in

Një medalje për Pjetër Gjikën, heroin shqiptar

Hidhet në lumë, shpëton të rrezikuarit, por mbytet vetë. Tre personat e shpëtuar, dy djem e një vajzë, të tre marokenë, u zhdukën me të dalë në breg. Presidenca e Republikës i jep medalje argjëndi për vlera qytetare

Ishte 30 qershori e 2 korriku i vitit 2008 kur dy shtetas hynë në kronika sepse i shpëtuan disa persona nga ujërat e lumit Adda në zonën e Fara d’Adda, pranë Bergamos disa persona. Ditën e djelë, më 31 tetor dy medalje për dy heronjtë. Por për fat të keq, njëri prej tyre nuk do të mund ta marrë sepse vdiq pikërisht duke shpëtuar tre marokenë që po mbyteshin. Quhej Pjetër Gjika 47 vjeçari që pa marrë parasysh rrezikun u hodh në ujin e lumit dhe humbi në të para syve të gruas dhe fëmijëve. Atij Presidenca e Republikës i jep medalje argjëndi për vlera qytetare.

Kronika e 2 korrikut 2008

Një drekë me familjen në një park përgjatë lumit Adda, ndonjë larje në lumë, ndonjë e lozur me tre fëmijët. Kjo ishte pasditja e nxehtë e 2 korrikut që 47-vjeçari Pjetër Gjika, prej 11 vjetësh në Itali, po kalonte me familjen e tij. Gjithçka shkonte më së miri deri kur rreth orës 16.30 Pjetri nuk dëgjon thirrjet për ndihmë të tre të rinjve që laheshin e që rryma e fortë e ujit po merrte me vete.

Nuk mendohet dy herë: hidhet në lumë, arrin t’i shpëtojë që të tre, por jo veten. Trupin e tij të pajetë do ta gjejnë vetëm pas tri ditë kërkimesh në ujërat e rrëmbyer të Adda-s.
“Sapo dëgjoi thirrjet – rrëfen një dëshmitar – nuk e zgjati fare, por u hodh. Arriti menjëherë pranë tre të rinjve që po mbyteshin”.
Ndoshta për shkak të rrymës apo që të rinjtë e lemerisur nga frika se po mbyteshin iu varën pas qafe, Pjetri nuk arriti të shpëtonte veten. Nga bregu i lumit e shoqja dhe fëmijët, një vajzë dhe dy djem, shohin me tmerr çastet e fundit të të dashurit të tyre: që mezi merr frymë, që shkon nën ujë, del vetëm një herë e më pas që e përpin lumi.

Ndërsa Pjetri arrin të mbajë disi mbi ujë tre të rinjtë, nga bregu tjetër i lumit karabinieri Carmelo Ciulla i Treviglios dhe të tjerë plazhistë shohin gjithë ç’ndodh. Marrin dy breza shpëtimi që komuna lë në dispozicion dhe ua hedhin njerëzve në rrezik. Karabinieri hidhet në ujë dhe me njërin brez shpëtimi arrin të nxjerrë në breg dy vetë. Karabinieri kthehet dhe arrin të shpëtojë edhe një person të tretë, por nuk mund të bëjë asgjë tashmë për Pjetrin që ndërkohë as nuk duket më mbi ujë: zhytet disa herë por për shkak të rrymës së fortë dhe ujit të pistë nuk arrin të gjejë gjëkundi shqiptarin.
Njerëzit në breg kanë dhënë alarmin. Mbërrijnë karabinierë të tjerë të Treviglios, palombarët e zjarrfikësve. Vihen të gjithë në kërkim të Pjetrit pa asnjë rezultat. E kërkojnë për tri ditë deri kur të shtunën më 5 korrik e gjejnë pranë rrjetës mbrojtëse të centralit elektrik Eneco të Cassanos. Tre personat e shpëtuar, dy djem e një vajzë, të tre marokenë, u zhdukën me të dalë në breg. Ndoshta mund të jenë klandestinë, dhe e vetmja gjë që kanë menduar pasi u shpëtuan jetën ka qenë t’ua mbathnin, pa mësuar as emrin e atij që humbi jetën e vet për të shpëtuar të tyren, para se vendi të mbushej plot me forcat e rendit.

Familjarët: “Ëndrra e Pjetrit filluar në gomone”
Pjetër Gjika, i ardhur nga Shqipëria në vitin 1997, jetonte me familjen e tij në Cassano të provincës së Milanos. Edhe dy vjet më parë i kishte shpëtuar jetën një të panjohuri që po mbytej.
Ujërat e lumit e morën me vete. Ndërsa ujërat e detit e kishin sjellë në Itali. Para njëmbëdhjetë vjetëve kishte kapërcyer kanalin e Otrantos, nga Vlora në brigjet e Salentos, me një gomone. Një nga të shumtat që niseshin natën vonë për të mbërritur ende pa gdhirë në brigjet e “tokës së premtuar”. Në shtëpi la gruan dhe vajzën gjashtëmuajshe.

“Donte një të ardhme më të mirë për familjen e tij, – thotë mes lotëve kunati i tij Joni – Ishte viti 1997. u nisën shumë nga Shqipëria aso kohe, e dini vetë… u nis edhe ai ta provonte njëherë”.
E provoi edhe Pjetri dhe ia doli mbanë. Pas shumë peripecish  e mundimesh të fillimit. Shumë punë aty e këtu, në të zezë, e me rrogë sa për të mbijetuar. E më në fund një vend pune “i vërtetë” si murator e bashkë me punën edhe leja e shumëpritur e qëndrimit dhe një shtëpi në Cassano d’Adda. Kështu Pjetri hodhi rrënjë në provincën milaneze dhe vetëm atëherë tërhoqi gruan dhe vajzën. Më pas lindën edhe dy djem që sot janë shtatë dhe tre vjeç.

“Kunati im rronte për ta – vazhdon Joni – punonte nga mëngjesi në darkë, pa pushim, pa u ankuar asnjëherë. Punonte si kalë, nuk është e lehtë të punosh murator katërmbëdhjetë orë në ditë. Të del kurrizi në punë. Ndonjëherë shkonin të gjithë në plazh, buzë Adda-s, për të pushuar, për të ndenjur me fëmijët. Jo, nuk duhet të vdiste kështu. Shpëtoi tre njerëz që as i njihte fare, e mendoj që vdiq si hero”. Nuk ishte herë e parë që i shpëtonte jetën dikujt. “Më kujtohet – vazhdon kunati – që edhe dy vjet më parë, pak a shumë në të njëjtin vend ku ishte këtë radhë, pa një burrë që po mbytej dhe u hodh pa u menduar gjatë dhe i shpëtoi jetën. Ishte zotni burrë Pjetri. Kur dikush kishte nevojë për ndihmën e tij, nuk tërhiqej kurrë mbrapsht”.

 

Heq tabelën rrugore për të shmangur gjobën, denoncohet

Mes arritjes dhe “nderit” të heqjes së vizave