in

Në karrige me rrota drejt Lojërave Paralimpike Londër 2012

Më 11 dhjetor, në Accra të Ganës, në garën ndërkombëtare të vlefshme për kualifikimin në Lojërat Paralimpike të Londrës 2012, Haki Doku, me fanellën e Shqipërisë, renditet i pari në garën e çiklizmit për sportistët me aftësi të kufizuara. Duke mbyllur kështu më së miri një vit shumë të suksesshëm për të.

42-vjeçari shqiptar, edhe pse një aksident e ka detyruar të jetojë në një karrige me rrota, është shumë aktiv. Gjatë këtij viti, me biçikletën e tij, merr pjesë në dhjetë gara ndërkombëtare për të realizuar ëndrrën e tij të madhe: të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat paralimpike të Londrës në vitin 2012.

Haki Doku,  i lindur në qytetin e Krujës, më 18 qershor 1969, në moshën 26 vjeçare emigroi në Itali dhe u vendos në Milano. Në prill të vitit 1997, fatkeqësisht, Hakiu pëson një aksident, për shkak të të cilit sot është paraplegjik, nuk mund të ecë më.

Gjithsesi kjo nuk e mposhti për t’iu përkushtuar jetës. Ka krijuar një familje të ngrohtë dhe të dashur. Sot ka rreth vetes dashurinë e të shoqes, Enora, me të cilën është martuar në vitin 2005, të djalit Mario, 4 vjeç, dhe të vajzës, Alissa, njëvjeçare.

I punësuar pranë Kompanisë Financiare “FinSev spa” Milano, Hakiu është integruar më së miri në jetën shoqërore në qytetin ku banon dhe punon.

Në vitin 2000 ka filluar të merret me sporte dimërore, ski në borë e hokej në akull, duke marrë pjesë në kampionatin italian dhe atë europian të Hokejt në akull në Gjermani. Në vitin 2003 ka lënë sportet dimërore për t’u marrë vetëm me biçikletë (handbike), sport në të cilin ka arritur suksese të konsiderueshme në gara të rëndësishme si në maratonën 42 km të Nju Jorkut, në kampionatin italian, europian e botëror. Në vitin 2007 ka përfaqësuar Shqipërinë në maratonën 42 km të Romës dhe ka dalë i teti. Arritjet e tij kanë pasuar njëra tjetrën. Së fundi, ka vazhduar të përfaqësojë Shqipërinë për t’u kualifikuar për lojërat Paralimpike të Londrës 2012. Vetëm gjatë vitit 2011, Hakiu ka marrë pjesë në dhjetë gara, në atë të fundit (10-11 dhjetor 2011) në Accra të Ganës, është klasifikuar i pari.

Sepse Haki Doku, edhe pse jeton në Milano, ka një ëndërr. Të valëvisë flamurin shqiptar gjatë ceremonisë së hapjes të Lojërave Paralimpike të Londrës 2012“.

Dhe nuk mjaftohet me arritjet e veta, përpiqet që të bëjë të pamundurën që edhe në Shqipëri, personat me aftësi të kufizuara të marrin pjesë në aktivitete sportive. Siç shprehet dhe ai vetë: “Dëshira ime, angazhimi, betimi im personal është bashkëpunimi me Komitetin  Olimpik  Shqiptar, funksional  për personat me të meta fizike që kanë dëshirë shumë të madhe për pjesëmarrje në lojërat e ndryshme sportive si në Shqipëri ashtu edhe në ato ndërkombëtare“.

Objektiv që me sa duket po realizon. Më 27  korrik 2011 u ftua nga Këshilli Britanik në Tiranë, nga ambasadorja Fiona Mcllwham dhe presidenti Bamir Topi, në një aktivitet të posaçëm për sensibilizimin e sportit paralimpik në Shqipëri.

Këshilli Britanik në Tiranë ka konfirmuar mbështetjen e tij të plotë që Shqipëria të jetë e pranishme për herë të parë në Lojërat Paralimpike Londër 2012, me shpresë që edhe forcat politike shqiptare të japin kontributin e tyre në mbrojtje të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri.

Në këto Foto Hakiu me Presidentin Topi, dhe me Ambasadoren e Anglisë në Shqipëri Mcllwham në takimin në Shqipëri
“Shpresoj që viti 2012 të jetë i mbarë për mua – thotë Hakiu – Shpresoj që ëndrra ime të kthehet në realitet e të mund të marr pjesë në lojërat paralimpike në Londër. Sigurisht duhet akoma shumë punë përgatitje fizike, por edhe mbështetje financiare. Me këtë rast dëshiroj t’u bëj apel të gjithë atyre që  dëshirojnë të japin kontributin për sponsorizim në mbështetje të projektit të rëndësishëm “Rruga për ne Londër 2012”. Është herë e parë që Shqipëria mund të marrë pjesë në Lojëra Paralimpike. Për mbështetjen e deritanishme financiare për garat ndërkombëtare falënderoj  në veçanti Prof. Umberto De Mateis, president i qendrës për studimet kulturore “Parlamento della Legalità” në krahinën e Lombardisë dhe Këshillin Britanik në Tiranë”.

Vlora nderon Petro Markon në 20 vjetorin e vdekjes

Bari. Në ballkon për të parë fishekzjarrët, e godet një plumb