Gjatë dy ditëve në Tiranë do të mbajë takime me kryetarin e Shtetit, të Kuvendit, të qeverisë dhe ministrin e Jashtëm
Romë, 2 mars 2016 – Shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini do të mbërrijë në Tiranë nesër në mbrëmje (ora 19:00). Vizitën zyrtare do ta fillojë me takimin me Kryeministrin Edi Rama, në selinë e qeverisë. Në një informacion të Kryeministrisë bëhet e ditur se në përfundim të këtij takimi, Rama dhe Mogherini do të kenë një konferencë për shtyp.
Axhenda e takimeve të zyrtares së lartë të BE-së parashikon takime me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, Presidentin Bujar Nishani dhe kreun e opozitës Lulzim Basha.
Të premten, në një seancë të posaçme, Mogherini do t’i drejtohet me një fjalë përshëndetëse deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Mogherini pritet të përcjellë kërkesën për përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe dhe veçanërisht realizimin e reformës në drejtësi. Kujtojmë që hapja e negociatave për pranimin në BE, kushtëzohet nga përmbushja e plotë e 5 përparësive të mbetura që janë:
Krijimi i një administrate profesioniste dhe të depolitizuar;
Forcimi i pavarësisë të institucioneve të drejtësisë;
Lufta kundër korrupsionit;
Lufta kundër krimit të organizuar;
Mbrojtja e të drejtave të njeriut.