“Shumë herë nuk ju kemi pritur. Përvoja juaj e dhimbjes dhe e shpresës na kujton se të gjithë jemi të huaj e shtegtarë në këtë Tokë”
Videomesazhi i Papës për 35-vjetorin e Qendrës Astalli
Romë, 19 prill 2016 – “Shumë herë nuk ju kemi pritur! Na falni për mbylljen dhe indiferencën e shoqërive tona, që kanë frikë nga ndryshimi i jetës dhe i mendësisë, të cilin e kërkon prania juaj. Të trajtuar si barrë, si problem, si kosto, ju jeni dhuratë”.
Janë fjalët që Papa u drejton refugjatëve në një videomesazh për 35-vjetorin e themelimit të Qendrës Astalli, selia italiane e Shërbimit të Jezuitëve për refugjatët (JRS).
“Jeni dëshmia – thotë Papa – se si Zoti ynë, zemërbutë e i mëshirshëm, di të shndërrojë të keqen dhe padrejtësinë nga e cila vuani, në të mirë për të gjithë. Sepse secili prej jush mund të jetë një urë që bashkon popuj të largët, që mundëson takimin mes kulturave dhe feve të ndryshme, mund të jetë një rrugë për të rizbuluar humanitetin tonë të përbashkët”. Kush largohet nga toka e vet për shkak të luftës apo të urisë është “vëlla”.
“Përvoja juaj e dhimbjes dhe e shpresës – shton Papa Françesku – na kujton se të gjithë jemi të huaj e shtegtarë në këtë Tokë, të mirëpritur nga dikush me bujari e pa asnjë meritë. Kush, si ju, largohet nga shtypja, nga lufta, nga një natyrë e shpërfytyruar prej ndotjes dhe shkretëtirëzimi, apo nga një shpërndarje e padrejtë e burimeve të planetit, është vëlla me të cilin duhet ndarë buka, shtëpia e jeta”.