Çfarë ishte Shqipëria në tekstet shkollore, publicistike, historike italiane pas daljes nga lufta e parë botërore? Me ardhjen e fashizmit në pushtet më 1922 ndryshonte dalëngadalë edhe imazhi i pasqyruar i Shqipërisë. Por megjithë përpjekjet ideologjike fashiste për “romanitetin” e përbashkët, mbizotëronte gjikthkund imazhi i një orienti osman, dy hapa larg botës perëndimore
nga Andrea Riccardi
Shqipëria është një vend i vogël sa Piemonti, gjendet përtej Adriatikut, bash përballë Pulias, nga e cila e ndan Kanali i Otrantos. Italia ka marrëdhënie shumë të mira me Shqipërinë. Territori shqiptar është shumë i varfër, dhe popullsia e pakët, që merret pothuaj tërësisht me bujqësi dhe blegtori, është sypatrembur. Territori është pjesërisht malor, e pjesërisht fushor i përshkuar nga lumenj që formojnë këneta të gjera malarike. Kohët e fundit në të është gjetur naftë. Vendi me të cilin Shqipëria ka marrëdhënie tregtare më të ngushta është Italia që atje ka ndërtuar edhe shumë rrugë”.
Ky është imazhi i Shqipërisë që jepej në një tekst shumë të përhapur, “Il libro della V classe elementare”, teksti ndihmës që i binte në dorë çdo nxënësi në Italinë e viteve ’20 dhe ’30. Bëhet fjalë për një imazh që përkon mirë me atë që ndeshej në publicistikën pak a shumë të specializuar; dhe mbi të gjitha ky ishte imazhi që regjimi donte t’u transmetonte brezave të rinj italianë mbi Shqipërinë. Teksti ndihmës u binte në dorë të gjithë italianëve që shkonin në shkollë, madje për disa ishte i vetmi libër i jetës së tyre. Jo rastësisht imazhi i Shqipërisë nuk ishte aspak i turbullt, përkundrazi përmbante elemente thelbësore dhe karakteristike. Mbi këto elemente dua të ndalem, dhe jo aq mbi debatin politik rreth Shqipërisë në shtypin italian, që tek e fundit ka një vlerë relative që varet nga kushtet e prodhimit të informacionit nëse nuk ekzaminohet në lidhje me politikën e jashtme fashiste. Interesi im përqendrohet në imazhin thelbësor të vendit, si formohet dhe afirmohet ai, të cilin, sidoqoftë, regjimi nuk mund të mos e mbajë parasysh, sepse formimi i një opinioni publik ka nevojë, edhe kur manipulohet, për një zhvillim koherent e logjik.
Edhe imazhi i Shqipërisë, siç vërente Togliatti për gjithë ideologjinë fashiste, dhe pas tij edhe Garin, përmban një sërë elementesh heterogjene, të marra nga tradita; por atyre regjimi mundohet t’u japë ngjyrë të re dhe mbi të gjitha njësuese. Del prej kësaj një diskutim mjaft logjik dhe me disa fjalë kyçe. Imazhi karakterizohet nga një hapje e fortë ndaj pranisë dhe ndërhyrjes italiane. Mjafton të theksohet në mënyrë të herëpashershme ky aspekt i fundit dhe, pothuaj del një justifikim i nevojës ndërhyrjen e Italisë në Shqipëri.
Nuk është e rastësishme që një sërë artikujsh interesantë mbi Shqipërinë janë botuar në faqet e Corriere della Sera, nga Ugo Ojetti dhe pastaj janë përmbledhur në një volum të botuar në Torino në 1902-shin. Roli i Ojetti-t, si një ndërmjetës i rëndësishëm mes botës së gazetarisë, intelektualëve dhe fashizmit deri në kohën e republikës sociale, njihet nga të gjithë. Kështu, në fillim të shekullit, Ojetti i dërguar në këtë vend, jep një përshkrim drejtuar opinionit publik borgjez të të përditshmes Il Corriere della Sera. Janë vitet përhapet në modën europiane, e mbi të gjitha në atë franceze, shija orientalisant, e ashtuquajtura malaise d’Orient, që karakterizon Pierre Loti-n ose udhëtimin e Gide-it në Marok. Në këtë lloj ndjeshmërie gjejnë hapësirë shënimet e Ojetti-t për Shqipërinë: Shqipëria është një copë Orienti, edhe pse pas dyerve të Italisë.
Kjo bie në sy menjëherë në shënimet e tij mbi pazarin: “në pazar gjen gjithçka. – shkruan ai – Gjithë malet e fushat, me ditë të tëra larg, vijnë këtu për të blerë dhe për të shitur”. Dhe bëhet fjalë, në përshkrimin e gazetarit, jo thjesht për një treg (po sa të tillë kishte në Italinë e atëhershme!) por bash për një gjë mjaft të ngjashme më një suk që karakterizon qytetet arabe nga Fesi në Halep. Ojetti, kur flet për pazarin shqiptar të karakterizuar nga rrëmuja dhe nga një “kaleidoskop” tipash njerëzor, duket sikur flet për një treg të Orientit, për një suk. E megjithatë në këtë përshkrim që duket se ka karakteristikat ndër-racore e ndërfetare të botës orientale, i dërguari arrin të dallojë një komb të vetëm: “… shqiptarin, punëtor të palodhur, të matur, të sinqertë, të ndershëm, krenar, që jepet por që nuk e lëshon veten, që mbart gjithmonë në zemër dhe në fytyrë vetminë e rreptë të maleve të tij, që vetëm një gjëje i zë besë, pushkës së tij”.
Nga kaosi folkloristik i pazarit, del një tip njerëzor mjaft i qartë, paraqitja e të cilit, është karakteristike në shumë shkrime publicistike për Shqipërinë: shqiptari është krenar, vetmitar, i zë besë vetëm pushkës së tij. Ky imazh haset pak a shumë për të gjithë popujt ballkanas. Por haset edhe për Magrebin ose për maKrebin: druzët e Libanit, ose Gebel druzët përshkruhen në të njëjtën mënyrë, po ashtu berberët… Edhe grekët janë përshkruar në një mënyrë të tillë. Viktor Hygo shkruante në Orientales: “Un bon fusil bronze per la fumée, et puis la liberté sur la montagne”. Në “kaleidoskopin” oriental të Shqipërisë, përveç shënimeve për folklorin që mund të jenë të shumta, fshihet pyetja, që Ojetti mezi formon: “Kush do të mundë, dhe kur do të vijë ajo ditë, që dikush t’i shndërrojë këta individë të pamëshirshëm dhe anarkikë në një komb pa ndasi e pa përçarje?”.
Dallime, ndasi fetare, ligji i maleve, hakmarrje këto janë karakteristikat e kaosit shqiptar, që i bëjnë të vuajnë – sipas Ojetti-t – të mërguarit “përballë vendeve që i bujtin”. E ç’mund të bënte një vend që do të kishte ndërmend “të vinte rregull” në Shqipëri? “Nuk do të kishte të bënte me mërgimtarët por me një malësor të Shkrelit ose të Nikajt, me pushkë në krah dhe gjerdanin e plumbave në brez”. Bashkëbiseduesi i vërtetë është ky tip njerëzor që “kënaqet me lirinë e tij personale dhe lirinë e dashurive dhe urrejtjeve të tij personale, kënaqet me atë që shet e me atë që mund të blejë në pazar…”. Në këtë situatë komplekse, dalin në pah intrigat e Austro-Hungarisë, Greqisë, e të mitit të pan-sllavizmit, që duket se peshkojnë në ujin e turbullt të një situate të tillë kaotike. Për Ojetti-n italianët kanë një detyrë, që ende nuk është përvijuar: “Ne kemi 100 mijë herë të drejtë – përfundon ai – të merremi me Shqipërinë. Por sot për sot, ende nuk e meritojmë”.
Imazhi i Shqipërisë është ravijëzuar në mënyrë të qartë: shqiptarët janë krenarë, të dhunshëm dhe jetojnë në një vend që ka të gjitha karakteristikat e Orientit. Janë njerëz të lirë – vëren Quaroni në kujtimet e tij për përvojën diplomatike në Tiranë. Ky imazh mund të shpalohet deri në dënimin më absolut të barbarisë së shqiptarëve; por, në të kundërt, edhe mund të ekzaltohet si shprehje e vullnetit për të mos u përfshirë nga fqinjët më të fuqishëm se ata. A nuk ka një rol Italia në këtë mes?
Në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit, ka një rilulëzim të studimeve historike, etnografike, gjeografike për Shqipërinë, që zëvendësojnë botimet ca të vjetruara të Chiara-s, Brunialti-t, Conforti-t, Vannutelli-t. Shoqata Dante Alighieri, pas manifestimeve pro-shqiptare, kishte filluar një seri italo-shqiptare të hapur nga një vëllim i vogël i Galanti-t pikërisht më 1901-shin. Ndër punimet e tjera, duhen kujtuar ato të Barbarich të 1905-s, mbi antropogjeografinë e vendit, në mbështetje të hekurudhës danubiano-adriatike, dhe ato të Baldaccit, një botaniku që me kohë u bë një prej specialistëve italianë më të mirë për Shqipërinë, ku kishte drejtuar eksplorime që nga viti 1888.
Interesi i përtërirë për Shqipërinë piqet në një klimë politike më të favorshme për autonominë e saj: përbëjnë një provë të kësaj linje shkrimet politike të Guicciardini-t dhe të San Giuliano-s. Por nuk është rasti të ndjekim këtu debatin në shtyp lidhur me historitë shqiptare, si kryengritja e 1911-s, gjë që nuk do të bëjmë as për ngjarjet vijuese. Por, megjithatë, duhet theksuar se opinioni publik demokratik, rreth komitetit pro pavarësisë shqiptare, nëpërmjet të Nderuarit Eugenio Chiesa dhe gazetarëve Narrocchi të gazetës “La ragione” dhe Zoli i “Secolo”, kishte njohur Shqipërinë si një vend që aspironte të fitonte pavarësinë e vet (duke promovuar njëfarë vullnetarizmi italian).
Del qartë se në atë kohë imazhi i Shqipërisë shoqërohet vazhdimisht nga ai i Italisë, si garanci për lirinë e vendit ballkanik. Angazhimi dhe shkrimet e një personaliteti të veçantë, të vdekur gjatë luftës së parë botërore, Eugenio Vaina de Pava, ofrojnë një kontribut të konsiderueshëm për këtë pikëpamje. I riu Vaina, ndër frymëzuesit e demokracisë kristiane, i mbushur me ideale mazziniane për rolin e Italisë në të mirë të kombësive ballkanike, luftoi në krah të shqiptarëve dhe u angazhua për krijimin e një debati për çështjen shqiptare (boton numrin e “Voce”-s të 1913 rreth kësaj teme – ku ndër të tjera – e quan të nevojshme krijimin e një universiteti në Bari me një “zyrë të qytetërimit”). Ai kundërshtonte nacionalizmin italian: “prirej jo vetëm t’u linte sllavëve, si tokë sllave, edhe Dalmacinë, por edhe të bënte kompromis për një zgjidhje si tipi zviceran për Triesten”. – ka shkruar Omodeo. Në fakt, roli i Italisë në Shqipëri konceptohet si një ndihmë për çlirimin e këtij populli: “Italia mundet ndoshta për herë të parë të kthejë në realitet një linjë të atij që ishte nacionalizmi i Risorxhimentit tonë civil: kombësia si e mirë e përbashkët për çdo popull”.
Duke iu kundërvënë atij nacionalizmi që ai quante shprehje të industrisë së madhe, Vaina de Pava është kritik ndaj arsimit të ofruar në Shqipëri nga vendet evropiane për të “mbjellë dhunshëm në ndërgjegjen e nxënësit diçka të huaj për të”: kërkon një rrënjosje në kulturën lokale, “të qenët jo fetar (duke këmbëngulur në bazën e përbashkët)” “një ndjenjë etike gjerësisht fetare”, e shkëputur nga interesat politike të kombeve të ndryshme të përfshira. Në këtë drejtim kultura shqiptare, e formuar në Itali, ofrohet si një kontribut i rëndësishëm. Edhe realiteti i shoqërisë shqiptare dhënë nga Vaina, shfaqet më pak i tipizuar se ai i autorëve të tjerë të mëparshëm apo pasardhës: nuk fshihen varfëria, konfliktet, mungesa e rendit publik, por nënvizohen disa karakteristika themelore si toleranca fetare: “duke udhëtuar nëpër Shqipëri m’u desh të bindesha se me tre fetë e saj, me tre klerikët në luftë me njëri-tjetrin dhe të mbështetur nga jashtë pikërisht për konflikt, është vendi më tolerant që mund të imagjinohet: fetë janë një perçe që nuk na lejojnë të shohim realitetin!: …fjalë të një ortodoksi…”.
Ky mirëkuptim simpatik dhe – do të thoja – origjinal i Shqipërisë, bën që Vaina t’i largohet konceptimit të bregut shqiptar si një Tripolitaně e dytë: përshkrimi i krahëve të hapur të shqiptarëve që presin italianët në Vlorë, kujton “tepër hidhur ironinë e krahëve të hapur për arabët e Tripolit” – thotë ai. Është një pozicion domethënës sepse në publicistikën italiane, krahët e hapur të shqiptarëve drejt Italisë shkojnë drejt zgjerimit me kalimin e viteve: në këtë drejtim gjendet përsëri koncepti i “unitetit” e Salvemini-t. Tek e fundit, ndërhyrja e Italisë duket si pika e kthesës për modernizimin e vendit: Itali do të thotë modernitet për Shqipërinë. Një sërë artikujsh midis viteve ’10 dhe ’20, por të ribotuar në një vëllim dhe të përpunuar në 1929-n, të Cannata-s, studiues i problemeve bujqësore, konfirmon këtë identifikim të Italisë si rruga drejt modernitetit dhe drejt pavarësisë për Shqipërinë: “Populli shqiptar e di se ne nuk kemi shkelur në tokën e tij si pushtues kur ne kësaj toke i japim gjithçka pa i marrë asaj asgjë ndërsa tokën e vjetër, të shkretë e djerrë, e kemi gjallëruar me rrugë, ura, ndërtime të forta, ujësjellës, shkolla, kur e kemi fekonduar me plorin e parmendave tona, me farat e hambarëve tanë”.
Në sfond të këtij roli të Italisë qëndron një paraqitje e errët e Shqipërisë, e kushteve të saj ekonomike dhe e karakterit të popullit: “janë njerëz që simpatizojnë vetëm ata që dinë t’u futin frikën me kamxhik”. Duke pasur parasysh situatën e vështirë të vendit përtej Adriatikut a mund të mendohet për një pavarësi të plotë? Në publicistikën italiane ka premisa, psikologjike dhe politike, për të vënë në diskutim mundësinë se Shqipëria të mund të mbajë në këmbë një shtet, me dinjitet të barabartë me të tjerët. Ideja e një mandati italian në Shqipëri duket gjerësisht e justifikuar nga vetë situata e brendshme e vendit. Në një konferencë të Giulio Tozzi-t në Akademinë Olimpike të Viçencës, në 1920-n, ndërsa mandati dukej i mundshëm, Shqipërisë i njihen karakteristikat e një kombi, por “kushtet ekonomike në të cilat vendi ndodhet sot përjashtojnë mundësinë e krijimit të një shteti shqiptar”. Ajo që mbizotëron në Shqipëri, sipas Tozzi-t dhe të tjerëve, është “anarkia”, “u mungon koncepti i një bashkësie të lartë interesash e idealesh, karakterizohen nga ndjenja rivaliteti dhe pavarësie krenare individuale”: formimi i një ndërgjegjeje të përbashkët është i mundur vetëm me ndihmën e Italisë.
Për Tozzi-n situata është kjo: “Toka nuk është aspak e shfrytëzuar dhe për vite të tëra mund të kultivohen dhe të merren prodhime pa ndihma fosfatesh e plehu! Klima e butë… lejon dy korrje në vit…”. Përfundimi mbi ekonominë shqiptare përmblidhet në një shprehje: “mund të japë shumë por nuk është aspak e shfrytëzuar”. Njerëzit janë “luftëtarë, krenarë”, ndoshta jo dhe aq punëtorë (por ka edhe malarie në tokat e tyre – shton), shumë të dhënë pas nderit të grupit dhe armëve, e megjithatë janë mahnitës. “Guerilja” është një status i përhershëm i jetës së tyre sociale, i ushqyer nga ndasitë fetare dhe nga shpirti i hakmarrjes, nga ligji i maleve. Ambienti është kompleks, i mbushur me ndjenja, aroma e shije shumë të ndryshme nga ato italiane: është një botë ekzotike, në të cilën italianët, me pak orë udhëtim e pak shpenzime mund të zhyten e të kthehen ndoshta duke treguar apo shkruar për udhëtimet e tyre orientale.
“Në mbrëmje, pastaj, në po këto kafené – shkruan Rispo – nën tingullin e një lloj kitare napolitane, por jo të akorduar mirë, disa valltare orientale… Kjo është apoteoza e vallëzimit oriental”.
Andrea Riccardi
(vijon)
Lexo edhe: Orienti te derë e shtëpisë/2