Vargu përmbyllës i këngës XXVI të Ferrit të Dantes ‘Infin che ‘l mar fu sovra noi richiuso’ (Derisa deti përmbi ne u mbyll), është titulli që artistët vlonjatë Arta Ngucaj e Arben Beqiraj i kanë dhënë instilacionit të tyre mbi reliktin e Kater i Radës: Janë panele me fotot e viktimave të 28 marsit 1997.
Romë, 29 dhjetor 2011 – Prezantohen sot në Otranto, veprat anësore të realizuara gjatë Workshop-it “L’Approdo. Opera all’umanità migrante” (“Mbërritja. Vepra për Humanitetin migrues”) nga tetë artistët e rinj të frymëzuara të gjitha nga relikti i Katër i Radës. Mes tyre, edhe Arta Ngucaj dhe Arben Beqiraj që për veprën e tyre kanë zgjedhur si titull një varg të Dantes nga Kanti XXVI i Ferrit “Infin che ‘l mar fu sovra noi richiuso”.
Ata kanë zgjedhur të sjellin në Otranto fotot e atyre që në tragjedinë e Kater i Radës humbën jetën. Praktikisht instalacioni i tyre konsiston në disa panele me fotot dhe emrat e viktimave: kanë të gjitha një datë vdekjeje dhe data të ndryshme lindjeje. Është herë e parë që kjo listë e gjatë emrash dhe fotosh ekspozohen të gjitha bashkë. Janë fotot që gjenden mbi pllakat e varreve të viktimave, që artistët siguruan falë Pushime Çalës, kryetares së shoqatës së viktimave të Katër i Radës.
Por vepra e dy artistëve shqiptarë nuk mbaron me kaq. Siç shpjegojnë ata vetë, “Infin che ‘l mar fu sovra noi richiuso” parashikon edhe dy hapa të tjerë. Realizimin e një objekti kujtim: një glob qelqi që do të ketë në brendësi miniaturën e Katër i Radës, ujë dhe rërë të Otrantos. “Nga 29 janari 2012, datë e inaugurimit të monumentit të Kater i Radës, suveniri do të rrëfejë në mënyrë ironike degjenerimin mediatik të simboleve: nga elementë të gjallë përkujtimi në copa arti të kataloguara në pasurinë artistike dhe turistike të qytetit” shpjegojnë ata në prezantimin e veprës së tyre.
Por është ajo çka do të bëjnë në Vlorë, në vendlindjen e tyre, pjesa më e rëndësishme e veprës së artistëve Arta Ngucaj e Arben Beqiraj. “Kemi arritur të përvetësojmë jo një, por dy objekte/pjesë të Kater i Radës. Jo vetëm kabinën me radio transmetuesin që në gjuhën e marinës quhet fener i anijes, por edhe busullën e saj. – shpjegon Arta Ngucaj për shqiptariiitalise.com – Ajo që duam të realizojmë në qytetin e Vlorës, ështe një projekt i ndërlikuar me një strukturë të mirëfilltë që do të ndikojë ndjeshëm në aspektin shoqëror, artistik dhe arkitektonik të një sheshi ekzistues por aktualisht me asnjë funksion. Flasim për ish-sheshin “H. Kapo” pranë portit detar të qytetit”.
Keti Biçoku
Lexo edhe: Fotot e viktimave të Kater i Radës ekspozohen në Otranto