in

Në Vlorë mungojnë rojet bregdetare, operatorët turistikë gjejnë zgjidhje personale

22 gusht 2010 – Bashkitë e Vlorës, Orikumit dhe komunës Qendër në rrethin e Vlorës nuk kanë marrë masat për pajisjen me rojet bregdetare përgjatë plazheve publikë në bregdetin e Vlorës, ç’ka ka detyruar operatorët turistikë të marrin vetë masa.

Specialistë të Drejtorisë së Policisë së Kufirit dhe Migracionit thonë për ATSH-në se, ky detyrim ligjor nuk është plotësuar nga pushteti lokal në Vlorë, Orikum dhe komuna Qendër.  Sipas tyre, janë ndërtuar disa kulla vrojtimi në plazhet publike, por ato janë jashtë funksioni, sepse mungojnë personat e nevojshëm që duhet të kryejnë këtë rol. Burime zyrtare të kësaj drejtorie, bëjnë të ditur se, në takime zyrtare u kanë kërkuar drejtuesve të njësive të qeverisjes vendore, të përmbushin këtë detyrim ligjor bashkë me atë të kufizimit të hapësirës detare të shfrytëzueshme nga plazhistët, për t’i mbrojtur ata nga rreziku i lëvizjes së pakontrolluar të mjeteve detare argëtuese, siç janë motorrët e ujit. Por, asgjë nuk është bërë nga këto.

“Aktualisht, në hapësirën detare në gjirin e Vlorës, nuk janë lejuar të përdoren motorrët e ujit, të cilët për shkak të mungesës së masave të nevojshme, mund të shndërrohen në rrezik për jetën e pushuesve”, thotë Astrit Balla, një nga drejtuesit e strukturave vendore të policisë së kufirit. Gjatë muajve të verës janë rregjistruar të paktën dy raste që persona të moshave të ndryshme humbën jetën, duke u mbytyr në det. Mungesa e shërbimit të rojeve bregdetare dhe faktorë të tjerë, kanë bërë që ata të mos marrin ndihmën e nevojshme.

Përkundër një mungese të tillë, mjaft nga operatorët turistikë, që ushtrojnë aktivitetin e tyre përgjatë bregdetit, kanë bërë zgjidhje individuale.

Vasil Bedini, administrator i kompleksit “Regina” në bregdetin e Rradhimës, shprehet se, për pjesën e plazhit që administron ka vënë në dispozicion një mjet të vogël lundrues dhe një person që e drejton dhe mban nën vëzhgim një pjesë të konsiderueshme të hapësirës detare.  “Roja bregdetare është një nga detyrimet, krahas shumë të tjerash, që qeverisja vendore nuk ka plotësuar ndaj nesh”, thotë Bedini. Ai sqaron se, sikundër ai edhe kolegë të tjerë, kanë caktuar persona dhe mjete të vogla për të mbajtur nën vëzhgim plazhet, që pushuesit të ndihen të sigurtë.

1979 – Kur Nënë Tereza për Shqipërinë ishte “agjente e Vatikanit”

Pushime në Shqipëri, mes veprimtarish të ndryshme artistike