in

Nga e premtja, “Ballkan Bazar” në sallat kinematografike italiane

Nga 15 korriku, Ballkan Bazar shfaqet në Romë, Milano, Torino, Bari, Udine, Ancona, Catania. Më 15 korrik, në Romë, në kinemanë Greenwich do të jetë i pranishëm edhe regjisori Budina

Nga 15 korriku, filmi Ballkan Pazar, vepra e fundit e regjisorit dhe aktorit shqiptar Edmond Budina, do të shfaqet në sallat italiane, e shpërndarë nga Mediaplex Italia. Filmi është prodhim italo-shqiptar; ka lindur nga bashkëpunimi i Mediaplex Italia dhe Erafilm.

Nga kjo e premte, do të nisë shfaqja e filmit në Torino (Kinema Empire), Milano (Multisala Eliseo), Romë (Multisala Greenwich), Ankona (Multisala Goldoni), Bari (Multisala Showville), Catania (Multisala Ariston), Udine (Multisala Il Visionario). Pas një jave, do të nisë shfaqja e filmit edhe në Padova, Firence, Pescara, e me radhë. Më 15 korrik në kinemanë Greenwich në Romë, do të jetë i pranishëm edhe regjisori Edmond Budina.

Filmi u prezantua më 22 qershor për shtypin në kinemanë Quattro Fontane në Romë dhe u prit shumë mirë nga kritika. Në konferencën e shtypit pas shfaqjes së filmit u diskutua përveç filmit si vepër artistike, që u konsiderua një tragji-komedi që pasqyron këndshëm dhe me humor realitetin ballkanik, edhe për polemikën që ai ka shkaktuar në Shqipëri. Filmi trajton në mënyrë humoristike një ngjarje të hidhur të ndodhur kohët e fundit, atë të zhvarrosjes së eshtrave të shqiptarëve të rivendosur më pas në varreza të rreme ushtarësh grekë. E gjithë kjo nën ndikimin e interesave të caktuar grekë që kanë pretendime ndaj zonave kufitare jugore të Shqipërisë.

Pas premierës së mirëpritur nga publiku dhe kritika në Festivalin e 15-të të Filmit në Sofje, vepra e Budinës, i cili prej shumë vjetësh jeton në Itali, i është ofruar fillimisht publikut shqiptar nga muaji prill. Ka patur një pritje shumë të mirë si nga publiku ashtu dhe nga kritika.

Në Itali Edmond Budina është njohur në vitin 2003 me filmin “Lettere al vento” (Letra në erë) i cili ka marrë pjesë në mbi 30 festivale e ka fituar disa çmime. Gjithashtu ai ka qenë për shumë kohë pjesë e trupës së aktorëve të serialit të njohur  “Un posto al sole”, ku luante rolin e Nikos.

Merrnin pensionin social pa pasur të drejtë. Telashe për 23 pleq të huaj

Klaudio Ndoja, një gladiator në Brindisi