in

OSBE: Partitë politike të ulin tonet dhe të rifokusohen në qëllimet strategjike kombëtare

 

Tiranë, 27 janar – Përfaqësuesi i kreut të presidencës së OSBE-së, zv-ministri i Jashtëm i Lituanisë, Evaldas Ignatavicius, u drejtoi sot në Tiranë partive politike një apel për qetësi dhe rifillim të dialogut politik.

“Vazhdoj t’u bëj thirrje të gjitha partive politike që të ulin tonet dhe debatet e tyre politike, që të mos përdorin gjuhë të ashpër dhe urrejtjeje për t’i dhënë fund kësaj dhune si dhe të rifokusohen edhe një herë në qëllimet strategjike kombëtare dhe në detyrimet e tyre ndërkombëtare”, tha Evaldas Ignatavicius.

Në një konferencë për shtyp, pas takimeve të zhvilluara sot pasdite me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e PS, Edi Rama, lidhur me situatën e krijuar në vend pas demonstratës së 21 janarit, Ignatavicius bëri thirrje për shtyrje të demostratave dhe për një rifillim të dialogut.

Pas thirrjeve  të një dite më parë nga Miroslav Lajçak, i dërguar i posaçëm i baroneshës Ashton, që kërkoi dhënien fund të dhunës dhe uljen e tensioneve, edhe Ignatavicius kërkoi shtyrjen e demostratave.

“Ashtu sikurse dhe Lajçak, jam i mendimit se një hetim i paanshëm për ngjarjen e 21 janarit mund të çojnë në një ç’tensionim të situatës, sikurse edhe shtyrja e këtyre demonstrimeve masive, mund të ndihmonin për të qetësuar situatën”, deklaroi përfaqësuesi i OSBE-së.

Ai shprehu bindjen se, pas takimeve që do të zhvillojë me krerët e shtetit dhe drejtuesit kryesor politik në vend, OSBE do të ketë  një perspektivë të ndryshme të atyre çka ndodhen në 21 janar për të dhënë mesazhin dhe përdorimin e instrumentave të duhur, që do ta ndihmojë Shqipërinë të dalë nga kjo krizë.

Duke vënë në dukje se Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe aspiron të bëhet anëtare e BE-së, Ignatavicius shprehu gadishmërinë e Lituanisë për të ndihmuar Shqipërinë të arrijë aspiratën e saj të anëtarësimit në BE.

“Sikuse edhe Lajçak, Shqipëria duhet t’i kthehet edhe njëherë dialogut politik në kuadrin kushtetues, dialogut përtej kufinjëve të partive politike”, nënvizoi ai.

Lidhur me bisedimet që zhvilloi paraprakisht me kryeministrin Berisha dhe kreun e PS, Edi Rama, përfaqësuesi i OSBE-së i cilësoi ato si “të sinqerta, të hapura dhe konstruktive”.
Sipas tij, që të dyja palët shprehën angazhimin për të qëndruar larg përdorimit të dhunës në ngjarjet e planifikuara në ditët dhe javët e ardhshme.

“Në fakt ky është edhe qëllimi minimal i misionit tonë këtu në Shqipëri, që palët të frenohen nga përdorimi i dhunës dhe t’i rikthehen edhe një herë dialogut. Dhe ne mbetemi të gatshëm për të bërë më të mirën e mundshme për të ndihmuar”, përfundoi përfaqësuesi i kreut të presidencës së OSBE-së, zv/ministri i Jashtëm i Lituanisë, Evaldas Ignatavicius.

Kaos në Shqipëri? Ndërmarrjet vënë bast se nuk do të ketë

New York Times: Ndalni vetë-shkatërrimin e Shqipërisë