in

Panorama: Drejtësia greke kërkon ambasadorin Ceka për një aksident rrugor

Në themel të thirrjes si i paditur të ambasadorit në Kalamatë duket se qëndron një çështje e pambyllur dëmshpërblimi mes sigurimeve të makinave për një aksident rrugor ku ka mbetur i përfshirë edhe ai. Vetë ambasadori, i kontaktuar nga Shqiptariiitalise.com nuk dëshiron të thotë gjë lidhur me çështjen

Tiranë, 23 shtator 2013 – Prokuroria dhe Gjykata greke kërkojnë paraqitjen në gjyq të ambasadorit shqiptar në Romë, Neritan Ceka, për çështjen e pambyllur të dëmbshpërblimit për një aksident rrugor ku është përfshirë muaj më parë në Greqi.

Lajmin e jep sot e përditshmja shqiptare Panorama, sipas burimeve të të cilës “për aksidentin ku është përfshirë Neritan Ceka, Gjykata e Kalamatës ka nisur një proces penal të lidhur me një proces civil. Në gjyqin civil, mësohet se pronari i makinës së përplasur me mjetin e Neritan Cekës ka kërkuar para për dëmtimin e makinës së tij”.

“Aksidenti ka qenë me pasoja të lehta, por ka lindur problemi i zhdëmtimit të dëmit të pësuar nga makina e shtetasit grek. Ai ka ngritur padi në Gjykatë pasi ka pasur probleme me kompaninë e sigurimeve të makinës së shtetasit shqiptar Neritan Ceka, për shkak se nuk i është mbuluar gjithë dëmi i bërë”, thanë burimet. Sipas tyre, Gjykata greke e Kalamatës ka pranuar padinë e bërë dhe procesi gjyqësor pritet të fillojë më 25 shtator 2013.

I kontaktuar nga Shqiptari i Italisë, ambasadori Ceka, që thotë se është i zënë (në fakt, sot në Romë është për një takim pune ministrja shqiptare e Integrimit Klajda Gjosha, me shoqërimin e të cilës ndoshta është i angazhuar ambasadori) e nuk mund të flasë gjatë, i bie shkurt e deklaron se çështja për të cilën thirret nga drejtësia greke është diçka pa rëndësi dhe se nuk ia vlen ta komentojë.

Lexo edhe: Ambasadori Ceka kërkohet në cilësinë e të pandehurit nga drejtësia greke

Mbretëria e Bashkuar. Çdo 5 minuta dy të huaj marrin pasaportën britanike

Dritëro Agolli nderohet me çmimin Carlo Levi