in

Padova shfuqizon konsultën e imigrantëve. Cenolli: “Nuk kemi më përfaqësim”

Për mazhorancën legiste “komisioni i të huajve” ishte i panevojshëm dhe i kushtueshëm. Presidentja Egi Cenolli: “Punonim falas. Të panevojshëm vetëm për kryetarin e komunës Bitonci, tani nuk ka më një urë mes comuniteteve dhe administratës”

Padova, 14 prill 2016 – Në dhjetor të 2011-tës, katërmijë të huaj u vunë në radhë në Padova e votuan për të zgjedhur Konsultën e qytetarëve të huaj. Ishte zëri i tyre në këshillin komunal: mund të propozonte vendime, të ndiqte punimet e komisioneve dhe, përmes presidentit të shprehej, në çdo seancë, mbi gjithçka që vendosej për padovanët, të vjetër e të rinj, të lindur e të ardhur.

Ajo përvojë përfaqësie, e vetmja e mundshme – pasi votëne vërtetë imigrantëve mund t’ua japë vetëm një ligj kombëtar që tani për tani as që shihet në horizont – nuk ekziston më. Të hënën e shkuar, mazhoranca e qendrës së djathtë e drejtuar nga Lega vendosi ta shfuqizojë (teknikisht “ta pezullojë”) Komisionin, sepse e konsideronte të panevojshëm e tepër të kushtueshëm.

“Qytetarët e huaj janë si gjithë padovanët e tjerë” shpjegoi kryetari i komunës Massimo Bitonci. “Evropianët kanë të drejtën e votës dhe përbëjnë një të tretën e imigrantëve, ndaj mendojmë që është e panevojshme të mbajmë një komision të veçantë për të huajt. Dyert e Komunës, të kryetarit, të këshillit dhe të këshilltarëve janë gjithnjë të hapura për jemi të gatshëm, si gjithnjë, të presim të gjithë”.

Asgjë nuk vlejtën protestat e ostrucionizmi i opozitës. Këshilltari PD Massimo Bettin foli për “krim politik”, që do të rrisë mllefin dhe zhgënjimin e të rinjve të huaj, që do të ndihen të papërfillur nga ata që qeverisin Komunën tonë”. Kolegu i tij M5S Giuliano Altavilla drejton gishtin kundër Bitoncit: “Kishte premtuar se do të ishte kryetar i të gjithëve. Është e qartë që po ndodh krejtësisht e kundërta”.

Egi Cenolli“Komisioni ishte i padobishëm? Vetëm për Bitoncin” thotë për Stranieriinitalia.it presidentja Egi Cenolli. “Që kur u zgjodh i kërkuam disa herë ta takonim, por gjithnjë na injoroi. Siç injoroi propozimet konkrete që bashkë me komunitetet e huaja kemi paraqitur për përmirësimin e jetës së imigrantëve në Padova”.

Cenolli dhe kolegët e vet në gjithë këto vite kanë punuar falas, pa marrë as të ashtuquajturin “gettone di presenza”, pagesën e vogël për çdo pjesëmarrje në mbledhje. Që kanë punuar, e dëshmojnë edhe raportet e propozimet e botuara në faqen facebook të Komisionit.

Administrata legiste, sapo erdhi në fuqi, u hoqi edhe sekretarinë, e domosdoshme për ecurinë e punës. Por ndërkaq u tregua shumë “e vëmendshme” ndaj imigrantëve, duke u mbyllur sportelet komunale që u ofronin informacione, duke i hequr nga renditjet për banesat sociale me futjen e kriterit të vjetërsisë së rezidencës apo duke u vështirësuar bashkimet familjare me nxjerrjen e lloj lloj pengesash për përshtatshmërinë e banesës.

“Ne zërin e ngrinim – nënvizon Egi Cenolli – por nuk deshën ta dëgjonin. Tani zgjodhën të na lënë pa zë fare, për më tepër pa ndryshuar statutin. Nëse të huajt do të kishin vërtet të njëjtat të drejta me italianët, komisioni nuk do të ishte i nevojshëm. Por ne ishim një urë mes komuniteteve dhe institucioneve. Kryetari i komunës dhe mazhoranca e tij vendosën ta hedhin në erë”.

Elvio Pasca

 

 

Arrestohen tre persona, u sekuestrohen mbi 26 kg kokainë

Albori e storia del turismo in Albania tra le carte dell’Archivio Tagliarini. Conferenza a Roma