in

Neritan Ceka nuk do të jetë më ambasador i Shqipërisë në Romë

Nishani dekreton shkarkimin e tij nga detyra

Tiranë, 6 janar 2016 – Presidenti i vendit Bujar Nishani ka dekretuar sot shkarkimin nga detyra të disa ambasadorëve, mes të cilëve edhe Neritan Ceka, ambasador i Shqipërisë në Itali.

Neritan Ceka, 74 vjeç, arkeolog e profesor, ka ardhur si ambasador në Romë rreth tre vjet më parë, në kohën e qeverisë Berisha. 29 maj 2013 dorëzoi letrat kredenciale pranë presidentit italian Napolitano. Ai është një nga themeluesit e Partisë Demokratike (nga e cila u largua më pas) dhe nga viti 1991 deputet në Kuvend për disa legjislatura. Në vitin 2009 u kandidua për President i Shqipërisë. Para se të caktohej ambassador, udhëhiqte partinë Aleanca Demokratike dhe ishte këshilltar i kryeministrit Berisha për Kulturën.

Me ardhjen në fuqi të qeverisë Rama, ndër shkarkimet e para të ambasadorëve që iu kërkuan presidentit Nishani ishte pikërisht Neritan Ceka. Sepse vënia e tij në atë post ishte një zgjedhje politike e Berishës pohonte mazhoranca e re. Për opozitën, kërkesa e shkarkimit kishte si shkak qëndrimin e hapur të mbajtur nga Ceka ndaj Ramës vetëm pak javë para zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, pas të famshmit incident të shkuljes së veshit të djalit të Ambasadorit, nga kryetari i PS-së.

Këtë tezë të dytë ka mbështetur me sa duket edhe presidenti Nishani që nuk e kishte dekretuar deri më sot shkarkimin e tij, megjithë kërkesën e herëpashershme në këtë drejtim të qeverisë Rama. Madje në tetor 2014, Nishani u shpreh hapur në televizion: Nuk ka asnjë motiv për shkarkim, Neritan Ceka do të qëndrojë në Romë deri në fund të mandatit dhe pastaj do të largohet”. Me sa duket, pas mëse një viti ka ndërruar mendje.

 

Dhurata e re e Lulzim Vulashit, ushqime me gjysmë çmimi për të moshuarit

Italia e gatshme të rifusë kontrollet në kufi me Slloveninë