in

Napoli. Drejt Londrës me dokument italian të falsifikuar, arrestohet 29vjeçari

Stiven Rina, me një hile tashmë të njohur nga policia e kufirit, kalon kontrollin e pasaportave me dokumentin e tij të vërtetë e në vend që të marrë fluturimin e deklaruar me atë emër, vihet në radhë në daljen të avionit për Londër ku paraqitet me letërnjoftim italian të rremë

Romë, 22 shkurt 2016 – E marrim të gjthë me mend që me një dokument të falsifikuar e ke më të lehtë të kalosh nëse atë e kontrollon një punonjës çfarëdo i aeroportit apo kompanisë ajrore sesa polici i kufirit. Ky i fundit ka qoftë sy më të mprehtë për të dalluar falsifikimin, qoftë edhe mjete teknike e informacione për të mësuar nëse dokumenti është i yti apo i vjedhur, për shembull. Këtë gjë e dinë mirë e mundohen ta zbatojnë (por jo gjithnjë ia dalin mbanë) ata që duan të shkojnë në një vend ku nevojitet vizë duke përdorur një dokument të një vendi tjetër, qytetarët e të cilit nuk kanë nevojë për vizë. Si ia bëjnë? Presin dy bileta fluturimesh, një për vendin ku dëshirojnë të shkojnë vërtet duke përdorur emrin që kanë në dokumentin e falsifikuar, dhe një biletë me emrin e vërtetë drejt një destinacioni ku me pasaportën e vet mund të shkojnë pa pasur nevojë për vizë. Kështu bëjnë check-in për të dyja fluturimet, me dy emrat e ndryshëm, te policia e kufirit kalojnë me pasaportën e vet të vërtetë dhe vetëm më pas (kur nuk të ka mbetur më kontroll policie për të bërë) nxjerrin nga xhepi dokumentin e falsifikuar e drejtohen në daljen e fluturimit që vërtet dëshirojnë të marrin. 

Rasti i bërë i njohur nga mediat italiane është i të premtes së shkuar kur në aeroportin e Napolit është arrestuar 29vjeçari shqiptar Stiven Rina teksa po merrte avionin për Londër me kartë identiteti italiane të falsifikuar. Nga kontrollet rezultoi se karta ishte pjesë e një grupi dokumentesh të vjedhura në komunën e Campobasso-s.

U mësua se Stiven Riva kishte bërë check-in për një fluturim drejt Turqisë me pasaportën e tij autentike që i kishte treguar edhe policisë së kufirit gjatë kontrollit. Vetëm se, më pas dikush ka vënë re që në vend që të drejtohej për daljen e avionit për Turqi ishte vënë në radhë në daljen ku nisej avioni për Londër. Këtu nxori një tjetër kartë imbarkimi të shoqëruar me një kartë identiteti italiane. Kështu policia mësoi se ai kishte në xhep dy dokumente identifikimi, një autentike një të falsifikuar, dy bileta avioni e dy karta imbarkimi, gjë që nuk është herë e parë që ndodh por është tashmë një dredhi që po përdoret jo rrallë.

Me siguri ndokush ia ka dalë mbanë, por jo Stiven Rina që u arrestua me akuzat e emigracionit të paligjshëm e të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara.

 

 

Reforma e shtetësisë. Shtyhen për në mars konsultimet e Senatit me ekspertë e shoqata

Kryeqytetet më të mira të rajonit për të bërë investime. Mungon Tirana