in

Ndalohet gardisti i dytë për vrasjet e 21 janarit

 

Sipas Prokurorisë së përgjithshme Alfred Ahmetcenaj, i arrestuar sot, dhe Agim Llupo, i arrestuar dje, akuzohen për  “vrasje me dashje të kryer kundër dy a më shumë personave” dhe për “vrasje me dashje të kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”.

Tiranë, 9 shkurt 2011 – Sot është arrestuar gardisti i dytë, duke çuar kështu në 2 numrin e të ndaluar për vrasjen e 4 shtetasve, më 21 janar përpara selisë së Kryeministrisë.
Prokuroria e Përgjithshme dha sot detaje nga hetimet ndaj efektivave të Gardës së Republikës lidhur me demonstratën e opozitës më 21 janar, ku mbetën tq vrarë me armë zjarri 4 shtetas, Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika
Në një komunikatë për shtyp, Prokuroria e Përgjithshme sqaroi se, një ditë më parë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u dorëzuan shtetasit Ndrea Prendi, Dashamir Shehi, Alfred Ahmetcenaj, Aleksandër Deda, Fatos Bushati dhe Altin Kollçinaku, efektivë të Gardës së Republikës.

Sipas Prokurorisë, policia gjyqësore e D.P.Q.Tiranë ka zbatuar për të gjashtë personat urdhrat e prokurorit të datës 22.01.2011 për ndalimin e tyre, duke i vënë ata në dispozicion të prokurorit.

“Të gjashtë të ndaluarit iu nënshtruan marrjes në pyetje nga prokurorë të Prokurorisë së Tiranës dhe kjo procedurë vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit të datës 09.02.2011. Në përfundim të kësaj procedure, si dhe në vlerësim të rrethanave të deritanishme të hetimit, nga ana e prokurorëve u urdhërua lirimi i menjëhershëm për shtetasit Ndrea Prendi, Dashamir Shehi, Aleksandër Deda, Fatos Bushati dhe Altin Kollçinaku”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Ndërsa për dy efektivët e tjerë të Gardës së Republikës, aktualisht të ndaluar, Prokuroria e Përgjithshme sqaroi se, ata do të paraqiten në Gjykatë për vlerësimin e masës së sigurisë.

“Për shtetasin Alfred Ahmetcenaj, me detyrë komandant i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës, si dhe shtetasin Agim Llupo (i ndaluar një ditë më parë), me detyrë shef i shtabit të kësaj njësie, do të procedohet me paraqitjen në Gjykatë të kërkesës për vleftësimin e ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit, si persona të dyshuar për kryerjen në bashkëpunim të veprës penale të parashikuar nga neni 79, germat “dh” dhe “ë” të Kodit Penal, përfundon komunikata e Prokurorisë së Përgjithshme”. Ky nen me titull “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”  flet në germën “dh” për vrasje me dashje të kryer kundër dy a më shumë personave dhe në germën “ë” për vrasje me dashje të kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave. Ky nen parashikon dënim me burgim jo më pak se 20 vjet ose me burgim të përjetshëm.

Presidenti Topi: “Të flasë vetëm drejtësia dhe të tjerët të heshtin”

Flukset: Të gjitha kërkesat e konvertimeve do të plotësohen