in

Nisin patrullimet e përbashkëta shqiptaro-kosovare të policisë rrugore në Shqipëri

E diela e parë e korrikut shënoi një fluks të madh të qindra banorëve nga Kosova  në drejtim të bregdetit shqiptar, e bashkë me të edhe nisjen e patrullimit të përbashkët të rrugëve të Shqipërisë nga policitë rrugore kosovare e shqiptare

Ka nisur më 1 korrik në  akset kryesore rrugore zbatimi i marrëveshjes së nënshkruar mes policisë rrugore të  Shqipërisë e  policisë rrugore të Kosovës, për patrullimet e përbashkëta në rrjetin rrugor të vendit për sezonin turistik. 

Fillimin e patrullimit  të përbashkët e kanë dhënë paraditen e të dielës, në pikën e kalimit kufitar të Morinit, drejtuesit e policisë të të dyja shteteve, Vullnet Topalli dhe Sheremet Ahmeti, të cilët përcaktuan të gjitha detajet e shpërndarjes së patrullave  të përbashkëta.        

“Patrullimi i përbashkët synon  një kontroll më efikas në të gjitha akset rrugore  me synim lehtësimin e lëvizjes  drejt  bregdetit” – u shpreh  drejtori i policisë rrugore shqiptare, Vullnet Topalli.  Ndërsa drejtori i divizionit të policisë rrugore  të Kosovës, Sheremet Ahmeti  tha se një bashkëpunim i tillë jo vetëm minimizon rastet e aksidenteve, por krijon  rritjen e bashkëpunimit dy palësh për zgjidhjen e të gjitha problemeve që dalin në këtë periudhë kur fluksi i lëvizjes  në të dy anët rritet ndjeshëm.

Patrullimet e përbashkëta do të jenë më të fokusuara në rrugët kombëtare të cilat lidhin bregdetin shqiptar me rajonet e tjera të vendit nga ku fluksi i hyrjeve të shtetasve të huaj është edhe më i madh e ku mundësia e aksideneteve është më evidente.      

Ky është viti i tretë që policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë vendosin që të bashkëpunojnë në  drejtim të kontrollit  të lëvizjes së mjeteve në akset kryesore rrugore.  Këto patrulla do qëndrojnë 24 orë në rrugë dhe do punohet  me tre turne me qëllim që të shmangen aksidentet rrugore për shkak të numrit të lartë të pushuesve që i drejtohen bregdetit shqiptar për të kaluar pushimet.

Në fakt, e diela e parë e korrikut shënoi një fluks të madh të qindra banorëve nga Kosova  në drejtim të bregdetit shqiptar. “Gjatë  24 orëve të fundit  kanë hyrë në Shqipëri  rreth 14 mijë persona, ndërsa kanë hyrë në Kosovë 10.700 persona, kryesisht shtetas kosovarë që kthehen në vendlindje për pushime”, pohojnë burime zyrtare të policisë kufitare.

Pavarësisht fluksit që po shënohet gjatë këtyre ditëve, deri tani nuk ka pasur radhë të gjata në doganën e Morinit përmes së cilës hyjnë në Shqipëri pjesa më e madhe e kosovarëve që dynden për pushime drejt bregdetit shqiptar.

Autostrada Morin-Kukës-Durrës ka bërë që fluksi në fundjavë të rritet ndjeshëm, pasi jo pak kosovarë kalojnë fundjavat në bregdetin shqiptar. Rexhep Zylfia  nga Dragashi thotë për ATSh-në se “këtë periudhë na është bërë zakon t’i kalojmë fundjavat në bregdet, sepse udhëtimi nuk zgjat më shumë se 3 orë”.
 

 

Nis sezoni veror. Mijëra emigrantë kthehen nga Greqia në Shqipëri për pushime

Made in Italy. Al via la campagna contro il razzismo