin e ministrit, është një tradhti që bëhet ndaj Çamërisë, pasi po dërgohet në qeveri një ministër grek.
“Aleanca Kuq e Zi denoncon me forcë sot provokimin e radhës që kryeministri Berisha i bën qytetarëve shqiptarë. Në javën e Çamërisë, ai propozon ministrin e Greqisë. Berisha me Vangjel Tavon e çon në 20% përfaqësimin grek në qeveri. Emërimi i grekut Tavo si ministër është një tradhti dhe provokim për kauzën çame pikërisht në javën dhe në përvjetorin e masakrave greke ndaj çamëve” deklaroi për mediat përfaqësuesi i Aleancës Augent Xhaferaj.