in

Në Romë vendos vetë kur të shkosh në Sportel për flukse, sanatore apo bashkim familjar

Përmes sistemit të ri të prenotimeve online, qytetari mund të vendosë vetë datën kur të paraqitet në Sportelin Unik të Imigracionit

Romë, 20 gusht 2013 – Për shtetasit e huaj që jetojnë në Romë dhe provincë, por edhe për punëdhënësit e tyre, marrëdhëniet me Sportelin Unik të Imigracionit (SUI) janë lehtësuar disi.

Prej dy javësh qytetarët mund të zgjedhin kur të paraqiten në strukturën e Prefekturës për praktikat që kanë të bëjnë me ta, si bashkimet familjare, flukset apo legalizimet (sanatoret).

Kjo falë sistemit të prenotimeve online përmes të cilit, duke futur kodin e kërkesës dhe datën e lindjes së kërkuesit apo të përfituesit, mund të merret një takim, pa pritur që Sporteli unik të nisë thirrjen.

Praktikisht nga dhënia e datës së takimit kalohet në vetëvendosjen e datës së takimit dhe shumë shpejt kjo do të e vetmja praktikë për të mbaruar punë: nëse qytetari nuk kujtohet të marrë takimin, do të thirret nga Sporteli Unik por pas tre muajve. Me pak fjalë ia vlen që qytetari të vihet në lëvizje, por është shumë e rëndësishme që para se të marrë takim të ketë në dorë të gjitha dokumentet që i nevojiten, përndryshe rrezikon t’i shkojë takimi dëm e të vihet në radhë për një takim tjetër.

Sistemi duket se funksionon. “Ka filluar vetëm prej dy javësh, me festën e 15 Gushtit në mes, e kemi mbi 500 qytetarë që kanë vendosur vetë takimet me sistemin e ri” thotë për Stranieriinitalia.it Fernando Santoriello, përgjegjës i Sportelit SUI të Romës.

“Procedura e re – shton ai – e bën më të ngushtë marrëdhënien mes qytetarëve dhe sportelit tonë dhe na mundëson përmirësimin e shërbimit në të mirë të të gjithëve, duke reduktuar kohën e pritjes. Mjafton të mendohet se deri më sot 40% e të thirrurve nga ne nuk paraqiteshin sepse nuk i kishin të gjitha dokumentet që u duheshin; pa përmendur ata që vinin por ishin të detyruar të riktheheshin për integrimin e praktikës. Tani ndryshon gjithçka: sapo kam në dorë dokumentet që duhen, vendos datën e paraqitem në Sportel”.

Takimet për të cilat vendoset vetë data e takimit janë:

1.     Bashkimet familjare për dorëzimin e dokumenteve të kërkuara;
2.     Tërheqja e autorizimit (nulla osta) për punë (flukse sezonale, josezonale, konvertime);
3.     Sanatoria: dorëzim i dokumentacionit të kërkuar dhe firma e kontratës së Qëndrimit (prenotimi mund të bëhet nga punëdhënësi apo punonjësi, por në datën e prenotuar duhet të paraqiten që të dy para sportelit unik);
4.     Procedura për hyrjen e parë të të huajve. Takimin mund ta marrin vetëm të huajt që kanë marrë vizë e kanë hyrë në Itali. Për hyrjen e parë të disa familjarëve mjafton vetëm një prenotim me kodin identifikues të kërkesës (RM) dhe datën e lindjes së kërkuesit.
5.     Informacione.

“Praktika – saktëson Prefektura – futet në sistem nga Sporteli kur është e plotësuar me gjykimet pozitive të Kuesturës dhe të Drejtorisë Territoriale të Punës dhe e gatshme për marrjen e takimit (‘in convocazione’). Në rast se praktika është akoma në përpunim e sipër, nëse qytetari lë adresën e-mail do të lajmërohet kur praktika e tij të jetë gati në mënyrë që të mund të prenotojë takimin”.

Prefektur ka vënë në dispozicion të qytetarëve një libërth udhëzimesh.
Kush has vështirësi mund të shkruajë në adresën e-mail immigrazione.pref_roma[at]interno.it: fut emër mbiemër, kodin e kërkesës dhe shpjegon problemet e ndeshura.

Elvio Pasca

 

“Po vijnë krushqit”. Interpretimi i mrekullueshëm i të rinjve zviceranë

Pensioni i emigrantit dhe sigurimi vullnetar pranë ISSh-së