in

Padova. Gjashtëdhjetegjashtë fëmijë në kopsht, vetëm një italian

Ndodh në një kopsht shtetëror të Padovës. Nëna italiane: “Është gabim, krijon probleme kulturore e pedagogjike”. Mësueset: “Mungojnë ndërmjetësuest kulturorë”

Romë, 17 shtator 2014 – Ndër 66 fëmijë, vetëm një ka mamin e babin italianë, të gjithë të tjerët janë bij imigrantësh.

Ndodh në Padova, në kopshtin shtetëror Quadrifoglio, në lagjen multietnike Arcella. Mamasë italiane nuk i pëlqen situata, merr kartë e penë e i shkruan kryetarit të komunës, legistit Massimo Bitonci dhe gazetave lokale. Shkruan se është “shumë e shqetësuar” dhe drejton gishtin kundër “një zgjedhjeje edukuese dhe didaktike shumë të gabuar”.

“Me një raport të tillë 65:1 – denoncon zonja Eleonora Baccaro – nuk mund të flitet më as për integrim. Apo më mirë, duhet të flitet për integrim në të kundërt: ai i fëmijëve italianë në gjirin e grupit të të huajve”.

Zonja paraprin akuzat e mundshme të racizmit e intolerancës duke thënë se nuk është fjala aty, por problemi sipas saj është “i natyrës kulturore e pedagogjike”. “Me kaq shumë fëmijë që kanë bazë kulturore të ndryshme nga e jona e që besojnë në fe të tjera, gjatë vitit shkollor a do të jetë e mundur të organizohet shfaqja e fëmijëve për Krishtlindje e frymëzuar nga besimi ynë katolik?”.

Edhe mësueset janë të shqetësuara. Për numrin e lartë të të huajve në krahasim me italianët (apo më mirë të themi italianin) dhe për burimet e pakta në dispozicion për t’i bërë ballë kësaj sfide.

“Është normale që ne mësuesit do të bëjmë sa kemi mundësi për t’u mundësuar fëmijëve të ndihen sa më mirë e për tu dhënë edukim optimal, por në këto rrethana, vullneti ynë i mirë dhe efikasiteti ynë në punë nuk mjaftojnë” thotë sot për Il Mattino koordinatorja Gabriella Balbo. “Na mungojnë ndërmjetësuesit kulturorë e gjuhësorë për të cilët kemi shumë nevojë” denoncon ajo.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Dorë për dorë për 700 vjet. Zbulohen të dashuruarit e Leicestershire

Gjykata Kushtetuese pezullon vendimin e qeverisë për kodin IMEI