in

Nga Belle Air në Blu Express me 60 euro më shumë

Kush ka një biletë Belle Air, për apo nga një prej shtatë aeroporteve ku operon Blu Express, për cilëndo datë, mund të bëjë biletën mbrojtëse, por duke paguar 60 euro për çdo fluturim

Nga 25 nëntori Blue Panorama, shoqëria italiane e fluturimeve Blu Express ka shtuar mes destinacioneve të veta edhe Rinasin. Por vetëm për dhe nga Bergamo (Orio Al Serio), Bolonja, Milano Malpensa, Roma Fiumicino, Pisa, Venecia dhe Verona. Po të shkosh në faqen e saj blu-express.com sheh seçmimet janë të mirë, apo edhe më të mira se ato të Belle Air-it kohët e fundit. Për shembull për fluturime nga Roma e Milano drejt Rinasit për këto ditë biletat janë nga 70,50 deri në 90,50 euro, por vetëm nëse udhëtohet me valixhen që merret me vete në kabinë me peshë deri në 10 kg: po të kërkohet të vihet një valixhe në stivën e avionit, bileta rritet me 20 euro të tjerë. Kujt i duhet të shkojë në Shqipëri, e të presë sot një biletë, Blu Express duket me leverdi.

Por problemi është, se për ata që kanë në xhep një biletë Belle Air, edhe këto çmime janë një haraç (i lartë) më shumë që paguhet.

Mbrëmjen e 25 nëntorit me një njoftim të ri në mediat shqiptare, Belle Air bën të ditur që “kompania siguron që të gjithë pasagjerët e saj do të kontaktohen për procedurat e rimbursimit ose të modifikimit të biletës me mbrojtje të ofruar nga kompana Blue Panorama Airlines. Çmimi i biletës mbrojtëse është 60 euro/segment. Për çdo informacion kontaktoni në +355.42.390.111 ose +39.06.989.56666”.

Për të pasur informacion më të saktë telefonojmë numrin e Blu Express të Romës (+39.06.989.56666) dhe pas shumë telefonatash më në fund përgjigjen: “Nëse keni një biletë Belle Air për apo nga një prej shtatë aeroporteve ku operojmë ne (Bergamo (Orio Al Serio), Bolonja, Milano Malpensa, Roma Fiumicino, Pisa, Venecia dhe Verona), për cilëndo datë mund të bëni biletën mbrojtëse duke paguar 60 euro që përfshin bagazh prej 10 kg në kabinë dhe 20 kg në stivë. – thonë për shqiptariiitalise.com – Për të bërë biletën mbrojtëse, operatorja e Blu Express këshillon të keni përpara kodin e biletës Belle Air, emrin e udhëtarit dhe kartën e kreditit”.

Përveç shpenzimit të konsiderueshëm, duket relativisht e thjeshtë, të paktën për ata që kanë një biletë për e nga shtatë qytetet e lidhura me Rinasin nga Blu Panorama.

Për gjithë të tjerët shpresohet që në mbrojtje të interesit të udhëtarëve të ndërhyjnë edhe ministria e Transporteve, Autoriteti i Aviacionit Civil, Zyra e Mbrojtjes së Konsumatorit e Avokati i Popullit në mënyrë që çështja e rimbursimit të zgjidhet sa më shpejt.

K.B. Shqiptari i Italisë

Lexo edhe: Alitalia e Air One shtojnë fluturimet për Shqipëri

Il lungo cammino dell’Albania verso l’Europa

Alitalia e Air One shtojnë fluturimet për Shqipëri