Me ceremoninë në Amfiteatrin e lashtë në orën 20.30, nis edicioni i katërt i festivalit të filmit në Durrës që do të zgjasë deri më 2 shtator. Mes të ftuarve të këtij festivali emra të rëndësishëm të kinematografisë si regjisori amerikan Coppola dhe aktorja italiane Cardinale
Durrës, 27 gusht 2011 – Nis sot në mbrëmje edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, mes kureshtjes që ka ngjallur pjesëmarrja e disa prej personaliteteve të botës së filmit gjatë ditëve të tij.
Ceremonia e hapjes zhvillohet në ora 20.30 në Amfiteatrin e lashtë dhe do të drejtohet nga aktori i mirënjohur i kinemasë shqiptare, Timo Flloko, i cili vjen në përvojën e dytë radhazi në drejtimin e kësaj veprimtarie. Kënga “Të falem i bukuri Durrës”, shkruar nga kompozitori Enver Mara dhe poeti Hysen Çela, do të çelë ceremoninë, që do të përshëndetet fillimisht nga drejtorja e Festivalit, Anila Varfi.
Gjatë mbrëmjes së sotme, Mihallaq Luarasi do të japë Çmimin e Karrierës për aktorin e shquar shqiptar Vangjush Furrxhi, të cilin do ta marrë bashkëshortja e artistit të ndjerë, Marilda Furrxhi. Nga vitet 1960-1980 Furrxhi interpretoi dhjetëra role në teatër, ndërsa u bë i njohur për 13 personazhet e realizuara në kinemanë shqiptare.
Menjëherë pas ceremonisë që do të zgjasë 30 minuta, në ekranin e përgatitur në arenën e amfiteatrit do të shfaqet filmi “Honey-Mjaltë”, fitues i Ariut të Artë dhe Çmimit të Jurisë në Festivalin e Berlinit 2010, me regji të regjisorit turk Semih Kaplanouglu.
Festivali i filmit do të vazhdojë deri më 2 shtator. Në seksionin “Vizione bashkëkohore” do të konkurrojnë për “Gladiatorin e artë” 8 filma, ndërsa 6 të tjerë do të konkurrojnë në seksionin “Botë ballkanike”. Gjatë ditëve të festivalit në amfiteatrin antik, teatrin “Aleksandër Moisiu” dhe në auditorin e Qendrës kulturore të fëmijëve do të shfaqen edhe filma të tjerë, prodhime të studentëve të arteve, filma të huaj dokumentarë, si dhe prodhime nga kinemaja turke dhe amerikane, që janë të ftuarit e këtij edicioni.
Në festival do të mbërrijnë emra të njohur të kinemasë botërore, mes të cilëve shquhen regjisori hollivudian Francis Ford Coppola dhe ylli i kinemasë italiane Claudia Cardinale.