in

Një gur në muzeun e kujtesës

Nga Gëzim Peshkëpia *

Një djalë i vogël bashkë me gjyshërit, mamanë e dajën ngjitej për herë të parë në një vapor, i cili i çonte në anën tjetër të Adriatikut, në vendin e tyre, pas një odiseje të gjatë peripecish në Ballkan. Ky djalë e kishte parë detin në vendlindjen e tij në Vlorë, kur shëtiste bregut të tij me prindërit apo gjyshin, por tani kureshtja e tij shuhej jo vetëm për të, por dhe për shumë gjëra të tjera…

Ikte nga ky vend duke lënë pas babanë e tij të mbyllur në burgun e tmerrshëm të Burrelit, ku edhe mbylli sytë për të mos u parë më me Aldon, vogëlushin e tij, të shoqen Aurelian, dhe prindërit bashkë me kunatin Xhakomo Pozeli, i njohur në gjithë Shqipërinë si futbollist i shkëlqyer, portier i kombëtares shqiptare kampione e Ballkaniadës në vitin 1946. Mbas 42 vjetësh, së bashku më dajën Aldoja vinte për herë të parë mbas largimit, në vendlindjen e tij dhe vendvdekjen e të atit Xhuzepe. Mbi këtë udhëtim shkroi romanin “Kthim në vendin e shqiponjave”, i cili u titullua në shqip “ Brenga ime shqiptare”. Aldo është miku im i fëmijërisë. Me të duke luajtur mësova fjalët e para në italisht. Ndërsjelltas ai mësoi shqip shumë mirë, por që fatkeqësisht e ka harruar tashmë. Familja e tij banonte me qera në shtëpinë tonë, tek rruga e Kazanit në Tiranë. Kushërira ime Tefta, sapo u takuam, i tha: “Alducio, come stai?” Aldo u prek, sepse u kujtua se kështu e thirrnin në familje kur ishte i vogël. Kur erdhi për herë të dytë në Shqipëri, e prita në Rinas. Ishte një takim prekës – gazetari Norel Zaimi i TVSH-së përgatiti një kronikë mbresëlënëse. U rinjohëm ato ditë duke treguar secili historitë e tij e të familjes. Cila ishte brenga e tij shqiptare? Varri i pagjendur i babait të tij Xhuzepe.

Deri më sot nuk kam parë njeri këmbëngulës si Aldo. E admiroj për forcën shpirtërore që ka. Shkon e vjen pa u thyer nga burokracitë, pengesat e i vendosur ta çojë deri në fund kërkimin e tij. E shoqërova bashkë me një funksionar të lartë të policisë në Burgun e Burrelit. Hyjmë Brenda, ku na shoqëruan me dashamirësi disa oficerë të burgut. Ata na çuan tek oborri ku ishin hapur shumë gropa nga familjarë të tjerë, në kërkim të eshtrave të atyre që kishin ndërruar jetë në këtë burg të tmerrshëm. Thirrën një polic të asaj kohe, por më kot. Aldo kishte kërkuar nga ambasada dhe autoritetet ndonjë dokument mbi vdekjen e të atit, por veç dëshmive të bashkëvuajtësve, asgjë tjetër. I dhashë fjalën se po të këtë dokumenta në arkiva do t’ia siguroja.

Mbas ndarjes, duke qenë se isha anëtar i bordit të ISKK-së, kisha të drejtë të kërkoja në gjithë arkivat, qofshin dhe sekrete. Gëzimi im ishte më i madh kur gjeta dosjen e Xhusepe Terrusit po më i madh që ai i Aldos kur e mori në dorë e më pas e përktheu.

Natyrisht, u desh shpjegimi im dhe i shokut tim Ingrit, që e sqaruam se në diktaturën që përjetuam ne, nuk bëhej fjalë për drejtësi. Aldo nuk u ndal, ai zbriste prapë nga avioni në Rinas me një çantë me dokumenta në dorë, duke bredhur nga ambasada e tij në Tiranë nëpër ministrira, për të takuar autoritete e miq. E admiroj për ato ec e jake, për insistimin ne gjetjen e eshtrave të babait të tij. E kundroj plot nderim Aldon e palodhur që kërkon gjurmët e të atit, varrin e tij.

Romani i tij tragjik ka plot shembuj të ngjashëm që krijoi Lufta e Dytë Botërore, por atë na e sjell shumë prekshëm Aldo Terruzi pranë nesh, duke vënë një gur në Muzeun e Kujtesës.

* Ky shkrim është parathënie e edicionit të fundit të librit “Brenga ime shqiptare” me autor Aldo Renato Terrusi, që rrëfen udhëtimin e Aldos dhe të dajës së tij, Xhakomos, të cilët kthehen në Shqipëri pas dyzet e katër vjetësh. Aldo ishte ende fëmijë kur regjimi i Enver Hoxhës i burgosi të atin në famëkeqin burg të Burrelit, ku dhe vdiq pa i dhënë as lamtumirën e fundit të birit dhe të shoqes. Dëshira e Aldos është të kthejë në atdhe eshtrat e të atit, dëshirë që ndërkëmbehet pikëllueshëm me të kaluarën e dhimbshme të familjes Terruzi në Shqipëri dhe të një kombi që edhe sot e kësaj dite ka në lëkurë shenjat e pashlyeshme të diktaturës. Nëpërmjet kujtimeve të familjes, dëshmive, fotografive të kohës dhe dokumenteve origjinale të procesit të të atit në vitin 1945, ripërshkohen ngjarje dramatike të faqeve historike më të zymta të Vendit të Shqiponjave.
Me dëshirë të autorit dhe lejen e botuesit, së shpejti do të botojmë librin me pjesë në Shqiptariiitalise.com. 

Lexo edhe: “Brenga ime shqiptare”. Përtej detit, aty ku lind dielli – Përsiatje rreth librit nga Eugjen Merlika

Il contributo degli albanesi d’Italia nel cammino dell’Albania verso l’Europa

Punti di forza e debolezze di un paese in crescita