in

Murebest, biznesi i nisur me një dhomë gjumi të sjellë nga Italia

Kompania 16-vjeçare e tregtimit të mobilieve sot ka aktivitet biznesi në Itali, Gjermani, Francë, Kosovë dhe vendet e tjera të Ballkanit

Buzë shëtitores kryesore që lidh portën hyrëse jugore me qëndrën e qytetit të Fierit, tërheq vëmëndjen një ndërtesë 6-katëshe, me arkitekturë bashkëkohore. Është kompania “Murebest” e tregtimit të mobiljeve. 
“Murebest” është bashkimi i emrit të Muhamet Stojkut dhe  dy djemve të tij, Rexhep e Besnik, themelues të një biznesi të fuqishëm familjar në fushën e import-eksportit të mobiljeve. “Murebest” ka një moshë relativisht të re. Por brenda harkut kohor të 16 viteve aktiviteti është shtrirë në Fier, Tiranë, Itali e Prishtinë. Kapitali i firmës e kalon vlerën e disa miliardë lekëve, ndërkohë që numri i të punësuarve shkon në rreth 40.

“E kemi nisur biznesin me një  dhomë gjumi. Djali im Besniku, atëherë emigrant në Itali, bleu një dhomë gjumi të përdorur dhe na e dërgoi me një shokun e tij vlonjat. Rexhepi e shiti me një çmim të kënaqshëm, fitim që shërbeu si gurë themeli dhe kristalizoi drejtimin e biznesit tonë drejt import-eksportit të mobiljeve”, tregon Muhameti.

“Atë ditë, i kënaqur nga fitimi, por i sfilitur në radhët torturuese të postës shqiptare (në ato vite), prita deri në mesnatë dhe i telefonova Besnikut për ta informuar në lidhje me shitjen dhe leverdinë e madhe”, kujton Rexhepi. “Madje, i thashë se do t’i dërgoja lekë që të blinte një kamion të vogël dhe të fillonim rregullisht tregtinë e mobiljeve, pasi e kishim pleqëruar edhe me babanë”, vijon tregimin Rexhepi. Sipas tij, këto ishin hapat e para, të cilat më pas u finalizuan me certifikimin e “MUREBEST”. Ndërsa përpjekjet e tyre për biznes kishin filluar më herët, që në vitin 1993, me tregtinë e veshjeve të përdorura dhe pjesëve të këmbimit për makina.

“Puna, përkushtimi, sinqeriteti, korrektësia me partnerët dhe bashkëpuntorët në biznes, janë çelësi i jetëgjatësisë dhe suksesit në biznes. Rexhepi e Besua shpesh nuk orientoheshin dot, pasi e kishin humbur nocionin kohë për shkak të punës së tejzgjatur, jashtë çdo orari, ditën e natën”, tregon baca Muhamet.
Në vitin e mbrapsht të 97-ës, lokali ynë nuk u mbyll asnjë ditë, dhe nuk na u prek asnjë ‘fije floku’, e kjo, jo se ishim të fortë, por se e kishim prezantuar veten si njerëz punëtorë, korrektë dhe që biznesin e kishim të pastër, me djersën e ballit, vijon ai.  “Biznesi është art më vete. Duhet të dish të komunikosh me klientët, t’i respektosh e vlerësosh ata. Klienti duhet trajtuar si mbret, pasi po të ktheu krahët ai, je i falimentuar”, tregon  baca.

“Në vitin 1996, Besua, vëllai që bashkëpunon me partnerët italianë na mundësoi çeljen e një panairi me mobilje cilësore italiane. Ata na besuan mallin, vlera e të cilit shkonte në rreth 500 milionë lireta, pa na marrë paraprakisht asnjë lek. Pas një viti kur ne e shitëm mallin i likuiduam”, tregon Rexhepi një aspekt të korrektësisë në biznes. Sipas tij, kjo e rriti dhe e konsolidoi emrin e Murebest në tregjet italiane. E bëri një partner të besueshëm, serioz, duke i dhënë gjithë ekskluzivitetin e bashkëpunimit.

Murebest sot ka aktivitet biznesi në Itali, Gjermani, Francë, Kosovë dhe vëndet e rajonit. Ai ka tre filiale kryesore në Fier, Tiranë e Prishtinë. Biznesi i ndershëm u ka shtuar jo vetëm të ardhurat, por edhe emrin dhe miqësinë. “Më shumë se për lekë unë jam i gëzuar se në punën time kam bërë shumë miq”, shprehet Muhameti.      

Kriza e eurozonës nuk e ka stepur familjen Stojku, madje për t’iu përgjigjur kësaj krize kanë çelur dhe një biznes të ri, duke zgjeruar kapitalet dhe gamën e aktivitetit. (ATSh)

Merrnin pension padrejtësisht. Paditen 26 shqiptarë rezidentë në Pistoia

Ambasadori Sequi mbështet nismat në ndihmë të zonave veriore