Gjuzi ka vdekur në vend për shkak të përplasjes së Opelit të tij me një kamion
Romë, 28 korrik 2016 – Një shqiptar ka humbur jetën mëngjesin e djeshëm në afërsi të Vaccarino të Padovës. Është 47-vjeçari Ferdinant Gjuzi, prej vitesh rezident në Padova, që rreth orës 6 të mëngjesit të të mërkurës teksa ngiste veturën e tij Opel Corsa në rrugën kombëtare 47 është përplasur me një kamion që vinte në drejtimin e kundërt. Goditja ka qenë fatale për shqiptarin që humbi jetën në vend ndërsa automjeti i rëndë përfundoi në një kanal buzë rruge por shoferi i tij, një 55 vjeçar nga Padova, nuk pësoi asgjë.
Sipas rindërtimit të parë të dinamikës së ngjarjes nga karabinierët, duket se Opeli, ndoshta për ndonjë arsye shëndetësore të çastit të 47 vjeçarit, ka dalë nga rruga e vete ka zënë brezin e kundërt të udhëtimit duke u përplasur në këtë mënyrë me kamionin që vinte përballë. Për Gjuzin ekipi mjekësor i mbërritur në vendngjarje nuk ka mundur të bëjë asgjë pasi ai kishte humbur jetën menjëherë.