in

OSBE e gatshme të ndihmojë Shqipërinë në kontrollin e armëve

Deklaron ambasadori i OSBE-së, Wollfarth, në simpoziumin ndërkombëtar për kontrollin e armëve    

Tiranë, 23 nëntor 2011 – “Përfaqësia e OSBE-së mbetet e gatshme të ndihmojë Shqipërinë në fushën e kontrollit të armëve”, është shprehur të martën ambasadori i OSBE-së, në Tiranë, Eugen Wollfarth, gjatë punimeve të Simpoziumit ndërkombëtar për Kontrollin e Armëve.

Në fjalën e tij, ambasadori Wollfarth theksoi se ende në zonën e OSBE-së vazhdojnë të mblidhen e të shpërndahen armë të të gjitha llojeve, të cilat përbëjnë një rrezik të mundshëm, pasi vënë në rrezik sigurinë individuale dhe atë kolektive. “Ne nuk mund t’i lejojmë vetes që të harrojmë ndonjëherë qëllimin përfundimtar të shprehur në Kartën e Kombeve të Bashkuara mbi ruajtjen e paqes dhe sigurinë ndërkombëtare”, tha Wollfarth.

Në kontekstin e Shqipërisë, Wollfarth nënvizoi se stoqet e tepricave të municioneve konvencionale dhe armëve të vogla e të lehta të pasiguruara si duhet, përbëjnë ende një rrezik të konsiderueshëm. Sipas tij, që prej hyrjes në OSBE në vitin 1991, Shqipëria ka miratuar të gjitha Dokumentet e OSBE-së që shtrojnë rrugën drejt një kontrolli më të madh të armëve, duke treguar një vullnet të qartë politik për të marrë përsipër me seriozitet përgjegjësitë e saj në këtë fushë.

Simpoziumi ndërkombëtar për Kontrollin e Armëve, që po mbahet në Tiranë, është organizuar nga RECVIAC-Qendra për Bashkëpunim në fushën e Sigurisë, në bashkëpunim në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Ministrinë gjermane të Mbrojtjes, Ministrinë e Jashtme gjermane dhe Institutin gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.

Shkaktoi vdekjen e nënës me dy fëmijë, dënohet i zoti i shtëpisë

Riccardi: “Napolitano ka të drejtë. Duhet rishikuar ligji mbi shtetësinë”