Dekreti “Njëmijë shtyrjet”, i miratuar në fund të vitit që lamë pas, shtyn sërish afatin për mundësinë e përdorimit të vetëcertifikimeve edhe për lejet e qëndrimit e praktikat e tjera të imigracionit
Romë, 4 janar 2016 – Të dënuarit e radhëve. Në Italinë që me vështirësi po mundohet të thjeshtojë burokracinë e saj, imigrantët duhet të vazhdojnë të shkojnë nga një zyrë publike në tjetrën për të tërhequr dokumente që shumë mirë administrata publike mund t’i sigurojë vetë. Do të ndodhë kështu për të gjithë vitin 2016.
Tashmë është histori pa fund ajo e vetëcertifikimit të premtuar, por që rregullisht i mohohet imigrantëve.
Nis në vitin 2012 kur një ligj vendos që zyrat publike nuk mund të kërkojnë apo të lëshojnë certifikata që duhet të përdoren nga zyra të tjera të administratës shtetërore. U hapet kështu rruga vetëcertifikimeve, pasi administrate publike mund të verifikojë vetë nëse informacionet e deklaruara janë të vërteta apo jo. Por ligji bën një përjashtim për dispozitat speciale që përmbajnë ligjet e rregulloret që kanë të bëjnë me imigracionin dhe të qenin i huaj”.
Do të thotë, për shembull, që një i huaj mund të vetëcertifikojë si të gjithë italianët rezidencën e tij, që nuk ka të bëjë me ligjin e imigracionit. Por kur kërkon ripërtëritjen e lejes së qëndrimit për studime duhet t’i japë kuesturës një certifikatë të universitetit që të dëshmojë provimet e dhëna. Po ashtu, një i papunë që kërkon lejeqëndrim për pritje punësimi duhet të pajiset me certifikatën e regjistrimit në Qendrën për Punën.
Përjashtimi duhej të zgjaste pak. Deri në 1 janar 2013, u shkrua fillimisht në ligj. Sa për kohën e nevojshme për vënien në rrjet të bankave të ndryshme të të dhënave të administratës publike, për shembull, ato të universiteteve, të Qendrave për punësimet, të Kuesturave dhe Prefekturave, në mënyrë që administrate të mund të verifikonte vetëdeklarimet e të huajve. Por erdhi e iku 1 janari 2013 e që nga ajo datë kanë nisur shtyrjet: fillimisht me nga 6 muaj, e më pas me nga një vit të tërë. Shtyrja e fundit parashikonte si datë fillimi të vetëcertifikimeve nga imigrantët 1 janarin 2016, por më 23 dhjetor 2015, mbledhja e fundit e Këshillit të Ministrave miratoi dekretin e radhës “Njëmijë shtyrjet” (quhet tamam kështu, “Milleproroghe”), në të cilin si zakonisht këto vitet e fundit përfshihej edhe shtyrja e mundësisë së vetëcertifikimit nga imigrantët. Praktikisht “shtyhet për më 31 dhjetor data, nga e cila shtetasit e vendeve joanëtare të BE-së, me qëndrim të rregullt në Itali, do të mund të përdorin vetëcertifikimet”. Të bëjnë radhë edhe këtë vit për të marrë certifikata sa në një zyrë publike në një tjetër. Duke pasur parasysh si kanë shkuar gjërat deri tani, vështirë të besohet se do të ndryshojë gjë ndonjëherë.
Elvio Pasca
(Ndiqni ShqiptariiItalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)