in

Një emigrant nga Italia, deputet në Kuvendin e Shqipërisë

Dega e PS-së në Itali do t’i nisë kërkesat e veta Kongresit të partisë. Mes tyre, edhe kërkesa për një vend në Kuvend

Romë 10 tetor 2011 – “Kërkojmë që të caktohet një deputet zone për Italinë, siç e kanë të gjitha degët e tjera të PS-së në Shqipëri”. Kjo është një nga kërkesat që duket se dega e PS-së në Itali do t’i dërgojë Kongresit të Partisë socialiste që do të mbahet në Tiranë më 5 nëntor.

Edmond Kumaraku, kryekoordinator i degëve të PS-së në Itali tregon për shqiptariiitalise.com se tashmë në Itali janë ngritur mbi 65 degë në qytete të ndryshme, dhe se në 22 tetor (në Rimini, rruga XXIII settembre 124/C në orën 10.00) do të mbajnë asamblenë III të përgjithshme ku do të shqyrtojnë edhe kërkesat që vijnë nga degët e qyteteve. “Duam t’i paraqesim kongresit të PS-së, kërkesat tona, që kanë si qëllim dhënien e një peshe më të madhe në vendimmarrje të shqiptarëve që jetojnë në Itali. Kërkesat do të kristalizohen në Asamblenë e 22 tetorit, tani jemi duke i mbledhur ato nga degët e ndryshme në Itali”.

Nga sa duket, kërkesat më të mundshme që do t’i nënshtrohen për votim asamblesë për t’iu paraqitur partisë kanë të bëjnë me të drejtën efektive të votës së emigrantëve përmes postës (dhe jo në struktura si konsullata e ambasada apo elektronikës), përfaqësim më të lartë të emigrantëve shqiptarë në Itali në Forumet drejtuese të partisë, e drejta për anëtarët e asamblesë së përgjithshme të degëve të PS-së në Itali, të jenë anëtarë edhe në asambletë e degëve të PS-së në qytetet përkatëse shqiptare nga janë këta emigrantë, vetëvendosjen e asambleve të degëve të Italisë në zgjedhjen e koordinatorëve dhe të kryekoordinatorit, ndryshimit të emërimit të tyre nga “koordinatorë” në “Kryetarë”, si dhe përfaqësimin me një deputet të emigrantëve socialistë në Itali.

“Jemi në Itali mbi 500 mijë shqiptarë, pse të mos kemi zë në vendimmarrjen, qoftë të partive ku jemi të aktivizuar, qoftë në parlament” thotë Kumaraku.

Si mund të zgjidhet një deputet nga emigracioni? “E thjeshtë. Nëse na jepet e drejta e votës me anë të postës, komuniteti këtu mund të propozojë kandidatët të zgjedhur mes emigrantëve e më pas t’i votojë. Nëse nuk arrihet të votojmë në Itali, përmes kërkesës që i bëjmë partisë për t’u dhënë të drejtë anëtarëve të asamblesë së degës PS në Itali të jenë anëtarë edhe të asambleve të degëve të PS-së në qytetet përkatëse shqiptare nga janë këta emigrantë, duam të kemi zë në zonat zgjedhore në Shqipëri. Dhe në zonat me emigracion të fortë, pse jo, të çojmë në Kuvend një socialist që të përfaqësojë emigracionin”.

“Të gjitha kërkesat tona, të mësipërmet e të tjera, që do të votohen përfundimisht më 22 tetor, do t’ia çojmë Kongresit të Partisë Socialiste në të cilin, si degë e Italisë, kemi 6 delegatë permanentë me të drejtë vote dhe 15 të ftuar” përfundon Kumaraku.

Keti Biçoku

Artistë europianë në festivalin VI ndërkombëtar të muzikës së dhomës në Durrës

Padova Jazz Festival: në teatrin Verdi edhe Markelian Kapidani