in

Ngjarjet që i dhanë tonin vitit 2011 në Shqipëri

21 janari

Publikimi i bisedës Meta Prifti, ishte vetëm shkëndija e cila në fillim të vitit bëri që të shpërthente atë situatë të mahisur prej afër një viti e gjysmë tensioni politik, me protesta, bojkot e greva urie të opozitës. Asambleja socialiste thirri protestën e radhës më 21 janar. Një protestë e cila do të paraprihej nga deklarata të forta.

“S’mund ta pengojmë dot më popullin të marrë në dorë fatin e vet”, deklaroi kryetari socialist Rama.

“Çdokush që shkel ligjin do të përballet me forcën e ligjit”, do shprehej nga ana tjetër Ministri i Brendshëm Lulzim Basha.

Rreth orës 14 protestuesit e parë mbërrijnë pranë kryeministrisë e rrethuar nga një mur disa radhësh forcash policie. Shumë shpejt qetësia do të prishet dhe situata do të rëndohet me përplasje mes palësh.

Policia për një moment tërhiqet, ndërsa në oborrin e kryeministrisë rreshtohet Garda  dhe përdoren armët e zjarrit.

Bilanci do të jetë tragjik 4 persona do të mbeten të vrarë, të tjerë do të plagosen nga plumbat, ndërsa me vonë sheshi do të zbrazet dhe policia nuk do të kursejë dorën e fortë.

Dhuna në shesh do të zëvendësohet nga ajo verbale mes përfaqësuesve politik.
“Institucionet e këtij vendi, kurrë, nuk ka  bandë as banditë, nuk ka puç as puçist, që do të mund t’i marrë ato”, deklaroi në daljen e tij të pare publike kryeministri Berisha.

“Pasi të nderojmë të vrarët në një demonstratë për lirinë dhe Drejtësinë e siguroj Saliun se do të na ketë përballë”, u kundërpërgjigj zoti Rama.

Mbi të vrarët për disa orë do të ketë paqartësi. “Të dhënat paraprake, të ekspertëve dhe mjekëve të reanimacionit është se ata janë qëlluar nga afër me armë të lehta”, u shpreh kryeministri.

Por në mbrëmje vonë, pamjet e transmetuara nga News 24 i dhanë një kthesë zhvillimeve dhe nën akuzë të drejtpërdrejtë u vu Garda e Republikës. “Unë e akuzoj direkt Sali Berishën si orkestruesin politik të kësaj kasaphane. Por tani pas provave, fakteve e grupfakteve që sapo pamë dhe disponojmë nga kjo ditë tragjike, unë akuzoj Lulëzim Bashën si njeriun që duhet të përgjigjet përpara ligjit për shpërdorim detyre me pasojë vrasjen e tre njerëzve”, u shpreh pak pas mesnatës kryetari socialist.

Ditët e mëpasshme do të shënohen nga një retorikë tejet e ashpër.
“Mjeran mos guxo. Kaq të them”, deklaroi zoti Berisha duke ju drejtuar kryetarit të opozitës.

“Kryeministria u kthye në një llogore grykash zjarri duke nxjerr në pah plotësisht dorën kriminale të këtij regjimi vrastar”, u shpreh zoti Rama.

“Në një grusht shteti mund të vriteshin tre, mund të vriteshin shumë më tepër, mund të mos vritej njeri. Nëse prek më institucionet do të jetë ai dhe vetëm ai, kryebandiditi që do të marrë të gjithë koston e tyre. Askush tjetër”, paralajmëroi kryeministri në mbledhjen e qeverisë.

“Retorika fashiste e Saliut ndaj opozitës nuk çudit askënd dhe nuk tremb as pulat në Vucidol”, u kundërpërgjigj Rama.

Diplomacia ndërkombëtare do të vihet me urgjencë në lëvizje. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi europian do të koordinojnë veprimet duke dërguar disa herë në Tiranë përfaqësues të tyre të lartë. Situata rrezikon të përkeqësohet. Të dy palët kanë njoftuar për manifestime. Nën trysninë ndërkombëtare kryeministri tërhiqet, duke marrë vlerësimin si “Burrë shteti” nga ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu.  Opozita nuk bën pas. Manifestimi i dytë i saj do të zhvillohet më 28 Janar, në heshtje dhe paqësisht .

Situata është ende e nderë. Sulmeve të forta të shumicës nuk i shpëton as Prokurorja e përgjithshme e cila kishte urdhëruar arrestimin e 6 drejtuesve të lartë të Gardës së republikës. Policia për ditë të tëra nuk pranon të zbatojë urdhrin. Ata do të ndalohen shumë kohë më pas. Disa do të lirohen dhe vetëm njëri do të mbetet në qeli, oficeri i cili u dallua në pamjet televizive. Në krah të kryeprokurores Ina Rama do të shfaqet ambasadori amerikan. Ndërkombëtarët i japin mbështetje hetimeve të pavarura, e po ashtu edhe presidentit Topi i cili ashtu si dhe kryeprokurorja u cilësuan si pjesë e pucit. “Ata që flasin për ngjarje bulevardi nuk janë gjë tjetër veçse, më falni për shprehjen, horrat dhe laviret e bulevardit”, deklaroi Kryeministri në një konferencë shtypi.

Shumica do të kërkojë më tej që ata të hetohen nga Komisioni parlamentar I ngritur nga dy ditë pas ngjarjes. Presidenti refuzon në mënyrë kategorike paraqitjen, si një shkelje të kushtetutës. Kryeprokurorja do të shkojë për pak minuta më 2 shkurt.

“Unë nuk mund t’u përgjigjem pyetjeve tuaja në funksion të hetimit të këtij komisioni”, tha kryeprokurorja duke lënë më pas sallën.

Komisioni kërkon tabulatet telefonike, përfshirë edhe të një grupi gazetarësh. Por do të tërhiqet nga kjo ide, sikundër edhe nga vrulli me të cilin nisi aktivitetin, por duke qenë formalisht funksional edhe sot e kësaj dite. Më 15 dhjetor parlamenti ja zgjati sërish mandatin, ndërkohë që as prokuroria nuk ka mbyllur dosjen, madje ka deklaruar dhe se hetimet janë penguar dhe pritet të ngrejë tre akuza, mes të cilave edhe një për manipulim të provave apo të dhënave të hetimit

100 telefonata ish të dashurës natën e Vitit të Ri. Arrestohet për stalking

Udhëtimi me avion. Asnjëherë më i sigurt se në vitin 2011