in

Panairi i Librit: Helena Kadare, autorja më e mirë e vitit

Panairi i Librit “Tirana 2011” ka shpallur të shtunën, më 12 nëntor  fituese të edicionit të 14-të, Helena Kadarenë për librin “Kohë e pamjaftueshme”.

Tiranë, 14 nëntor 2011 – “Për elegancë në shkrim dhe emocionet e thella që e kapërcejnë objektin e rrëfimit. Jo një jetë e rrëfyer, por rrëfimi i Jetës”. Ky është motivimi i çmimit që i është dhënë këtë vit Helena Kadaresë.

Në rreth 700 faqe botim, rrëfehet historia personale e autores me të shoqin, Ismail Kadare, por bashkë me ndodhi të jetës së tyre, shfaqen edhe ngjarjet politike, sociale, fakte kureshtare mbi jetën e Kadareve në diktaturë dhe pas saj. 
“Kohë e pamjaftueshme”, libri që ka ngjallur shumë debate në vend, zbulon fatin e një çifti të pazakontë, në këtë rrëfim të mbushur plot ngjarje që dalin dhe e kapërcejnë të zakonshmen.

Veç këtij çmimi janë dhënë edhe disa të tjerë.

Përkthyesi i vitit u shpall Shpëtim Çuçka, për përkthimin e “Historia e bukurisë” të Umberto Ecos, me motivimin “Për vlerat e sjelljes në shqip, me cilësi e thellësi, të njërës prej veprave të rëndësishme të letrave bashkëkohore botërore”.
Revista “Grupsat” e shtëpisë botuese “Albas” u vlerësua si libri i vitit për fëmijë me motivimin “Për vlerat edukative, enciklopedike, estetike dhe argëtuese në formimin e shijeve te lexuesi i vogël”.

Juria e panairit me anëtarë Mirela Kumbaron, Pëllumb Xhufin, Arta Markun, Dhurata Shehrin, Xhevat Beqarajn, akordoi dhe çmimin e veçantë të jurisë, që iu dha poetit Muhamet Ademi për librin “Lirika e fijes së barit”, me motivacionin “Për personalitetin kompleks të një poeti të panjohur, që na sjell vlerat e një letërsie e cila mbijetoi edhe pa lexues”. 

Një çmim tjetër ishte edhe ai stendës me paraqitjen më të mirë grafike, që iu dha shtëpisë botuese “Pegi”.

Panairi i Librit “Tirana 2011″” u çel në 9 nëntor në Pallatin e Kongreseve, dhe u mbyll të dielën më 13 nëntor. Lexuesit kanë treguar interes, gjë që është parë nga radhët e gjata, për stendat e botimeve të Ben Blushit për librin “Shqipëria”, Edi Ramës për librin “Kurban” dhe Blendi Fevziut për librin “Enver Hoxha”. 
 

Hapet sheshi Skënderbej

Gruaja në koma, arrestohet 36-vjeçari për tentativë vrasjeje