in

Nga Papa e Obama te Putin e Assad. Reagimet pas sulmeve terroriste në Bruksel

Sulmet terroriste të mëngjesit të sotëm në Bruksel, ku kanë gjetur vdekjen të paktën 34 persona e kanë tronditur jo vetëm kryeqytetin evropian por mbarë botën, kanë shkaktuar reagimet e autoriteteve më të larta në të katër anët e Botës. Shprehin solidaritet me Brukselin e popullin belg dhe premtojnë bashkim forcash për një luftë të gjithanshme ndaj terrorizmit.
Papa Françesku: I lutem Zotit për paqen

Papa Françesku “dënon dhunën e verbër që provokon kaq shumë dhimbje” dhe i lutet Zotit “për dhuratën e paqes”. Kjo lexohet në mesazhin e ngushëllimit për viktimat e atentateve terroriste që ndodhën sot në mëngjes në Bruksel, që sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, i nisi në emër të Atit të Shenjtë, arqipeshkvit të Brukselit, imzot Jozef De Kesel.

Obama: Bota të bashkohet përballë kërcënimit të sigurisë së popujve

Presidenti amerikan, Barack Obama dënoi sot nga Havana atentatet që goditën Brukselin, duke i bërë thirrje botës që të bashkohet përballë atyre që kërcënojnë sigurinë e popujve në të gjithë botën.

“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur miqtë dhe aleatët tanë”, deklaroi Obama, që sot ka biseduar edhe me kryeministrin belg, Charles Michel, për t’i shprehur mbështetjen e tij.

Assad: Terroristët po vijnë së bashku me refugjatët, ndalojini sa jeni në kohë

“Franca njohur sot atë që në Siri po jetojmë prej 5 vitesh”, kështu u shpreh Assad, president i Sirisë, në 13 nëntor kur Parisi u përgjak.

Ai ka reaguar edhe sot pas sulmeve në Bruksel.

“Terroristët po vijnë së bashku me refugjatët, ndalojini sa jeni në kohë”, ka thënë Assad.

Sipas tij politika e mikpritjes së refugjatëve nga BE ka bërë që të marrin edhe shumë terroristë mes tyre.

“Ky rrezik dihej nga Europa, por është injoruar. Terrorizmi nuk do të ndalet. Do të vijojë të eksportohet në Europë përmes emigracionit”, ka thënë Assad.

Ai ka thënë se Europa duhet të ndalojë fluksin e refugjatëve dhe të mbështesë regjimin sirian, që mund të ndalojë prurjet e reja në Europë.

Kryeministri belg Michel: Belgjika u godit nga dy atentate të verbra, të dhunshme dhe të shëmtuara

Kryeministri belg, Charles Michel dënoi sot atentatet e verbra, të dhunshme dhe të shëmtuara që prekën Brukselin në dy zona, në hollin e aeroportit ndërkombëtar të Brukselit, Zaventem dhe në stacionin Maalbeek të metrosë në lagjen Evropiane.

“Ne i trembeshim një atentati dhe ndodhi”, tha Michel gjatë një konference për shtyp duke i kërkuar popullsisë të jetë e qetë dhe solidare.

Dy sulmet kanë bërë shumë të vdekur dhe shumë të tjerë janë të plagosur rëndë”, theksoi Charles Michel.

Tusk dënon sulmet terroriste në Bruksel

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk shpreu sot “tmerrin” pas sulmeve terroriste që kanë bërë të paktën 21 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur sot në mëngjes në aeroportin ndërkombëtar të Brukselit dhe në metronë e kryeqytetit belg.

“Këto sulme shënojnë një nivel të ri të ulët nga terroristët në shërbim të urrejtjes dhe dhunës”, theksoi Tusk në një komunikatë.

Mogherini: Një ditë e trishtë për Evropën

E përlotur, shefja evropiane e diplomacisë, Federica Moherini, e cilësoi të martën si një ditë shumë të trishtë për Evropën pas sulmeve në Bruksel që kanë bërë të paktën 21 të vdekur [numri i të vdekurve, në të vërtetë, ka shkuar në 34], gjatë një konference për shtyp në Aman të Jordanisë.

“Është një ditë shumë e trishtë për Evropën, në një moment ku Evropa dhe kryeqyteti i saj vuajnë të njëjtën dhimbje që ky rajon [Lindja e Mesme] ka njohur dhe njeh çdo ditë”, deklaroi Mogherini, me lotë në sy, pranë ministrit jordanez të Punëve të Jashtme, Nasser Judeh.

Renzi: Kërcënimi global, por vrasësit janë vendas

“U godit Belgjika, kryeqendra e zemra e Evropës. Është çasti të themi pa i rënë rrotur: atentatorët vinin nga vetë vendet e goditura, kërcënimi është global, por vrasësit janë edhe lokalë. Armiku fshihet në qytetet tona, në periferitë e kryeqyteteve evropiane.” kështu tha kryeministri italian Matteo Renzi duke folur për sulmet terroriste të Brukselit.

Ndërsa ministri i Brendshëm Angelino Alfano konfirmoi: “Në Itali alarmi mbetet në nivelin 2. Por është e nevojshme të miratohet një sistem të integruar kontrollesh të të gjitha vendeve të BE-së”.

Putin: Sulmet terroriste në Bruksel një krim barbar

Sulmet e sotme terroriste në Bruksel janë një krim barbar, deklaroi presidenti rus, Vladimir Putin.

“Lufta kundër këtij djalli kërkon nivelin më të lartë të bashkëpunimit aktiv ndërkombëtar’’, deklaroi Putin me anë të një komunikate.

Presidenti Putin u shprehu ngushëllimet familjarëve të viktimave dhe mbretit belg, Philippe.

‘’Të paktën 21 të vdekur dhe shumë të plagosur në atentatet që ndodhën sot në Bruksel’’, sipas të dhënave provizore që vijnë nga zjarrfikësit.

Ka 11 të vdekur në aeroportin Zaventem dhe 10 të tjerë në stacionin Maalbeek, në lagjen evropiane ku ka pasur gjithashtu një shpërthim të fuqishëm në metro.

Cazeneuve: Të përforcohet lufta antiterrorizëm në nivel evropian. Hollande: “Goditet e gjithe Evropa”

Franca kërkon një përforcim të luftës kundër terrorizmit në nivel evropian, deklaroi sot ministri francez i Brendshëm, Bernard Cazeneuve, duke deklaruar një rritje të forcave të policisë në vend pas atentateve në Bruksel.

Presidenti francez, François Hollande deklaroi sot në një komunikatë se nëpërmjet atentateve në Bruksel, është goditur e gjithë Evropa.

Evropa duhet të marrë masat e domosdoshme përballë nivelit të lartë të kërcënimit”, shtoi presidenti francez.

“Franca, që është sulmuar gjithashtu në janar dhe nëntor do të bëjë pjesën e saj”, vazhdoi ai.

Merkel: Sulmeve terroriste t’u përgjigjemi me solidaritet dhe vendosmëri

Sulmeve terroriste duhet t’u përgjigjemi me solidaritet dhe vendosmëri, deklaroi sot kancelarja gjermane, Angela Merkel.

“Sulmet e urryera në Bruksel duhet të na bashkojnë. Solidaritet me viktimat dhe vendosmëri përballë terroristëve’’, deklaroi në emër të kancelares gjermane zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert në Twitter.

Lofven (Suedi): Sulm kundër Evropës demokratike

Shpërthimet në Bruksel sot në mëngjes përbëjnë një sulm kundër Evropës demokratike, deklaroi kryeministri suedez Stefan Lofven.

“Është një sulm kundër Evropës demokratike. Ne nuk do të pranojmë kurrë që terroristët të sulmojnë shoqëritë tona të hapura”, shkruan shefi i qeverisë suedeze për agjencinë e lajmeve TT.

Nga ana tjetër homologu i tij danez, Lars Lokke Rasmussen dënoi me një mesazh në profilin e tij Twitter “një sulm të shëmtuar”.

“Mendimet e mia shkojnë për viktimat dhe familjet e tyre. Ne jemi të gjithë në krahë të Belgjikës”, shtoi ai.

Davutoglu (Turqi) dënon ashpër atentatet vdekjeprurëse në Bruksel

Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu ka reagur ashpër në lidhje me sulmet e sotme në Bruksel, njoftoi agjencia zyrtare turke e lajmeve, Anadolu Agency (AA).

“Dënoj sulmet të cilat kanë treguar edhe njëherë fytyrën globale të terrorizmit në ngjarjen e ndodhur sot në orët e mëngjesit në Bruksel”, deklaroi Davutoglu.

”Gjithashtu dëshiroj të shpreh ngushëllimet për qeverinë dhe popullin belg si dhe shpreh ndjenjat e solidarizimit në emër të popullit tonë”, shtoi ai.

Muajt e fundit edhe Turqia ka qenë skenë e atentateve të shumta vdekjeprurëse, sidomos në Ankara dhe Stamboll.

Al Azhar (Egjipt): Atentatet në Bruksel shkelin mësimet e islamit

Al Azhar, instituti prestigjoz islamik sunit që ndodhet në Egjipt, dënoi sot sulmet e përgjakshme në Bruksel, duke vlerësuar se shkelin mësimet tolerante të islamit.

“Këto krime të urrejtjes shkelin mësimet tolerante të islamit”, thotë në një komunikatë ky institucion.

“Nëse komuniteti ndërkombëtar nuk bashkohet për t’u përballur me këtë epidemi, të korruptuarit nuk do të pushojnë kurrë të zhvillojnë krimet e tyre të ndyra kundër të pafajshmëve”, thuhet në këtë komunikatë.

Trump: Belgjika është shndërruar në një film ”horror”

Kandidati republikan për presidencialet amerikane, Donald Trump e cilësoi situatën në Belgjikë, të prekur nga atentate të përgjakshme sot në mëngjes, si një film ”horror”, duke theksuar se kryeqyteti belg është shndërruar në një katastrofë.

“Ju kujtohet se sa vend i bukur dhe i sigurt ishte Brukseli. Nuk është më kështu, është një botë tjetër! SHBA-ja duhet të jetë vigjilente dhe inteligjente”, komentoi republikani në Tëitter.

“Brukseli ishte një qytet i bukur, aty kishte zero dhunë. Tani është shndërruar në një katastrofë, një rrëmujë totale”, theksoi ai për “Fox neës” duke përfituar nga kjo intervistë për të ritheksuar propozimet e tij që të ndalohet hyrja përkohësisht e myslimanëve në tokën amerikane nga frika se ndonjë ekstremist mund të fshihet mes tyre.

“Belgjika nuk është më Belgjika (…) Belgjika është shndërruar në një film ”horror”. Gjëra të tmerrshme po ndodhin. Njerëzit largohen, kanë fikë. Dhe e gjithë kjo sepse njerëzit nuk integrohen”, deklaroi ai në një emision tjetër për kanalin televiziv NBC.

 

 

 

Gjiri i Bramit, një nga bukuritë e panjohura të bregdetit shqiptar

Gjermani. Arrestohen 3 kosovarë që vinin nga Brukseli