Është një letër e dhimbshme që nuk mund të lërë askënd indiferent, kjo e Afrim Berishës e mbërritur në redaksi përmes avokatit të tij, Darien Levani.
Është një lutje për ndihmë për të mundësuar kthimin në shtëpi të fëmijës së tij i cili prej 5 vjetësh edhe sot e kësaj dite ndodhet larg vendit të tij, në një kamp në Siri.
Në vijim letra e plotë:
Alvin Berisha është një fëmijë shqiptar i cili aktualisht ndodhet në Siri pranë kampit Al Hawl.
Në vitin 2014, kur ishte vetëm 5 vjeç, Alvini është çuar në Siri nga e ëma, pa dijeninë e babait. I ati, Afrim Berisha, nuk ka kaluar ditë pa e kërkuar. As lufta, as frika, as largësia, as pengesa ekonomike e as ISIS nuk e kanë ndaluar, me bindjen e me dashurinë që vetëm një baba mund të ketë. Pas pesë vitesh, në 25 shtator 2019, e ka gjetur Alvinin në kamp, e ka përqafuar fort dhe i ka premtuar që tani nuk do ndaheshin më. Por forcat kurde që ruajnë kampin nuk e kanë lejuar që ta marrë me vete, sepse për këtë duhet që aprovimi të kërkohet dhe të merret nga Shteti shqiptar.
Alvini është vetëm 11 vjeç, Alvini është i plagosur e ka nevojë për mjekim urgjent, Alvini është i vetmuar, Alvini është i trembur, Alvini duhet të largohet sa më shpejt nga Siria.
Istitucionet kompetente shqiptare janë në dijeni të kësaj situate dhe po punojnë për të mundësuar kthimin e tij në Shqipëri. Kemi besim të plotë tek puna që po bëjnë si për Alvinin, si për të gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë që ndodhen aktualisht në Siri. Kemi besim dhe shpresë që nëse të gjithë bëjnë punën e tyre, Alvini do kthehet së shpejti. Por jemi edhe të shqetësuar, sepse lufta në Siri po ashpërsohet dhe koha nuk premton. Në Al Hawl ndodhen plot 73.000 veta që jetojnë në një situatë të tmerrshme, e kjo na tremb. Nëse sot e bëjmë dhimbjen tonë publike, e bëjmë këtë vetëm për t’ju lutur kujtdo mund të na ndihmojë, që të na ndihmojë: duke punuar më shpejt, duke na dhënë informacione mbi gjendjen e Alvinit, duke na mbështetur qoftë edhe me një fjalë të mirë.
Sot lutemi e kërkojmë ndihmë. Nesër, larg qoftë i ndodh diçka Alvinit, do kërkojmë llogari.
Me respekt
Afrim Berisha
Avv. Darien Levani
Celulari shqiptar: 00355 06933447510
Celulari italian: 0039 3295327386
Mail: info@darienlevani.com
Facebook: https://www.facebook.com/darienlevani