Ministri Spiro Ksera: “Emigrantët vlerësohen si faktorë të rëndësishëm në forcimin e urave lidhëse mes Shqipërisë dhe vendeve pritëse. Emigrantët shqiptarë, veçanërisht më të suksesshmit vlerësohen për kontributin që kanë dhënë dhe japin për zhvillimin ekonomik të vendeve pritëse”
Pothuaj 22 vjet pas flukseve të para migratore nga Shqipëria drejt vendeve fqinje, dinamikat e migracinot kanë ndryshuar dhe politikat për menaxhimin e tij kanë ardhur duke u përmirësuar në përputhje me këto dinamika.
Në tetë vitet e fundit është arritur shumë në parandalimin e flukseve të parregullta migratore, janë forcuar masat për kontrollin e kufirit dhe është lehtësuar ndjeshëm lëvizja e shtetasve shqiptarë përmes liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian.
Emigrantët vlerësohen si faktorë të rëndësishëm në forcimin e urave lidhëse mes Shqipërisë dhe vendeve pritëse. Emigrantët shqiptarë, veçanërisht më të suksesshmit – dhe të tillë ka me qindra – vlerësohen për kontributin që kanë dhënë dhe japin për zhvillimin ekonomik të vendeve pritëse.
Kontributi i tyre në Shqipëri është i mirëpritur, ndaj është detyrë e të gjithë neve, veçanërisht e juve – përfaqësuesve diplomatikë të Shqipërisë në të gjitha vendet – që të kontaktoni dhe të informoni çdo shqiptar të suksesshëm për mundësitë dhe lehtësitë që ofrohen për të investuar në vend.
Përpjekje konstante të Qeverisë për promovimin e migrimit të rregullt përmes nënshkrimit dhe zbatimit të marrëveshjeve bilaterale të punësimit janë finalizuar me Italinë, zbatimi i të cilës filloi dy muaj më parë me përzgjedhjen dhe trajinimin e 255 kandidatëve të parë, apo riaktivizimit të marrëveshjeve ekzistuese si në rastin e Gjermanisë në bashkëpunim me të cilin sapo kemi filluar zbatimin e skemës së punësimi për infermierë.
Edhe në këtë fushë roli i përfaqësive diplomatike duhet të rritet ku, nëpërmjet kontaktimit të vazhdueshëm me qeveritë përkatëse, të arrihet nxitja e fillimit të bisedimeve për marrëveshje dypalëshe punësimi me të gjitha vendet e BE, por jo vetëm.
I mirëpritur është kontributi juaj edhe për nxitjen e negocijimit me vendet ku ekziston emigracion shqiptar për nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe në fushën e mbrojtjes shoqërore, marrëveshje që sigurojnë mbrojtje për shtetasit që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, nëpërmjet njohjes reciproke të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Ekziston një Marrëveshje në fushën e mbrotjes shoqërore me Turqinë dhe jemi në negociata me Maqedoninë, Hungarinë, Belgjikën, Rumaninë dhe Çekinë.
Tashmë shqiptarët emigrojnë në mënyrë të rregullt dhe të informuar. Vitet e fundit janë ngritur pranë zyrave rajonale dhe lokale të punësimit në të gjithë vendin Sportele Migracioni që asistojnë me informacion shtetasit që dëshirojnë të emigrojnë si dhe ata që kthehen nga emigracioni dhe kanë nevojë për shërbime riintegrimi, por edhe shtetasit e huaj që kanë si destinacion punësimi Shqipërinë.
Këtu do të kërkoja një vëmendje më të madhe të përfaqësive diplomatike në informimin dhe orientimin e emigrantëve me probleme social-ekonomike për politikat integruese që zbatohen në Shqipëri për të rikthyerit, duke filluar nga mbështetja me përkrahje sociale, programe specifike për formim profesional dhe punësim, politika lehtësuese për strehim, etj.
Ambasadat dhe Konsullatat shqiptare shihen si ‘pikë referimi” për të gjitha çështjet që i përkasin zhvillimit të Shqipërisë dhe duhet që të nxisin këtë dialog me komunitetet shqiptare duke shërbyer si “one stop shop” për ofrimin e informacionit mbi zhvillimet në vend nga pikëpamja ligjore dhe institucionale.
Me ndihmën e IOM dhe një pjesë prej jush, sapo kemi përfunduar një seri konferencash me Diasporën shqiptare ku kemi diskutuar mbi mundësitë e investimeve në Shqipëri. Konferencat e zhvilluara në harkun kohor të një viti kanë mbuluar Italinë, Greqinë, Belgjikën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ekzitojnë mundësi për ta përmirësuar këtë komunikim, për të nxitur kontributin e emigranteve shqiptarë në zhvillimin social-ekonomik të vendit dhe për të adresuar sfidat aktuale në komunikimin me ta.
Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta drejton grupin e punës për hartimin e Strategjisë së re të Migracionit për periudhën 2013-2018. Do të dëshironim që nga ky takim të merrnim sugjerime konkrete mbi masat specifike që duhet të përfshihen në Planin e ri të Veprimit përsa i përket shërbimit konsullor dhe rolit të përfaqësive diplomatike në përmirësimin e shërbimeve ndaj shtetasve shqiptarë që ndodhen jashtë vendit, si dhe në nxitjen e investimeve të tyre humane dhe financiare në Shqipëri.
Duke shfrytëzuar këtë takim do të kërkonim nga ju nisjen e një serie konsultash me përfaqësues të komuniteteve shqiptare në vendet ku ju shërbeni në lidhje me parashikimet e Strategjisë së re për migracionin dhe Planin e saj të Veprimit.
Edhe Agjensia e Zhvillimit te Investimeve (AIDA) është duke punuar fort në promovimin e investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Shqipëri, ku një pjesë të rëndësishme luajnë investimet e emigrantëve shqiptarë.