Një komb, dy shtete. Po letërsia e tyre?
Vazhdojmë, letërsia sot. Letërsia shqipe beson se është më e mirë se kurrë. Dhe mbase ashtu është vërtet. E lirë dhe bashkë si asnjëherë. Telat me gjemba të kufirit ashtu si Muri i Berlinit janë një ankth i keq, i tejkaluar, edhe pse aviten shpesh fantazmërisht dhe ngjallin frikë.
Letërsia shqipe zhvillohet në dy shtete shqiptare, në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën më të re në botë, në atë të Kosovës, po dhe në Maqedoni, Mal të Zi, në diasporë, në Greqi e Itali, Gjermani e Francë e SHBA. Ka pjesën e saj tokësore, që është proza, sipas meje, atë qiellore, le të themi poezia më e mirë, dhe atë të nëndheshme, të ndaluarën, që solli të vërtetën dhe moralin, për të cilat, besoj, se letërsia ka nevojë patjetër dhe për to.
Po lulëzojnë metafora, realizmi magjik i tipit shqiptar, ironia, zvetënimi, por edhe banaliteti, më shumë se sa dashuria. Ka pak ideale, pak karaktere, hije më shumë, antiheronj, ekzistencializëm dhe absurd, vlera artistike dhe aluvione të fjalës.
Letërsia nuk ka frikë më, por sipas meje, ata që shkruajnë mund të mos ia kenë frikën asgjëje, asnjë lloj burgu e muri, është tjetër gjë kujdesi, mund të mos kesh frikë as nga frika, por asaj që shkruajnë duhet t’i tremben medoemos. Letërsia duhet të trembet nga vetvetja.
Sot në Shqipëri dalim më shume dy libra në ditë, të të gjitha llojeve, poezi me tepri dhe prozë me të vërtetë prozë, tregime ose bashkime të tyret që përzgjaten në romane, ese pak dhe kujtime, kujtojnë ish të burgosurit dhe ish persekutorët, megjithatë s’bëhet dhe aq për kujtesën kolektive, sjellin histori, sociologji, erotikë e rëndomtë, përkthime, modernët e munguar, filozofët e ndaluar, Niçe, Frodi, Kiergegard, nobelistët, madje dhe të gjallët, i fundmi fare, megjithëse përkthehen shpejt e shpesh pa leje të autorit a botuesit, hajdutçe.
Teksa kërkohet të rishkruhet dhe historia e letërsisë shqipe, ndodh që një vogëlushe 12 vjeçare të botojë romanin e saj të parë, kurse një 70 vjeçar të botojë librin e parë me poezi. Shkrimtarët e socrealizmit të mërzitshëm tani janë bërë ekzistencialë, ca kanë humbur më shumë e ca kanë pasur sukses më shumë.
Kadare vazhdon të jetë në krye. Zija Cela në Tiranë, Mehmet Kraja në Prishtinë, Luan Starova dhe Kim Mehmeti në Maqedoni, Ardian-Cristian Kuçuku në Rumani, etj., po sjellin realitete të reja letrare me një nivel të lartë artistik. Europian, do të thosha, po të isha futur në polemikën që përmenda në krye.
Gjithashtu ka një përmbysje në koncepte: Forma ka marrë rëndësinë më të madhe se sa Përmbajtja.
Dukuri kryesore, sipas meje, mund te janë:
– zbulimi i vlerave të mbuluara,
– rizbulimi ndryshe i asaj që ishte
– prurjet e vlerave të reja.
– ndryshimet në hierarkinë e vlerave
Nuk vendos më shteti për rëndësinë e veprave dhe të autorëve, megjithëse lipset që shteti të bëjë më shumë për kulturën, librin dhe krijuesit dhe ndjehen tradicionalizmi dhe ndikimet politike ndonjëherë. Shkrimtari ndjehet pa mbështetje, madje me një realitet kundër, indiferencë kërcënuese, por ama janë hapur librari të mëdha si në Romë e Paris e shkrimtari është i lirë të ikë kudo, madje edhe të çmendet.
Është interesante të tregohet dhe një dukuri e re. Shqiptarët po mërgojnë, jo vetëm në vende të tjera, por dhe në gjuhë tjera, po i shkruajnë veprat e tyre në anglisht e frëngjisht, gjuhë me të cilën së fundmi Jusuf Vrioni botoi kujtimet e tij të burgut, kurse në italisht Amik Kasoruho, Eugjen Merlika, kurse bij të ish të burgosurve po shkruajnë romanet e tyre. Siç duket për vujatjet tona s’mjaftuaka një brez dhe as vetëm një gjuhë. Kanë spikatur Ornela Vorpsi dhe Ron Kubati.
Dua të kujtoj këtu dhe shkrimtaren Elvira Dones si dhe poetin Gëzim Hajdari, që po shkruan njëherësh në të dy gjuhët, duke dhënë më mirë se kushdo odisenë e emigrantit.
Të jesh shkrimtar shqiptar është dhe aventurë vuajtjeje, ku fati tregohet shumë i kursyer, se vërtet ke privilegjin të shkruash në një gjuhë të lashtë indo-europiane, gjuhë hyjnore, gjuhë perëndish, siç thoshin rilindësit tanë, por tani s’ka më as gjysmë perëndish dhe këtë gjuhë e flasin jo më shumë se 7 – 8 milionë njerëz, të ndarë në disa shtete në Ballkan, ku herë pas here shpina e tjetrit, e institucioneve, madje dhe shpina e madhe e Europës, të nëpërmendin Murin e Berlinit, që edhe pse i shembur, është i rrezikshëm dhe si kujtim.
Lertërsia shqipe po bashkon copat e saj tani. Kështu më duket. Edhe shkrimtarët shqiptarë po mbledhin gjymtyrët e tyre pas katastrofës. Mjafton dhe kaq për të besuar te letërsia.
Visar Zhiti
Lexo edhe: Muri i Berlinit dhe Letërsia që di unë – pjesa e parë