in

Nga Shqipëria në Itali: me apo pa vizë?

Jam një shqiptar. Kam lexuar se për të hyrë në Itali nuk duhet më vizë. Është e vërtetë?

Lajmi që ke lexuar është i vërtetë, por vetëm pjesërisht sepse akoma nuk është dhënë aprovimi përfundimtar i rezolutës për heqjen e vizave për shtetasit e Shqipërisë dhe të Bosnjë-Hercegovinës që duan të hyjnë në zonën Shengen. Nëse miratohet edhe nga Ministrat e Brendshëm të BE-së, në fillim të nëntorit, siç është shumë e mundshme, ajo do të hyjë në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare, me gjasë para Krishtlindjeve 2010.

Parlamenti Europian ka miratuar më 7 tetor raportin e eurodeputetes Tanja Fajon për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën. Shqiptarët e boshnjakët nuk duhet të kërkojnë vizë për të qëndruar në vendet e zonës Shengen për një periudhë të shkurtër kohe, ose më saktë për një periudhë maksimale deri në 90 ditë.

Ajo që do të ndodhë, ka shumë mundësi të jetë njëlloj me ç’ka ndodhur para gati një viti me shtetasit e Serbisë, Malit të Zi dhe të Maqedonisë.
Për të mund të përfituar nga liberalizimi i vizës, duhet të kesh pasaportë biometrike, nëse nuk e ke, viza është e nevojshme. Pasaporta biometrike ka brenda një mikrocelulë (mikroçip) ku janë të regjistruara edhe shenjat e gishtërinjve.

Rregullat e reja do të vlejnë vetëm për ata që udhëtojnë për turizëm, mision, biznes, me ftesë të dikujt, për studime maksimumi për një periudhë tre-mujore. Me liberalizimin e vizave, shqiptarët e boshnjakët do të mund të lëvizin në hapësirën e Shengenit, që praktikisht janë të gjitha vendet e bashkimit Europian, me përjashtim të Britanisë së Madhe, Irlandës, si edhe në Zvicër, Norvegji dhe Islandë, maksimumi, për 90 ditë nga data e hyrjes, brenda një periudhe prej 180 ditësh (6 muaj).
Kjo do të thotë që mund të bëhen udhëtime të shkurtra, me kusht që kohëzgjatja e tyre të mos i kapërcejë të 90 ditët brenda një periudhe prej gjashtë muajsh (180 ditësh).

Ata që udhëtojnë lirisht në vendet e zonës Shengen me pasaportë biometrike nuk duhet të dëshmojnë kushte të veçanta financiare ose administrative, megjithatë duhet mbajtur parasysh që mbeten në fuqi të gjitha rregullat standard për ardhjen e qytetarëve të vendeve të treta. Pra mund të ndodhë që kur mbërrin në kufi mund të të kërkohet që të dëshmosh shumën që ke parashikuar për shpenzimet e udhëtimit ose mund të të kërkohet që të tregosh saktë vendin ku do të banosh.
Autoritetet kufitare të vendeve të zonës Shengen kanë të drejtë që të mos lejojnë hyrjen, nëse këto kushte nuk respektohen, dhe të marrin një vendim përfundimtar për sa i përket aprovimit për të hyrë në vend.

Nuk duhet harruar që këto rregulla të reja do të vlejnë vetëm për të udhëtuar për periudha të shkurtra, nuk do të të japin mundësinë për të qëndruar më shumë se tre muaj ose për të gjetur punë. Për këtë duhet paraqitur kërkesa për një vizë afatgjatë pranë Ambasadës ose Konsullatës së vendit të zonës Shengen ku dëshiron të shkosh. Pra një shtetas shqiptar që dëshiron të vijë për të punuar në Itali, duhet gjithsesi të kalojë nëpërmjet mekanizmit të dekretit të flukseve dhe të kërkojë një vizë hyrjeje për punë.

Mbeten të pandryshuara detyrimet që ka i huaji pasi hyn në Itali. Kush vjen në Itali për të qëndruar për një periudhë maksimumi nëntëdhjetë ditore, nuk duhet të kërkojë lejeqëndrim, por duhet të informojë Policinë. Nëse mbërrin drejtpërsëdrejti në Itali nga një vend jo anëtar i Bashkimit Europian, mjafton që të kërkojë t’i vihet vula në kufi. Nëse vjen në Itali pasi kalon në një tjetër vend i zonës Shengen, duhet t’i paraqesë në Polici një deklaratë pranie brenda tetë ditësh nga dita e arritjes. Për ata që qëndrojnë në hotele, kampingje ose struktura të tjera turistike, deklarata bëhet drejtpërdrejt nga struktura.

Avv. Marinagela Lioy

Stiffoni (Lega): “T’u mbyllim dyert shqiptarëve e boshnjakëve”

ISTAT: Mbi 4,2 milionë të huaj kanë zgjedhur të jetojnë në Itali