Pëllumbesha Ziu, grua e ve, nënë e katër fëmijëve, prej të cilëve njëri me sindromën Down, rrëfen për Dritare.net jetën e vështirë në një nga kampet gjermane ku mbahen azilkërkuesit. “E si të kthehem në Shqipëri, kur nuk kam asnjë të ardhme, me katër fëmijë që më shohin në sy e presin nga unë”
Nga Kozeta Turishta
Pëllumbesha Ziu, ka treguar për dritare.net, historinë e saj të jetës, sakrificat e peripecitë në emigrim, frikën nga përdhunimet, kërcënimet, vrasjen makabre të shoqes së saj në kamp, të cilës burri i preu kokën me thikë, pse e denoncoi për dhunë.
Gruaja rrëfen të vërtetën e saj për kampet e azilantëve në Gjermani, ku shumë shqiptarë janë dyndur për të kërkuar azil, në emër të një të ardhmeje më të mirë për fëmijët e tyre. Pëllumbesha, është njëra nga ata gratë e nëna, që luftojnë çdo ditë me dhunën psikologjike që ushtrohet në kampin ku ajo gjendet së bashku me dy fëmijët e saj më të vegjël, pasi dy vajzat e mëdha është detyruar t’i lërë tek të afërmit në Shqipëri. Ja intervista e saj e dhimbshme dhe tronditëse për Kozeta Turishtën.
Dritare.net: Sa kohë u bënë që keni kërkuar azil në shtetin gjerman?
Pëllumbesha Ziu: Kam rreth një vit këtu. Kam 8 muaj që jam sistemuar në një banesë. Kam jetuar në një kamp në Shtaumyhler, ku jetova me frikë nga tentativat për përdhunim.
Çfarë ju bëri të largoheshit nga Shqipëria?
Arsyet e braktisjes së Shqipërisë janë të shumta. Po e nis me ndërprerjen e ndihmës ekonomike prej 47 mijë lekësh të vjetra. Si dhe pensionin qesharak të 4 fëmijëve jetimë, pasi babai i tyre ka vdekur nga një tumor. Po vazhdoj me ndërprerjen e energjisë elektrike, që nuk e paguanim dot.
Pas vdekjes se bashkëshortit përjetova një ferr moral, fizik, për pronësinë e banesës, nga motrat e martuara të bashkëshortit. Prita me durimin më të madh të mundshëm dhe me shpresë nga policia e rajonit Lushnje. Më dhanë një urdhër mbrojtjeje i cili u hodh poshtë për tre ditë.
Pse u hodh poshtë?
Sepse personi i cili dhunoi banesën dhe familjen time u largua pas qëndrimit të një nate në burg, pa mbushur 24 orë, drejt Greqisë. Pas një zhgënjimi të thellë dhe detyrës së një prindi të vetëm për të rritur dhe shkolluar katër fëmijë, ndërmora këtë rrugë të vështirë, duke lënë dy vajzat e rritura, njëra 20 vjeç dhe tjetra 16, tek të afërmit e mi dhe marrë rrugën e emigrimit e detyruar për të mos përfunduar në rrugë si shumë të tjera. E di sa e vështirë është për vajzat e mia, por kam një mision që nuk e lë dot në mes. Misioni im e ka emrin Nino. Është djali im me sindromën Down të cilin Shqipëria e la pa drita, pa ujë, pa bukë e pa televizor, i cili ishte i vetmi argëtim për të. Për Ninon jam këtu.
Si është në të vërtetë realiteti brenda, aty ku jetojnë shqiptarët të cilët presin fatin e letrave për azil?
Realitet i zi, që askush nuk mund ta besojë pa e parë me sy e përjetuar vetë. Po marr rastin e fundit të gruas shqiptare, e cila u masakrua në mes të ditës me prerje koke, nga bashkëshorti. E ndjera Arjana Ciba ishte një grua shembullore.
Arjana ishte në kampin tuaj? E patë ngjarjen e tmerrshme?
Po, unë e kam parë ngjarjen me sytë e mi. E vërteta është se e ndjera Arjana, dhunohej shpesh nga i shoqi, ai e keqtrajtonte atë dhe dy fëmijët e saj. Një ditë asaj iu sos durimi dhe shkoi tek Komuna për t’u ankuar, për të kërkuar njëfarë sigurie sepse jeta e saj ishte në rrezik dhe ajo e kishte nuhatur më të keqen, me gjithë atë dhunë fizike që i shoqi i saj ushtronte mbi të. Ai e mori vesh se Arjana e kishte denoncuar dhe ka qenë ora 10:00 e paradites kur ka nisur ta godasë, derisa gjaku i rridhte mureve të korridoreve, e më pas, në sy të të gjithëve, i preu kokën me thikë. Ishte një ditë zie për të gjithë ne, të gjithë ne të godinës ku jetonim, që pas tragjedisë kemi përfunduar në spital nga tronditja e tmerri që na panë sytë.
Nuk mundi dikush nga ju të ndërhynte në ato momente?
Me të drejtë pyesni, por ai njihej si një njeri më probleme dhe më përpara, me precedentë penalë, madje kishte bërë dhe burg në Greqi për 12 vjet dhe të gjithë patën frikë t’i afroheshin.
Mjerë ato femra shqiptare që bëhen darka e qenit, sepse zakonisht familjet në zona të thella malore, e fshatra të izoluara, detyrohen t’ia japin vajzën të ligut, vetëm e vetëm për t’i hequr nga shtëpia.
Po fëmijët e kanë mësuar çfarë ndodhi me nënën e tyre?
Jo, sepse atë ditë ata ishin në shkollë, dhe janë përpjekur t’ja mbajnë fshehur faktin sesi vdiq nëna e tyre, pasi do ishte tepër e rëndë për ta. Janë dy djem, moshat 8 dhe 9 vjeç, që janë vetëm tani. Ndërsa ai monstra ndodhet në burg.
Ju thoni që nuk ka as siguri për jetën, por as kujdes nga ana e punonjësve aty brenda?
Absolutisht jo, është një tmerr i vërtetë. Unë jam gjendur përballë një realiteti të hidhur në një kishë fëmijësh, ku një shtetas shqiptar dhunoi dhe kërcënoi me prerje fyti fëmijën tim 6 vjeç dhe mua. E ndërsa pastorit me emrin Andreas Wiltizer i dukej normale për një zënkë fëmijësh dhe as mori mundimin të reagojë, sepse neve na shohin e na trajtojnë jo si qenie njerëzore. Ishte vërtetë një zënkë mes fëmijësh, por ai nuk pati mëshirë as për djalin tim të sëmurë duke e kapur prej rrobash, e kapi në grykë duke e ulur disa herë në tokë, pa e përplasur. Më pa në sy dhe më tha: Për shpirtin e babës ta presë fytin ty e të gjithë familjes tënde.
Kujt iu drejtove për këtë kërcenim?
Shkova në polici, atje rrëfeva gjithçka siç po flas me ju, por nuk mora asnjë mbështetje, pasi më akuzonin sikur e bëja me qëllim që të përfitoja më shumë qëndrim këtu. Policia nuk besonte, sepse kishte pasur raste të ndryshme me shqiptarët, ku nxirrnin lloj-lloj gjërash vetëm të qëndronin sa më gjatë, dhe për këtë fakt nuk e merrnin si të mirëqenë, derisa një ditë fatmirësisht një grua gjermane, së cilës dikush i kishte thënë për rastin tim, i tha policëve se unë po thosha vetëm të vërtetën. Ka ende njerëz kjo botë.
Po tani ku jetoni?
Komuna më ka dhënë një shtëpi prej tetë muajsh, si dhe një shumë prej 800 euro për shkollimin e dy fëmijëve. Por në momentin që ti merr një negativ absolut nga zyrat e emigracionit, shteti gjerman të detyron të firmosësh vdekjen tënde, kthimin në Shqipëri. Është një luftë e ftohtë psikologjike, nëse nuk e ke lëkurën e fortë, mund të vdesësh nga stresi e depresioni i thellë në të cilin përballemi çdo ditë me këto kushte.
Sa zgjat procesi?
Procesi zgjat pafund, derisa arrin në një pikë lodhje që me zemërimin e mbledhur në zemër, mund të shembësh botën.
Ju keni marrë përgjigje?
Po, unë kam marrë negativin pasi dhashë intervistën, por më kanë lejuar të qëndroj nga gjendja ime e keqe shëndetësore dhe ata e dinë në çfarë kushtesh jam.
Kaq shumë vuajtje, nuk do ishte më mirë të ktheheshit pranë pjesës tjetër të familjes e në vendin tuaj?
Ku të kthehem, kur nuk kam asnjë të ardhme, as minimumin jetik të gjërave, kur nuk kam mundësi të paguaj dritat, sepse nuk ka punë, me katër fëmijë që më shohin në sy e presin nga unë. Kjo që po bëj është një sakrificë e madhe. Si çdo nënë shqiptare që jep jetën për fëmijët e saj, dhe unë do i shkoj vuajtjes deri në fund për të nxjerrë në dritë fëmijët e mi, sidomos atë që nuk mundet vetë, Ninon, djalin tim të sëmurë. Ai vetëm këtu mund të përmirësojë edukimin e zhvillimin e tij mendor. Ka talent në muzikë, sport. Është shumë simpatik dhe energjik, duket si një model. Por nuk mund të flasë. Ëndrra ime është ta dëgjoj Ninon të flasë. Kjo është arsyeja pse erdha të vuaj këtu. Është arsyeja për të cilën unë jetoj.
Botuar në Dritare.net