Shfuqizohet vetëm me votat e mazhorancës pjesa e ligjit të mbetjeve që mundësonte importin. Rama: “Për sa kohë që Shqipëria nuk do të jetë në gjendje të mbledhë, të ndajë, dhe përpunojë plehrat që prodhon vetë, nuk do të hyjnë në vend plehra të tjera”
Tiranë, 10 tetor 2013 – Kuvendi miratoi sot ndryshimet e propozuara në Ligjin e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve me votat e maxhorancës, ndërkohë që në sallën e Kuvendit mungonte opozita Ligji mori 75 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Ndryshimi ligjor i miratuar sot, i propozuar nga qeveria që në mbledhjen e saj të parë, ndalon kategorikisht importin e mbetjeve në nenin dy që thotë: “Ndalohet në të gjitha rastet importimi i mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë.” Veç kësaj, kërkohet që “subjektet, të cilat, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë pajisur me autorizim për importimin e mbetjeve jo të rrezikshme, janë të detyruara që, për sasinë e mbetjeve që kanë importuar deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të përfundojnë procesin e riciklimit, brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit” siç parashikojnë dispozitat kalimtare të normës së miratuar sot.
”Projektligji për ndryshimin e disa neneve në Ligjin e menaxhimit të Integruar të Mbetjeve sjell rritjen e interesit për riciklimin e mbetjeve që gjenerohen në vend dhe pakëson sasinë e tyre në depozitim, duke bërë të mundur reduktimin e ndotjes së mjedisit”, tha ministri i Mjedisit, Lefter Koka, gjatë prezantimit të ndryshimeve në ligj. Koka tha se tre nenet e propozuara për t’u ndryshuar erdhën si nismë e shoqërisë civile, e mbështetur nga Partia Socialiste për ndalimin e importit të mbetjeve në Shqipëri. Në fakt, miratimi i ndryshimit të ligjit e bën të panevojshme mbajtjen e referendumit kundër importit të plehrave, kërkuar nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave dhe që ishte dekretuar nga Presidenti i Republikës për t’u mbajtur më 22 dhjetor 2013.
Rama: “Për sa kohë që Shqipëria nuk do të jetë në gjendje të mbledhë, të ndajë, dhe përpunojë plehrat që prodhon vetë, nuk do të hyjnë në vend plehra të tjera”
Kryeministri Edi Rama u deklarua i prerë sot për ndalimin e importit të mbetjeve të riciklueshme.
Duke folur në seancën e Kuvendit, ndërsa diskutoheshin ndryshimet në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, kreu i Qeverisë theksoi se “plehrat nuk do të hyjnë asnjëherë në vendin tonë, deri ditën që Shqipëria do të jetë në gjendje të ndajë, të mbledhë dhe përpunojë plehrat që prodhon vetë. Deri atë ditë, nuk kemi asnjë zgjidhje tjetër, veçse të respektojmë shëndetin e çdo qytetari dhe interesat publike”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, importi i mbetjeve të riciklueshme është burim pastrimi parash dhe se në këtë sektor përfshihen edhe interesa të mafias.
Duke iu referuar standardeve ndërkombëtare, Kryeministri bëri të ditur se ka dy kategori vendesh që importojnë mbetje të riciklueshme. “Ka vende me standarde dhe garanci maksimale të trajtimit dhe kontrollit të mbetjeve, që e lejojnë importimin e tyre dhe vende të tjera me standardet më të ulta të kontrollit dhe manaxhimit të tyre. Fatkeqësisht Shqipëria bën pjesë tek kategoria e dytë, ndaj ndalimi është gjëja më e mirë”, tha Rama.
Duke folur më gjerë për mjedisin dhe ndotjen, Edi Rama theksoi se qeveria e tij “do të shkurtojë rrugën drejt një realiteti të ri mjedisor, siç nuk ka qenë e mundur të bëhet 20 vite të shkuara”. “Ne do të heqim plehrat nga sytë e çdo kujt, nga sytë e çdo turisti, që në këtë situatë nuk mund ta ftojmë më të vizitojë vendin tonë”, premtoi.
Peleshi: “Ndalimi i importit të mbetjeve kthen vëmendjen tek mirëmenaxhimi i atyre që krijohen në vend”
Zëvendës kryeministri Niko Peleshi, duke folur në seancën e sotme plenare në Kuvend, tha se lejimi i importit të mbetjeve nga jashtë përkeqëson mënyrën e menaxhimit të mbetjeve në vend.
Duke vënë në dukje angazhimin programor të qeverisë për një mjedis ekologjikisht të pastër, ai foli edhe për neglizhencën e deritanishme të qeverive në raport me këtë çështje, ndër më të diskutuarat e kohëve të fundit në të gjitha nivelet e shoqërisë dhe administratës. “Të nxisësh importin e mbetjeve të integruara, do të thotë të plotësosh kërkesat e një grupi biznesi, të cilin ne nuk e injorojmë, dhe të lësh menaxhimin e mbetejeve në vend, në nivelet e deritanishme të papranueshme dhe jashtë çdo standardi”, tha ai.
Ai u shpreh se “niveli i mbetjeve të prodhuara në vend plotëson mjaftueshëm kërkesën dhe kapacitetet për riciklim të këtyre bizneseve”. Sipas tij, është e nevojshme që vëmendja, investimet dhe donacionet të përqendrohen tek zgjidhja e problemit të menaxhimit të mbetjeve të brendshme, duke u hapur rrugë ngritjes së njësive të menaxhimit të tyre, nëpërmjet ndarjes që në burim.
Në vlerësimin e tij, për të zgjidhur një herë e mirë çështjen e mbetjeve të riciklueshme, kërkohet bashkëpunim dhe koordinim i punës mes dy pushteteve, qëndror dhe lokal, proces ky që, sipas tij, ka munguar deri tani.
Shqipëria nuk ka akoma mundësi të menaxhojë e të riciklojë mbetjet
Në Shqipëri nuk janë ngritur ende kapacitetet e nevojshme për menaxhimin dhe riciklimin e mbetjeve, ishte kryefjala e debatit të ministrave në punimet e seancës plenare të Kuvendit për ndryshimin në ligjin “Për Menaxhimin e Integruar të Mbjetjeve”.
Sipas ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, “krijimi, mbledhja dhe trajtimi i mbetjeve në vend do të realizohej sipas standardit që garanton një impakt ndotës në kufijtë e pranueshëm, por nuk besoj se dikush mendon se mbetjet trajtohen sipas standardeve dhe për më tej impakti i ndotjes që kanë dhënë ndotjet në vend kanë kaluar shpesh edhe jashtë kufijve”.
Me modifikimin e ligjit, theksoi ai, “shqiptarët do të përfitojnë shumë më tepër se sa do të përfitonin nga importimi i mbetjeve”. “Me ndërhyrjen në ligj, i përshtatemi direktivës europiane, e cila kërkon që çdo vend të menaxhojë mbetjet e veta sa më afër burimit”, tha Haxhinasto.
Në të njëjtën linjë ishte edhe ministrja e Zhvillimit Urban dheTurizmit, Eglantina Gjermeni, e cila në fjalën e saj theksoi se ndalimi i importit të mbetjeve është jo vetëm premtim i mbajtur i kësaj maxhorance, por edhe fillim i angazhimit që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Këto ndryshime në ligj sjellin efekte pozitive në mjedis. Janë 80 subjekte që ushtrojnë veprimtari ricikluese. Mbetjet që krijohen në vend janë të majftueshme për të përballuar nevojat e industrisë së riciklimit pa patur nevojën për të importuar. Në Shqipëri nuk janë ngritur ende kapacitetet për menaxhimin dhe riciklimin e mbetjeve. Importi i mbetjeve nga jashtë janë burim i pastër sëmundjesh dhe demtojnë në mënyrë të parikuperushme mjedisin”, deklaroi Gjermeni.
Lexo edhe: Deutsche Welle: “Shqipëria po mbytet nga plehrat”