in

Në një vit, janë rreth 30 mijë emigrantët e kthyer në Atdhe

Kthehen kryesisht nga Greqia dhe Italia, janë të rinj, kërkojnë punë dhe reintegrimin e fëmijëve në shkollat shqiptare

Tiranë, 31 korrik 2012 – Nga shtatori i vitit të shkuar deri tani në Shqipëri janë rikthyer rreth 30 mijë emigrantë. Sipas ATSh-së këto janë shifrat e Ministrisë së Punëve dhe Çështjeve Sociale, që vë në dukje se numri i emigrantëve të rikthyer në atdhe është dyfishuar krahasuar me një vit më parë kur rezulton të kenë qenë rreth 16 mijë të riatdhesuar.

Pjesa më e madhe e emigrantëve kthehen nga shtete si Greqia dhe Italia, shumica e tyre janë në moshë të re dhe kërkojnë të punësohen.

Sipas zëvendës ministres së Punës, Filloreta Kodra, gjatë një forumi mbi punësimin të zhvilluar pak ditë më parë në Tiranë “në sportelet e migracionit në Shqipëri janë regjistruar vetëm për tremujorin e parë të këtij viti 474 emigrantë të rinj të kthyer, fluks ky 3 herë më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.  Rreth 58% e të kthyerve të regjistruar në sportelet e migracionit kërkojnë të punësohen, 22% kërkojnë kurse formimi apo riformim profesional, 5% janë të interesuar për hapjen e një biznesi, ndërsa pjesa tjetër është asistuar per procedurat e përfitimit të ndihmës ekonomike apo shërbimeve shëndetësore falas”.

Ky numër i madh të kthyerish pritet të ndikojë në tregun shqiptar të punës. 

Një pjesë e tyre, krahas punësimit, kërkojnë dhe integrimin e fëmijëve në sistemin arsimor shqiptar. Në mungesë të shifrave në rrang republike, njoftohet se vetëm në shkollat publike të kryeqytetit, në vitin shkollor 2011-2012, numri i fëmijëve të emigrantëve të rikthyer është 264.

Babai hedh foshnjën nga kati i katërt i maternitetit

Nxitja e investimeve të diasporës mbledh në Tiranë diplomatët shqiptarë