in

Nuk zbaton kriteret mjedisore, gjobitet firma italiane në Shkodër

Agjencia Rajonale e Mjedisit (ARM) e Shkodrës ndëshkoi me gjoba, përkatësisht në shifrat, 1,5 milion lekë dhe 500 mijë lekë, kompaninë ndërtuese italiane “Materrese” dhe nënkontraktuesit e saj për moszbatim të kritereve mjedisore.

Tiranë, 29 gusht 2011 – Kompania Matarrese ka marrë përsipër punimet për ndërtimin e autostradës Shkodër-Hani Hotit, por me shfaqjen e problemeve të vazhdueshme në ndotjet mjedisore, Agjencia Rajonale e Mjedisit e Shkodrës po përgatit propozimin për pezullimin e punimeve të kompanisë në fjalë. 
Lajmi bëhet i ditur nga vetë kryetari i ARM, Lilian Idrizaj, i cili pohon se institucioni që ai drejton ka vërejtur mangësi në zbatimin e kushteve të lejes mjedisore nga firma. Nga problemet e shfaqura lidhur me kërkesat mjedisore, firma italiane dhe nënkontraktuesit e saj anë ndëshkuar disa herë, qoftë për mënyrën se si janë pajisur ato me lejet mjedisore, por sidomos për mënyrën se si i kanë zbatuar ato kushtet e këtyre lejeve. 

Problematike për këtë aks rrugor janë pluhuri dhe mbetjet që prodhohen nga punimet e kryera, por edhe nga qarkullimi i automjeteve në këtë aks rrugor. Kjo përbën shqetësim jo vetëm për komunitetin që jeton në afërsi të objektit, por edhe të atyre që qarkullojnë me automjetet e tyre personale përgjatë aksit rrugor Shkodër-Hani Hotit. 

Në fakt, kanë qenë të shumta ankesat pranë qeverisjes vendore, si dhe Drejtorisë Rajonale Mjedisore, të cilat kanë reaguar menjëherë duke marrë masa. Idrizaj sqaron se më parë, firma Materrese është këshilluar dhe më pas është gjobitur dy herë, me shifrat 500 mijë lekë dhe 1,5 milion lekë fillimisht për mos pajisjen me lejen mjedisore që nevojitet në kryerjen e punimeve, dhe më pas për moszbatim të kushteve që përmban leja në fjalë, e cila ka treguar mangësi të theksuara në respektimin e ndotjes së mjedisit.
Idrizaj, ndërsa konsideron shumë problematik procesin e punimeve që po bëhet në këtë aks rrugor, shprehet për ATSh-në se për shkak të shkeljeve të konstatuara, pritet të mbahet një qëndrim i rreptë ndaj kompanisë ndërtuese, deri edhe në propozimin e pezullimit të punimeve në të tilla kushte. 

Punimet në ndërtimin e Autostradës Shkodër-Hani i Hotit me gjatësi rreth 40 kilometër, gjerësi 15 metër, mundësohen nga një investim i Qeverisë Italiane dhe Qeverisë Shqiptare me shifrën prej 31 milion e 500 mijë euro. Puna për ndërtimin e kësaj rruge ka nisur më 17 dhjetor të vitit 2009 dhe më 17 gusht të 2011 ishte parashikuar të përfundonte, por data e dorëzimit të projektit duket ende larg.

Kur do të reshtin aktet raciste ndaj çamëve që duan të udhëtojnë në Greqi?

Europa në ndihmë të Shqipërisë për shuarjen e vatrave të zjarreve