in

Ndërron jetë presidenti Cossiga

Romë, 17 gusht 2010 – U nda nga jeta ish presidenti italian Francesco Cossiga. I shtruar në gjendje të rëndë shëndetësore më 9 gusht, në spitalin Gemelli të Romës, ku gjatë gjithë këtyre ditëve u mbajt në repartin e rianimacionit, sot në orën 13,18 ai u nda nga jeta.

Rreth një orë më parë mjekët, në buletinin e fundit mjekësor, kishin lajmëruar një përkeqësim të gjendjes së tij gjatë natës duke e quajtur gjendjen e tij “tejet të rëndë”.

Cossiga ka lënë një testament dhe katër letra personale të mbyllura me vulë për katër përfaqësuesit më të lartë të shtetit. Ato i drejtohen presidentit të Republikës Giorgio Napolitanos, kryetarit të Senatit Renato Schifanit, kryetarit të Dhomës së Deputetëve Gianfranco Fini dhe kryeministrit Silvio Berlusconi. Ashtu siç ishte edhe udhëzimi i tij, letrat iu dorëzuan marrësve menjëherë pas vdekjes. Testamenti përmban, veç të tjerash, edhe udhëzimet e fundit për ceremoninë e tij të varrimit: kërkon të mos ketë ceremoni shtetërore por vetëm një roje nderi të Bersaljerëve të Brigadës Sassari dhe të varroset në qytetin e tij të lindjes, Sassarin.

Sipas miqve e të afërmve të tij të mbledhur sot në spitalin Gemelli, një nga shprehjet e tij të famshme, që përsëriste shpesh ishte “Më kot përpiqem, me hap të pasigurt, t’i shmangem gropës që më pret”.

Francesco Cossiga, ka qenë presidenti i tetë i republikës italiane. I zgjedhur në vitin 1985, për momentin ngelet më i riu nga presidentët italianë. Lindur në Sassari në vitin 1928, demokristian, nxënës besnik i Antonio Segnit, ishte vetëm 57 vjeç në çastin e zgjedhjes por me një karrierë të gjatë mbi shpatulla të karakterizuar nga momente dramatike.

Ministër i Brendshëm në çastin e rrëmbimit të Aldo Moros, dha dorëheqjen pas vrasjes së udhëheqësit demokristian. Në vitin 1980 u bë kryeministër dhe më pas president i Senatit, detyrë që mbuloi deri kur u ngjit në Quirinale. Për ta zgjedhur u votua vetëm një herë: mblodhi 752 vota nga 977.

Shtatëvjeçari i tij duket i ndarë dysh. Pas pesë vjetëve të parë, gjatë të cilëve thuajse nuk u ndie roli i tij, në dy vjetët e fundit nuk la gjë pa thënë mbi të gjithë dhe gjithçka, duke filluar nga çështja Gladio. Ai ka qenë i pari që u përpoq t’i jepte republikës karakter presidencial, aq sa e majta arriti të kërkonte paditjen e tij për tradhti të lartë. Dha dorëheqjen më 28 prill 1992, vetëm dy muaj përpara përfundimit të mandatit. Ka qenë president i Italisë në epokën e eksodeve të mëdha të shqiptarëve të vitit 1991.

Nga viti 1992 ka qenë senator i përjetshëm dhe ka vazhduar të ndërhyjë me vendosmëri në jetën politike italiane.

ke.bi.

 

Paketa e sigurisë, çfarë mungon ende

Bashkëpunëtorët shtëpiakë, këtej e tutje sigurim shëndetësor integrativ