Pas rreth 14 muajve nga skadenca e marrëveshjes italo-shqiptare për konvertimin e patentave, akoma nuk është e mundur të jepet një datë pak a shumë e saktë për përtëritjen. Konfirmon këtë Ministria e Infrastrukturave e Transporteve (MIT) italiane që kërkesës sonë të vazhdueshme për informacione rreth kësaj marrëveshjeje më në fund i përgjigjet, pa na dhënë ndonjë lajm të mirë.
“Duke marrë parasysh që Marrëveshja mes Italisë e Shqipërisë për konvertimin e lejeve të drejtimit midis Italisë dhe Shqipërisë skadoi në Dhjetor 2019, kjo Administratë ka hapur një procedurë për të përcaktuar një të re, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Kooperimit Ndërkombëtar (MAECI)” shkruajnë nga ministria më 10 shkurt.
“Aktualisht jemi në pritje të përgjigjes nga autoritetet kompetente shqiptare për çka është kërkuar dhe propozuar për përfundimin e procesit në vijim” vazhdon mesazhi i Ministrisë.
Duke pasur parasysh që Ambasada shqiptare në Romë pohonte që “më 7 dhjetor është njoftuar pala italiane se organet kompetente shqiptare shprehen dakord me teksin e dakordësuar ndërmjet palëve” lind pyetja se me ç’mjete komunikojnë këto administrata? Me pëllumba? Apo thonë çfarë t’u vijë për mbarë, pasi e dinë mirë që janë të përfshira disa administrata të ndryshme, shqiptare e italiane, të cilat mezi japin përgjigje të pjesshme (nëse e japin) pasi kontaktohen me këmbëngulje, gjë që e bën thuajse të pamundur transparencën e procesit të përtëritjes së marrëveshjes.
Dhe mbetemi gjithnjë tek e njëjta pyetje: Kur do të përtërihet marrëveshja e konvertimit të patentave?
“Fatkeqësisht – na shkruan MIT – për momentin nuk është e mundur të bëhet një vlerësim i saktë i kohës së nevojshme për mbylljen e negociatave në vijim, pasi ato nuk varen vetëm nga kjo Administratë, por edhe nga MAECI e lartpërmendur dhe padyshim nga autoritetet e huaja kompetente”.
“Sapo negociatat të përfundojnë pozitivisht, duke i hapur sërish rrugën mundësisë së konvertimit të lejeve të drejtimit shqiptare në dokumente italiane dhe anasjelltas, Drejtoria kompetente e kësaj ministrie do të informojë me një Qarkore të posaçme Zyrat periferike të Motorizimit” ku praktikisht drejtohen të interesuarit për konvertimet e patentave të huaja dhe dispozita e re “do të publikohet në portalin institucional të kësaj Administrate”.
Kështu e mbyll përgjigjen e saj Ministria e Infrastrukturave dhe Transporteve italiane.
“Aktualisht jemi në pritje të përgjigjes nga autoritetet kompetente shqiptare…” shkruajnë nga MIT. “Me konfirmimin e tekstit përfundimtar të projektmarrëveshjes nga pala italiane …” shkruanin nga Ambasada shqiptare në Romë. Qoftë ministria italiane tani, qoftë ambasada shqiptare në janar, ia lënë fajin e vonesave administratës së shtetit tjetër. Secila të thotë “sapo të na kalojnë tekstin/ dokumentacionin/ përgjigjen, ne bëjmë menjëherë ato procedurat tona të fundit dhe e mbyllim këtë çështje”.
Ndërkaq qytetarët e interesuar për konvertimin mbeten në pritje. Janë thuajse të gjithë shqiptarë të Italisë – për faktin e thjeshtë që, përtej propagandës, në Shqipëri nuk ka as 2 mijë emigrantë italianë (të dhëna INSTAT) ndërsa në Itali jetojnë mbi 400 mijë emigrantë shqiptarë (të dhëna ISTAT) – ndaj duhet të jetë detyrë e organeve kompetente të shtetit tonë të këmbëngulë që kjo marrëveshje të përtërihet sa më parë.
Përgjigjja e plotë e Ministrisë italiane të Infrastrukturave dhe Transporteve:
Lexo edhe
Pritja pa fund për përtëritjen e marrëveshjes së konvertimit të patentave