Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, doli në një konferencë për shtyp në mbyllje të orarit zyrtar të votimit, duke deklaruar se ata kanë fituar dhe se kanë arritur objektivin e tyre, që do të thotë 77 deri në 80 mandate. Rama u ka bërë apel forcave të policisë dhe drejtuesve që të vihen plotësisht në shërbim të shtetit dhe ligjit zgjedhor.
“Së pari, bazuar në të dhënat tona operative, Rilindja ka fituar mbi rrënimi.n
E dyta, Aleanca për Shqipërinë Europiane do e realizojë objektivin e shpallur të mandateve.
E treta, komisionerët dhe KQZ-ja kanë përpara ligjin elektoral, që përcakton qartësisht modalitetet se si duhet të veprohet kur arrihet limiti kohor dhe ka ende zgjedhës që presin.
Vetëm zgjedhësit që presin kanë të drejtën e votimit.
E katërta, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, zëvendësdrejtori, Agron Kuliçaj, së bashku me një sërë drejtuesish të policisë, që janë identifikuar në përfshirje të strategjisë elektorale të pushtetit, është ora që të vihen plotësisht në shërbim të shtetit dhe ligjit elektoral dhe të mos e çojnë më tutje rrëshqitjen e tyre në drejtim të antiligjit. Që do të thotë se ndërkohë që populli sovran është shprehur me votë, administrimi i mëtejshëm i procesit duhet të garantohet nga e gjithë administrata zgjedhore dhe Policia e Shtetit duhet të bëjë detyrën dhe vetëm detyrën.
Vullnetin e popullit sovran nuk ka asnjë forcë që ta ndalë,” tha Rama.
“Këto zgjedhje nuk mund të njollosen më tutje. Gjaku i pafajshëm që u derdh sot në Laç është një kambanë alarmi për të gjitha uniformat blu, që sot janë në detyrë dhe që duhet të qëndrojnë në detyrë për ta mbështetur dhe garantuar këtë proces deri në minutën e fundit kur vota e fundit të jetë numëruar ashtu siç e ka adresuar vullneti i popullit sovran. Ne jemi këtu garant të palëkundur dhe të pamposhtur të çdo vote dhe garantë dhe nuk do lejojmë që të preket asnjë votë shqiptari e shqiptareje,” theksoi Rama.
Partia Demokratike ka reaguar me anë të zëdhënëses së fushatës, Majlinda Bregu ndaj deklaratës së kryetarit të PS, Edi Rama, që tha se ata kanë fituar.
Sipas Bregut, aleanca e djathtë ka fituar bindshëm. “Edi Rama sapo doli për të na bindur se është kopja e keqe e vetes së tij kur doli për të thënë se ka fituar dhe konsolidonte humbjen e thellë. Ju deklaroj me bindje të plotë se të gjitha sondazhet tona tregojnë se qytetarët shqiptarë kanë votuar bindshëm aleancën tonë. I bëjmë thirrje të gjithë komisionerëve, vëzhguesve, numëruesve tanë që të mbyllin me sukses ligjërisht këtë proces. Rama vulosi disfatën e radhës, por këtë herë më të thellën dhe përfundimtaren” tha Bregu.
Edhe kreu i LSI-së Ilir Meta me një konference për shtyp ka shpallur fitoren e koalicionit të majtë. Meta ende pa filluar procesi i numërimit të votave, u shpreh bindur që LSI do të marrë 15 deri 20 mandate.
“Dua të falënderoj për këtë fitore plebishitare për opozitën dhe për këtë votim të jashtëzakonshëm që ka ndodhur sot për LSI. Jam i bindur nga të dhënat tona dhe vlerësimet e pavarura se ASHE ka tashmë në kuti 80 mandate, dhe LSI ka në kuti 15 deri në 20 mandate”, u shpreh Meta i cili duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, tha se bindja e tij bazohet në Expollet dhe përllogaritjeve online.
Ndërsa kreu i Frymës se rë Demokratike, Bamir Topitha vetëm se forca e tij pret një rezultat përtej pritshmërive. Nëpërmjet një konference për shtyp nga selia e FRD, Topi theksoi rëndësinë e pritjes së rezultatit me qetësi.
“Puna nuk ka përfunduar, ne presim që mbas të gjithë të dhënave, një rezultat jo vetëm në kufijtë e pritshmërisë, por më shumë se aq. Unë i bej apel të gjithë partive politike, mbarë shoqërisë që në këtë moment ta presim rezultatin me shumë qetësi. Është një moment shumë i rëndësishëm, që do të bëjë të mundur fundin e tranzicionit.”- tha Topi.
Lexo edhe:
23 qershor 2013, Shqipëria në zgjedhje
Zgjedhjet. Vrasja e Laçit në mediat italiane
Corriere della Sera: “Kur është Ministri që fotografon votën e shkel ligjin…”