in

Napolitano: “Do të fitojmë kauzën e hyrjes së Shqipërisë në BE”

Giorgio Napolitano, sot në vizitë zyrtare në Tiranë, po takon paradite presidentin dhe kryeministrin e Shqipërisë. Pasdite, takim me Metën dhe  përshëndetje në Kuvend

Romë, 5 mars 2014 – Presidenti i Republikës Italiane, Giorgio Napolitano, është sot për një vizitë zyrtare në Tiranë, me ftesë të Presidentit Bujar Nishani. Ai do të nderohet me Dekoratën e Flamurit Kombëtar në një ceremoni që do të mbahet në 12.20 në Pallatin e Brigadave.

Agjenda e vizitës shtetërore të Presidentit italian ka nisur në orën 10:00 me ceremoninë e pritjes në Presidencë. Më pas me takimin me Presidentin Nishani dhe Napolitano.

Në konferencën e përbashkët për shtyp të dy presidentëve, Napolitano ka përgëzuar Shqipërinë “për përparimet që ka kryer dhe për faktin që forcat politike shqiptare të mblidhen së bashku në punën mbi reformat”. Ai theksoi mbështetjen e plotë e të vazhdueshme nga anë e Italisë së kauzës së hyrjes në BE të Shqipërisë. “Ne do të vazhdojmë të bëjmë avokatin e Shqipërisë dhe jemi të bindur se do të fitojmë edhe kauzën e hyrjes në BE pas hyrjes së saj në NATO”, tha Presidenti italian.

“Sot pasdite do të kem nderin të flas në Kuvendin e Shqipërisë e do t’u kthehem disa aspekteve të bashkëpunimit mes dy vendeve tona – është shprehur Napolitano – Italia e Shqipëria po bshkëpunojnë në fushën e energjetikës dhe për ndërtimin e nj rajoni të përbashkët në këtë drejtim. Shqipëria është e përfshirë në disa projekte të rëndësishmë edhe pse akoma nuk ka hyrë në BE. Jam i bindur që ashtu si Sllovenia dhe Kroacia, edhe Shqipëria do të gjejë besimin në vetvete dhe qëndrueshmërinë për të vazhduar në këtë rrugë”.

Lidhur me Kosovën, presidenti italian ka shprehur kënaqësinë e tij për hapat përpara të bëra nga ajo. “Kemi ndjekur me interes rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë së saj. Sot jemi të lumtur të shohim normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Presidenti Bujar Nishani shprehu mirënjohjen për mbështjetjen që Italia i jep Shqipërisë në procesin e integrimit, ndërsa garantoi homologun Napolitano se vendi ynë do të bëjë ndryshime thelbësore për sundimin e ligjit. Duke e cilësuar Italinë një partner kyç në fushën ekonomike, Nishani vuri theksin në intensifikimin e dialogut politik.

“Është një ditë e veçantë për mua dhe për popullin shqiptar pasi na nderon Presidenti i Italisë, vendit të madh fqinj që na është gjetur gjithmonë pranë. Marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve mbështeten mbi miqësinë e fortë dhe fqinjësi, të formalizuara edhe në partneritetin strategjik. Ne kemi vullnetin për ta thelluar më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Duhet të intensifikojmë dialogun politik përmes shkëmbimeve të rregullta dhe vizitave në të gjitha nivelet dhe veçanërisht ato të nivelit të lartë” është shprehur Nishani.

 

Presidenti Napolitano në Tiranë. Nderohet me Dekoratën e Flamurit Kombëtar

Ministria e Brendshme: Tërhiqni pasaportat biometrike të kërkuara në konsullata vitet e shkuara